Nga Fitim Zekthi
Ka vite, por të paktën që nga viti i kaluar ky diskutim ka hyrë në një fazë tjetër, që imuniteti parlamentar bëhet çështje debati. Pavarësisht rastit konkret të arrestit shtëpiak të ish kryministrit Berisha kjo është një çështje me rëndësi shumë të madhe për mënyrën se si do të veprojë drejtësia në Shqipëri dhe për mënyrën se si ne si shoqëri do të shohim dhe kuptojmë politikën dhe qeverisjen. Rasti i Sali Berishës mund të shërbejë si mundësi e mrekullueshme për ta zgjidhur, dhe duket se Gjykata Kushteteuse e beri mirë dhe me themel këtë çështje që ti jepet vendi që i takon politkës, imunitetit politik dhe drejtësisë.
Shqipëria është një fazë kapërcyelli të fortë. Askush nuk e di me saktësi se çdo do të ndodhë me rrugën tonë politike. Askush nuk mund të thotë nëse do të fitojë sistemi politik i ngritur në 30 vite, sistemi i një aleance të biznesit klientelist, krimit të organizuar dhe politikanëve kryesorë dhe grupimeve të tyre apo do të fitojë lufta ndaj këtij sistemi. Askush nuk mund të thotë me siguri nëse do të dalë vendi nga “tranzicioni”, nga kultura e pandëshkueshmërisë dhe askush nuk mund të thotë se do të hyjmë në një fazë të re ku politika do të jetë një institucion që jep llogari dhe e fut vendin në një fazë të re të sundimit të ligjit. Shumëçka do të varet nga fati i drejtësisë, nga fati i prokurorisë speciale, nga lufta ndaj pandëshkueshmërisë që ka nisur.
Sistemi politik ka reaguar me egërsi ndaj drejtësisë dhe nisjes së ndëshkueshmërisë. Pika bazë është mospranimi i politikanëve të lartë të hetohen, është sulmi i ashpër i tyre me gjithçka se ata po hetohen politikisht. Imuniteti është një nga gjërat në qendër të këtij debati apo kësaj lufte. Sigurisht lufta ndaj drejtësisë që po arrin të godasë njerëz dhe subjekte të paprekshme në 34 vite është shumë më e gjerë dhe shumë më e egër se sa ajo që shfaqet me çështjen e imunitetit. Gjithsesi tek rasti i imunitetit drejtësia dha shenja të forta se gjërat nuk do të shkojnë në drejtimin e pushtetarëve të lartë dhe njerëzve të fuqishëm. Lufta për imunitet është në radhë të parë në interes të qeverisë dhe kryeministrit. Mjafton të shohim se si ai mbrojti me forcë dikur ish ministrin e brendshëm. Opinioni publik mund të jetë zhurmuar apo edhe helmuar nga propaganda mbi çështjen e imunitetit apo çështjen e gjasme anësisë politike të prokurorisë. Po si qëndron kjo çështje, çfarë është imuniteti dhe nga se i mbron ai deputetët?
Për të kuptuar më qartë këtë situatë po hyjmë në një rravgim pak më të gjerë mbi natyrën e imunitetit parlamentar dhe mbi arsyet e ekzistencës për të parë nëse kemi të bëjmë me thyerje të parimeve dhe arsyeve të ekzistencës së imunitetit parlamentar.
Imuniteti parlamentar ofron mbrojtje në dy drejtime për deputetët: njëra është mbrojtje nga hetimi, dënimi apo ndjekja penale për ato që ai thotë në diskutimet në parlament dhe tjetra është mbrojtja nga ndjekja, hetimi dhe arrestimi për një krim që ai ka kryer. Imuniteti parlamentar ndonëse njihet që në Romën e vjetër ku senatorët kishin një mbrojtje të posaçme rrënjët e tij i ka në traditën anglosaksone.
Në shekullin 14-të në Angli anëtarët e parlamentit ishin të lirë të flisnin dhe diskutonin në debatet parlamentare si të donin dhe ata nuk mund të merreshin në pyetje apo të niste një procedurë shkarkimi në një vend tjetër veç parlamentit. Në vitin 1689 kjo normë u përfshi në “Kartën e të Drejtave” në Angli. Ndërkohë Anglia ka një traditë të njohur edhe në mbrojtjen e deputetëve për një krim që ata mund ta kenë kryer e cila thotë se se deputetët “mbrohen nga arrestimi” në disa raste të veçanta.
