E keni njohur Kosovën! Nervozohet Vuçiç: Nuk është thënë kurrë, nuk dua “Serbinë e Madhe”

Një intervistë jo e lehtë ka qene ajo për presidentin Aleksandër Vuçiç, i cili në disa raste është vënë në vështirësi nga gazetari i BBC Stephen Sackur ne programin “Hard Talk”.

Vuçiç nuk e fshehu dot nervozimin kur Sackur përmendi se Serbia ‘de facto’ e njeh Kosovën, pasi prej vitesh po dialogon me këtë vend për normalizimin e marrëdhënieve.

“Kjo nuk është e vërtetë. Nuk është thënë apo shkruar askund. Normalizimi do të thotë që ne të jetojmë në paqe, stabilitet, qetësi, të kemi qarkullim të lirë të mallrave, kapitalit, njerëzve, shërbimeve, të zhvillojmë ekonomitë tona, të fillojmë të diskutojmë çështje të ndryshme dhe të përpiqemi t’i zgjidhim ato”, u shpreh Vuçiç.

Sipas tij, paqja dhe stabiliteti në Kosovë janë çështje për ata që “hapën kutinë e Pandorës”. Gazetari i kujtoi Vuçiçit rininë si pjesëtar i partisë radikale serbe dhe përqafimin e ideologjisë së “Serbisë së Madhe” gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

“Nuk kam turp të them se kam ndryshuar”, tha Vuçiç, edhe pse shton se nuk dakordësohet me të sa i përket atyre që ishin përgjegjës për konfliktet apo gjakderdhjet në Ballkan.

Ai e cilësoi të pavërtetë pretendimin se po përpiqet të rikthejë Serbinë e Madhe, pas kuvendit gjithëserb gjatë verës.

“Kjo është një histori e fabrikuar e njerëzve që donin të dëmtonin Serbinë dhe interesat kombëtare serbe. Sepse po citoni diçka që e keni nxjerrë jashtë kontekstit. Deklarata thotë se ne mbështesim plotësisht marrëveshjes e paqes që u nënshkrua në vitin 1995. Unë gjithashtu kam thënë një mijë herë, dhe e përsëris tani, se ne mbështesim integritetin territorial të Bosnje dhe Hercegovinës”, tha Presidenti serb.

Vuçiçit ju desh të jepte llogari edhe për lidhjet e forta me Rusinë dhe faktin që nuk i bashkohet sanksioneve të BE-së, edhe pse aspiron të bëhet pjesë e bllokut. Serbia vendos vetëm, tha Vuçiç, që theksoi se ishte i ulur në një karrige dhe jo dy të tilla.

Exit mobile version