Dy të plagosur me armë në Durrës, krimi bën kërdinë

Të shtënat me armë trondisin qytetin e Durrësit. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Lagjen nr.5 të qytetit bregdetar, dhe sipas burimeve, si pasojë e breshërisë së plumbave kanë mbetur të plagosur dy persona, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë. Sipas burimeve të policisë, njëri nga të plagosurit është identifikuar si A. Skonja 29 vjeç. Ai është plagosur rëndë, pasi ka marrë disa plumba dhe është dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë. Ndërkohë, mësohet se i plagosuri tjetër është Ismail Çyrbja, 26 vjeç. Bëhet e ditur se të shtënat në mes të qytetit kanë krijuar frikë dhe panik tek qytetarët. Policia ka shkuar në vendngjarje dhe bëri të ditur se po punon për zbardhjen e saj.
Vrasjet dhe plagosjet me armë janë kthyer në ritual të përditshëm në të gjithë vendin. Vetëm ditën e hënë dhe të martë janë vrarë 4 persona, një në Vlorë, një në Poliçan dhe dy të vrarë e katër të plagosur në Shkodër. Në Dajç të Shkodrës ka ndodhur një masakër e vërtetë mbrëmjen e të hënës rreth orës 22:40 ku dy persona u vranë dhe 4 të tjerë u plagosën nga breshëritë e kallashnikovit. 33-vjeçari Miklovan Parubi, një i droguar që kishte humbur një lojë pokeri ka shtënë me breshëri në lokal, duke lënë të vdekur në vend 30-vjeçarin Gacalin Kopshti dhe 42-vjeçarin Arjet Saiti, megjithëse kishte pirë dhe kishte ndenjur në shoqërinë e tyre. Po kështu u plagosën Aleks Prendi 40 vjeç, Vinçens Kopshti 26 vjeç, Ndok Marku 35 vjeç dhe Kitas Molla 26 vjeç. Të plagosurit u dërguan me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Shkodrës, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Krimi është rritur frikshëm në të gjithë vendin. Gjatë tre viteve të qeverisë së “Rilindjes” jo vetëm që krimi është rritur së tepërmi, por jeta e qytetarëve është e pasigurtë. Vrasjet po bëhen të përditshme, ndërsa policia është e paaftë për të vendosur rendin dhe sigurinë. Po dhunohen e masakrohen përditë biznesmenë vendas dhe të huaj siç është rasti i biznesmenit libanezo-amerikan, Faadi Mitri, i cili u masakrua para disa ditësh dhe u la i shtrirë në mes të rrugës i mbuluar me gjak në rrugën e Aeroportit të Rinasit. Po ashtu, para disa ditësh është dhunuar edhe djali i këngëtarit Edmond Bregu nga persona ende të panjohur për policinë. Ngjarja ka ndodhur më 8 shtator, kur tre persona të panjohur kanë dhunuar barbarisht të riun Samuel Bregu. Ai ka qenë poshtë pallatit të tij në Yzberisht, kur papritur rreth orës 19:00 të mbrëmjes i janë afruar tre persona dhe e kanë goditur me grushta e sende të forta. Ngjarja është denoncuar në polici, por autorët nuk janë zbuluar ende.

Exit mobile version