Mërgim Mavraj është lideri i ri i Hamburgut dhe për ta kuptuar më së miri këtë mjafton besimi që trajneri Markus Gisdol ka te mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare. Tekniku është gati t’i besojë futbollistit shqiptar një rol shumë të rëndësishëm, atë të kapitenit, për ndeshjen shumë delikate të javës së ardhshme ndaj Bajern Leverkusen.
Në atë ndeshje do të mungojë kapiteni i Hamburgut, Gotoku Sakai, i cili është i pezulluar për shkak kartonësh. Ndaj te Hamburgu po kërkohet një futbollist, i cili të marrë këtë detyrë për ndeshjen në fjalë. Normalisht, shiriti duhej t’i shkonte zëvendësit, Rene Adler, por portieri nuk luan që prej nëntorit në radhët e Hamburgut, ndaj kërkohet një tjetër alternativë.
Vetë Gisdol ka pranuar se Mavraj është një kandidat mëse i mundshëm për këtë rol të rëndësishëm te klubi, i cili lufton për mbijetesë. “Është edhe Mërgimi në garë”, ishin fjalët e tij dje para gazetarëve, të cilët ishin interesuar të dinin se kush do të mbante këtë detyrë.
Në fakt, që në momentin kur Hamburgu zyrtarizoi Mavrajn, drejtuesit e klubit bënë të ditur se i kishin dhënë shumë përgjegjësi futbollistit shqiptar. Ata presin prej tij që të udhëheqë me eksperiencë më të rinjtë për të nxjerrë Hamburgun nga zona e rrezikshme e klasifikimit dhe për të siguruar mbijetesën në Bundesligë.
Transferimi i Mërgim Mavrajt gjatë merkatos së janarit nga Kolni te Hamburgu, ndodhi vetëm për arsye financiare. 30-vjeçari do të përfitojë një pagë shumë më të mirë te klubi verior i Gjermanisë, por me objektiva të ndryshuara. Te Kolni luante për një vend në Kupat e Europës, ndërsa te Hamburgu parësore mbetet mbijetesa. Pikërisht falë eksperiencës që ka në elitën e futbollit gjerman drejtuesit e Hamburgut i besuan futbollistët shqiptar, i cili luajti titullar në dy ndeshjet e para të 2017-ës në Bundesligë.
Problemi sipas Mavrajt, nuk është te këmbët, por në kokën e futbollistëve të Hamburgut. Humbjet kanë ardhur si rezultat i shpërqendrimit në momente të veçanta të lojës dhe mungesës së vetëbesimit, pasi skuadra ka cilësi.