Dy persona kanë humbur jetën në dy aksidente rrugore që ndodhën ditën e djeshme në Korçë dhe në Milot. Pasditen e djeshme, ndodhi një aksident në fshatin Bulgarec në rrugën Korçë-Pogradec. Një mjet tip “Nissan” i drejtuar nga shtetasi T.P, rreth 50 vjeç, banues në Korçë, ka aksidentuar për vdekje një shtetas tjetër rreth moshës 50 vjeç, ende i paidentifikuar, i cili e pati të pamundur t’i rezistonte plagëve të marra. Në vendin e ngjarjes është bërë arrestimi i drejtuesit të mjetit, i cili është shoqëruar në Komisariat nga forcat e policisë për të kryer veprimet e mëtejshme proceduriale. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
Një tjetër aksident me vdekje, ka ndodhur ditën e djeshme në aksin rrugor Milot-Rubik, në vendin e quajtur Fang në Mirditë. Policia bën me dije se, mjeti “Peugeot” me targa XA 16 DHL ka dalë nga rruga, duke u përmbysur. Për pasojë ka humbur jetën drejtuesi i mjetit, A. Sh. 45 vjeç, banues në Mirditë, si dhe është lënduar pasagjeri në mjet, i V.K. banues në Mirditë.
I plagosuri është dërguar në Spitalin e Traumes në Tiranë, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Nga hetimet paraprake, shkak dyshohet humbja e kontrollit të drejtimit të mjetit si pasojë e shpejtësisë tej normave të lejuara. Policia bën me dije se, grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë ndodhen në vendngjarje dhe po kryejnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.