Dy mësueset

Orhan SAKIQI

Dy mësuese nga të parat e arsimit shqiptar. Më parë se dy mësuese dy bashkënxënëse në Institutin Shqiptaro-Amerikan të Kavajës për t’u bërë mbas disa vjetësh dy kunata dhe shoqe të pandara për vite e vite. Mësuese në shkollat  në Tiranë, dhe duke banuar për më shumë se njëzet vjet së bashku, aty në Shallvare.
Këto dy mësuese ishin nëna ime Nevrez Sakiqi (Këlliçi) dhe gruaja e dajës Reshat Këlliçi, Bediha Këlliçi (Sulo). Vajza të reja 15-16-vjeçare ato u njohën në shkollën amerikane, siç i thonin ato ndërmjet tyre. Kjo shkollë ishte hapur në vitin 1926, nga misionari dhe dashamirësi i madh i vendit tonë amerikani Erikson. Në takimin që Eriksoni pati me kryetarin e Republikës, Ahmet Zogu, ai mori këtë porosi: Unë dëshiroj që ju të çelni sa më parë e qysh tani, brenda një muaji themelimin e një shkolle për vajza. Nevoja për  një shkollë të tillë është më e madhe se ajo për shkolla mashkullore, sepse neve nuk mund të bëhemi  një shtet modern pa gra të pajisuna me arsim. Asnjë komb nuk mund të ngrihet më lart nga niveli që kanë gratë. (Iljaz Gogaj Instituti shqiptaro-amerikan i Kavajës dhe Charles Telford Eriksoni Tiranë 2006 f.36).
Kujtimet për shkollën e tij çdo njeri i ka të paharruara, sepse ato janë të lidhura me rininë e tij me shokët e shoqet, por shoqet në fjalë kishin një gjë të veçantë, sepse  dy mësueset e ardhshme kishin vazhduar një shkollë-konvikt amerikan me rregulla dhe metodë mësimore të caktuar që mesa kam mundur të kuptoj është pak a shumë e njëjta që ushtrohet edhe sot në Amerikë. Nxënëset e shkollës ishin nga familjet intelektuale qytetare, por nuk mungonin edhe bursistë nga shteti për fëmijë që nuk kishin mundësi ekonomike.
Më kujtohet kur së bashku, por nganjëherë edhe me bashkë nxënësen tjetër Afërdita Asllani kujtonin shkollën, mësuesit e tyre e më shumë miss. Smith, një punëtore e palodhur dhe fetare që i printe flokët të shkurtëra, mbante berretë dhe vishte pantallona. Ajo jepte lëndën e Matematikes dhe nuk mund të dilte kush nga klasa pa mësuar. Ajo nuk falte asnjë gabim apo pa rregullsi. Shkonte tryezë në tryezë për të kontrolluar ushqimin. Buka që nuk përdorej sot të nesërmen e mbështjellë ishte përsëri në tryezën tënde deri sa të konsumohej. Kujtonin anën praktike të shkollës, kur mësuesja e para shkarkonte makinën me dru ose niste punën në parcelen e shkollës. Kujtonin mësimin e gjeografisë dhe vizatimin e hartës të Amerikës, foljet e pa rregullta të gjuhës angleze etj. Disa herë bisedat zhvilloheshin në gjuhën angleze. Me anglishten e Afërdites nuk mund të afrohemi thoshte nëna ime. Procesi i orës 18 ishte dëgjimi i “Zërit të Amerikës” ku të përkulura mbi radio dëgjonin çka thuhej nga vendi i lirisë, vendi i ëndrrave të vajzërisë. Në memorialin e Rusveltit në Uashington, ishte një statujë e titulluar: në vendet mbas perdes së hekurt, duke dëgjuar “Zërin e Amerikës”. Në statujë ishin dy burra të përkulur mbi radio, thuaj të bërë një trup me të. Kur e kam parë m’u duk e njëjta tabllo e jona.
Shumë herë kur donte ta lëvdonte një person për punën dhe sensin praktik të gjërave, nëna ime thoshte; Sa i ngjan miss Smithit. Ato kujtonin gjithashtu një nga themeluesit e shkollës vëllain e Afërditës Reshat Asllanin si edhe shumë mësuese e bashkënxënëse.
Në shkollën e Kavajës nëna ime i fliste shoqes së saj, Bedihasë për një vëlla të saj që ishte larguar më 1924 nga Shqipëria me Fan Nolin për të përfunduar në Rusinë e largët. Ku ta dinte ajo që mbas disa vitesh ky vëlla i saj do të vinte dhe do të bëhesh pikërisht i fejuari i saj. Kështu që kjo lidhje nuk i ndau ato për gjithë jetën.
