Dybala drejt Realit

Paulo Dybala me shumë gjasa do t’i thotë lamtumirë Juventusit për t’iu bashkuar Realit të Madridit në verë. Lajmin e bëjnë të ditur mediat spanjolle, sipas të cilave sulmuesi argjentinas e ka ndarë mendjen për t’u larguar nga bardhezinjtë në përfundim të këtij sezoni. Ftohjen e 23-vjeçarit me klubin torinez e vërteton edhe mungesa e përshëndetjes me trajnerin Massimiliano Allegri pas zëvendësimit në ndeshjen e së dielës ndaj Sasuolos.
Ndërkohë, radioja “Cadena COPE” dje raportoi se dëshira e Dybala-së është të luajë në kampionatin spanjoll me Realin e Madridit. Këta të fundit e kanë rrugën të hapur për të transferuar lojtarë në merkaton e ardhshme pas lejes së marrë nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv.
Emri i sulmuesit të Juventusit përbën një lajtmotiv te mediave spanjolle. Disa herë kanë qarkulluar zëra, për një largim të mundshëm të argjentinasit në drejtim të kampionatit spanjoll. Një aventurë e re, që në fakt shihet me sy të mirë edhe nga vetë 23-vjeçari. Në takimin e fundjavës kundër Sasuolos, në momentin kur Dybala u zëvendësua, shmangu një shtrëngim duarsh me trajnerin Massimiliano Allegri, si shenjë mosdakordësie me vendimin e teknikut. Ky reagim duket se ka sjellë dhe krisjen e raportit mes palëve. Thuhet se ky veprim ka nxitur dëshirën e sulmuesit për t’u larguar. Madje, një gjë e tillë presupozohet të ndodhë në merkaton e muajit qershor.
Në Spanjë 2 janë skuadrat pretendente që janë gati të përfitojnë nga situata. Presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez, i cili si rrallë herë në merkaton e këtij klubi, nuk realizoi ndonjë blerje të bujshme për shkak të bllokimit nga FIFA, por kësaj here është i gatshëm t’i paraqesë drejtuesve të Juventusit një superofertë. Kandidati tjetër është Barcelona dhe personi që e dëshiron shumë në radhët e blaugranave Dybala-në është bashkëkombasi i tij, Lionel Messi. “Zonja e Vjetër” ndodhet në pozicion të vështirë. Rinovimi i kontratës është aty, duke pritur firmën e yllit argjentinas, Paolo Dybala. Firmë që ndoshta do të sjellë qetësinë te bardhezinjtë, por derisa një gjë e tillë të ndodhë, kampionët e Italisë janë në ankth, pasi kur përballë ke dy gjigantë të futbollit europian siç janë Reali i Madridit dhe Barcelona gjithçka mund të ndodhë.
Juventusi dominon çmimet e më të mirëve në futbollin italian për vitin 2016, në ceremoninë gala që u zhvillua mbrëmë në Milano. “Zonja e Vjetër” u vlerësua si skuadra më e mirë, Massimiliano Allegri mori trofeun e trajnerit të vitit kurse Leonardo Bonuçi u shpall lojtari më i mirë. Po ashtu, bardhezinjtë dominojnë edhe formacionin e vitit, me 6 nga 11 lojtarët e përzgjedhur.
Ky është ekipi më i mirë i 2016-s në Itali: Bufon; Bonuçi, Barzalji, Kielini, Kulibali; Pjaniç, Naingolan, Pogba; Hamshik, Dybala, Higuain. Ndërkohë, Nikola Ricoli u përzgjodh si arbitri më i mirë për herë të gjashtë në karrierë.

Exit mobile version