Mançini mohon kontaktet me PSG

Në ditët e fundit emri i Roberto Mançinit është lidhur shumë me Paris Saint Germain-it. Unai Emery nuk i ka bindur drejtuesit e kampionëve të Francës gjatë kësaj periudhe dhe gjasat janë që në janar trajneri spanjoll të largohet nga “Parc des Princes”. Mediat franceze kanë përmendur pikërisht ish-trajnerin e Interit, Roberto Mançini si pasues të Emery te skuadra kryeqytetase, por tekniku nga Iesi në një intervistë ka mohuar kontaktet me Naser al-Khelaiffin duke deklaruar se nuk ka asgjë të vërtetë në lidhje me këtë çështje. “A jam në kontakte me drejtuesit e Paris Saint Germain? Nuk ka absolutisht asgjë konkrete. Madje as vetë personalisht nuk e kam me nxitim të ulem në stolin e një skuadre. Janë thjesht zëra, në futboll të tilla gjëra ndodhin shpesh sidomos kur bëhet fjalë për një trajner pa kontratë”, theksoi në fjalën e tij Roberto Mançini. 52-vjeçari gjithsesi nuk e përjashtoi një rikthim të tijin në futboll në vitin 2017. “E përsëris unë për momentin nuk jam në bisedime me asnjë klub, por shpresoj që 2017-ta të jetë një vit i bukur, të shohim se çfarë do të ndodhë”, nënvizoi Roberto Mançini.

Exit mobile version