Bedoja pas fillimit të karieres në fshatin Gazdare pranë shkollës në Kavajë, në vitin 1935 punon si mësuese në disa shkolla të Tiranës si “Naim Frashëri”, “Kosova”, “Kristoforidhi” etj. Bedoja qe mësuese shumë e suksesshme. Ajo dha mësim në shkollën ushtrimore ku bënin praktikë mësuesit e rinj. Ajo punoi për më shumë se 35 vjet në arsim pa u vlerësuar kurrë sa duhej. Shkak për këtë ka qenë desidenca e të shoqit, që idetë e komunizmit të mësuara në vendin e lindjes së tij i përdori si desidencë për regjimin. Më kujtohet që në fëmijëri fjalët e Bedos; Arsimi duhet të çlirohet nga politika. E Bedoja kishte punuar jo pak për përhapjen e ideve të reja në grupet ilegale, kishte punuar për një jetë shoqërore të drejtë, për një arsim ku të mos të dominonte lufta e klasave. Komunizmi ishte një zhgënjim i plotë për të. Ajo kishte edhe ‘gjuhën e gjatë’dhe vetëm ndërhyrjet e miqve inspektorë e shpëtonin.
Nëna ime e filloi karrieren në 29.03.1935, me Dekretin nr. 40 të firmosur nga ministri Mirash Ivanaj. Në dekret është edhe shkolla ‘Princesha Sanije Zogu’që ishte emërimi i parë, pra shkolla e parë si mësuese.
Punoi pastaj në Durrës e Shkodër mbas të shoqit që ishte oficer i rojes së financës. Mbas pushkatimit pa gjyq të bashkëshortit  më 28 tetor 1944, punoi në arsim deri në vitin 1951. Në fakt, parajamërimi për pushim kishte ardhur më parë. Në vitin 1946 ishte transferuar në Ballsh. Vetëm ndërhyrja e Sejfulla Malëshovës ministër i Arsimit dhe mik i dajës mundi ta anullojë këtë urdhër. Por kjo për disa vjet se më 1951do të vinte pushimi i vërtetë. Nuk mund të edukonte brezin e ri e shoqja e një të pushkatuari. Dikush që i komunikoi vendimin i shtoi edhe shkollën amerikane.
Filluan vitet e vështira të punës së krahut, në ndërtim në zdruktari e gjetiu. Si do të rriteshin dy fëmijë të vegjël. Në këtë kohë të vështirë shoqja e shkollës dhe kunata ju gjet pranë, me triska buke, por mbi të gjitha duke ndarë fatin e të deklasuarit, sepse banonin në një shtëpi.
Kështu shpjegohet që Bedo nuk u nderua kurrë me ndonjë shpërblim moral deri sa doli në pension. Vetëm në vitin 1995, ajo u nderua nga Presidenti i Republikës me Urdhërin “Naim Frashëri” të Klasit të parë kurse nëna ime të Klasit të Dytë.
Në qoftëse ka në jetë shembull shoqërie, dashurie e mirëkuptimi, ato janë të tilla. Për afro 70 vjet, ato ishin bashkë ndanë gëzimin dhe hidhërimin. Ato edukuan me qindra nxënës, të cilët vazhdimisht i kujtonin. Dy mësueset, kishin dashurinë dhe respektin për punën e nderuar të arsimtarit, respektin për detyrën të edukuara nga familja. Bedihaja ishte vajza e Dervish Sulos Kryetar i Gjykatës së Diktimit, kurse Nevrezi vajza  e Masar Këlliçit, deputet i Tiranës në Parlamentin e parë në vitin 1921. Ato ishin edukuar edhe nga shkolla amerikane që kishin kryer.
Pak orë para se nëna ime të ndërroi jetë erdhi në shtëpi për vizitë z.Iljaz Gogaj, autor i librit që përmenda më sipër. Ai solli disa foto nga shkolla amerikane për të identifikuar disa persona. Nëna i njohti të gjithë personazhet ndërmjet të tjerëve dhe z.Asllani.
Me këto kujtime të bukura dhe mbase të radha të jetës së saj, kërkoi të pushojë, për të kaluar mbas një ore në pushimin e përhershëm. Ishte 29 nëntor 2001, ku mbas disa muajsh do t’i vinte edhe shoqja e saj.

Exit mobile version