Dyshimet mbi ligjin për vetingun në polici

Kuvendi i Shqipërisë diskutoi në seancë plenare mbi projektligjin për vetingun e Policisë së Shtetit, i cili është marrë në shqyrtim me procedurë të përshpejtuar. Drafti në fjalë synon të bëjë vlerësimin e figurës, pasurisë dhe aftësive profesionale të rreth 13 mijë policëve.
Gjatë seancës parlamentare, deputeti Tritan Shehu u shpreh pro vetingut në polici, por ky ligj sipas tij, që është paraqitur në seancë nga Këshilli i Ministrave është i pamjaftueshëm për të zgjidhur problemet madhore. “Ky diskutim është i një rëndësie të veçantë, dhe për momentin dhe për problemet e mëdha që po kalon vendi sot, ku pa dyshim përballja me krimin dhe korrupsionin janë nga elementët thelbësorë, jo thjesht për rendin po si një luftë për mbijetesën e demokracisë dhe zhvillimit.

Krimi dhe korrupsioni janë kanceri i këtij vendi dhe nëqoftëse nuk luftohen e ardhmja e jonë dhe fëmijëve tanë do të jenë mjetet e dyshimtë. Flasim sot për Policinë e Shtetit, e cila në një vend demokratik ka funksione pluridimensionale dhe Shqipëria është një vend demokratik. Jo vetëm si shkatërrues, por edhe për rendin të tërësi qoftë dhe sociale, për rregullin si faktor edukues për qytetarin, si një faktor mbrojtës ndaj qytetarëve. Qytetarët duhet ta ndjejnë të tyren dhe kjo padyshim lidhet me besimin e madh që qytetari duhet të ketë tek policia, gjë kjo thelbësore për vendet tona për të përballuar sfidat e mëdha.
Por fatkeqësisht këto role janë goditur rëndë dhe nuk është ashtu si kërkohet. Sot Këshilli i Ministrave ka sjellë një ligj për të bërë disa ndryshime për vetingun dhe kontrollet e policisë. Unë nuk them që jo, nuk them që nuk duhen bërë. Por ky ligj dhe mënyra si i trajton ky ligj janë të pamjaftueshme për të zgjidhur problemet madhore, që kanë sot institucionet e policisë. Nga ana tjetër mënyra si është kompozuar krijon dyshime të mëdha në realizimin e këtij ligji. Dhe kjo lidhet me problemet e krijuara vitet e fundit me policinë, probleme të krijuara nga kjo qeveri”, tha Shehu.

Exit mobile version