Dzeko karikon Romën: Besojmë te titulli

Me 13 gola të realizuar në këtë sezon të Serisë A, Edin Dzeko është shndërruar papritur nga një lojtar i padëshiruar në liderin e ri të Romës. Trajneri Luciano Spalleti gjithmonë ka patur besim te aftësitë e bomberit boshnjak dhe Dzeko ia ka shpërblyer duke u kthyer në idhullin e ri të tifozëve të Romës. Pas 18 javëve të para të Serisë A, Roma pozicionohet në vendin e dytë të klasifikimit me 4 pikë më pak se Juventusi që ka dhe një ndeshje më shumë për të zhvilluar.
Megjithatë Dzeko nuk dorëzohet. 30-vjeçari ballkanas ka besim se kryeqytetasit mund ta parakalojnë skuadrën e Massimiliano Allegrit për t’u shpallur në fund të sezonit, kampionë të Italisë. “Ata janë të fortë, por gjithçka është e mundur pasi asgjë nuk ka përfunduar”. Edin Dzeko në fjalën e tij kërkoi dhe ndihmën e tifozëve sepse pa mbështetjen e tyre skuadra verdhekuqe e ka shumë më të vështirë për të arritur suksese të njëpasnjëshme. “Ne luajmë për tifozët dhe kur shikoj që stadiumi ynë nuk është plot, nuk më vjen mirë. Me Juventusin ndodh e kundërta, ata e kanë gjithmonë stadiumin të mbushur. Nëse edhe tifozët tanë do të ishin më të shumtë në shkallët e stadiumit gjithçka do të ishte më e lehtë për ne”, deklaroi Edin Dzeko.

Exit mobile version