Njëqind vjet pas Kartës së të Drejtave në Angli kjo traditë mori formë të shkruar në Kushtetutën e SHBA e cila thotë se “anëtarët e Kongresit janë të mbrojtur nga arrestimi – përveç rasteve të tradhtisë, krimeve serioze, dhe prishjes së paqes,- gjatë pjesëmarrjes në sesion në secilën nga dhomat (e përfaqësuesve apo senat) dhe gjatë në kongres apo kthimit për në shtëpi nga kongresi…” Pra anëtarët e kongresit mund të arrestohen pa leje të kongresit për akuzën e tradhtisë, atë të krimeve serioze (që përfshin vrasjet, vjedhjet me dhunë, përdhunimin etj) dhe thyerjen e paqes që mund të jetë nxitje për dhunë, prishje e rendit publik, demonstrata të paligjshme etj. Për akuza apo krime të tjera duhet leja nga kongresi.
Më e rëndësishme se sa renditja e krimeve për të cilat kryhet arrestimi pa leje apo me leje të kongresit është arsyeja doktrinare e këtij neni në kushtetutën e SHBA-së. Laurence Tribe, një konstitucionalist i njohur amerikan thotë se ky lloj imuniteti nuk i takon anëtarit të kongresit por institucionit. Në traditën anglosaksone, që në shekullin e 14-të, për të mos lejuar mbretin të pengojë mbledhjen e parlamentit duke urdhëruar gjykatat të arrestojnë deputetë, u pengua arrestimi i deputetëve kur ata janë nisur nga shtëpia e tyre për në parlament dhe në kthim për në shtëpi. Pra tradita anglosaksone mbron parlamentin nga mbreti, mbron mbledhjen e tij në seancë, mbron kuorumin e parlamentit nga prishja e këtij nga kuorumi nga mbreti me anë të arrestimit të deputetëve. Për këtë shkak edhe kushtetuta e SHBA-së thotë tekstualisht se “ndalohet arrestimi i kongresmenëve gjatë pjesëmarrjes në sesion dhe gjatë rrugës për në kongres apo kthimit në shtëpi, përveç rasteve të tradhtisë, krimeve serioze dhe thyerjes së paqes…” Kjo pasi mund të ndodhë që gjykata apo mbreti (qeveria, presidenti, guvernatori) arreston një, disa apo shumë deputetë sa për të prishur balancën parlamentare që aty të merret vendimi që ai do.
Të nesërmen deputeti mund të lirohet por vendimi në parlament u mor. Pikërisht për këtë shkak tradita anglosaksone i ka lënë parlamentit të drejtën që të japë leje për arrestim.
Veç traditës anglosaksone ka edhe një traditë tjetër të imuniteteve parlamentare. Është tradita e që buron nga Asambleja Kombëtare e Francës në vendimin e saj të 23 qershorit të vitit 1789 i cili thotë se “personi anëtar i asamblesë nuk mund të preket nga asgjë.” Bëhet fjalë për asamblenë që lindi në revolucionin e frikshëm dhe të poshtër jakobin, e cila me anë të këtij akti për imunitetin synonte të tregonte superioritetin e saj mbi organet e tjera të cilat nuk ishin ende revolucionare.
Gjithashtu akti kërkonte ti jepte mbrojtje të plotë anëtarëve të asamblesë në një kohë trazirash dhe dhune ekstreme. Europa dhe pas viteve 1990 Europa lindore dhe ajo qendrore kanë zgjedhur për arsye kulturore dhe historike modelin francez. Sigurisht që imuniteti sot në Europë nuk është ai i kohës së revolucionit jakobin por gjithsesi imuniteti ose mendësia e përdorimit të imunitetit është shumë më e fortë se sa në traditën anglosaksone.
Për të kuptuar se sa shumë ka ndryshuar koncepti mbi imunitetin në Europë po themi që parlamenti europian i hoqi imunitetin kryetares së partisë Fronti Kombëtar Marinë Le Pen pak vite pas një kërkesë të prokurorisë franceze. Prokuroria franceze nuk paraqiti prova në parlamentin europian por vetëm një kërkesë ku tha se Le Pen ka publikuar krime të mynxyrshme të ISIS në llogarinë e saj në Instagram dhe kjo u pa si nxitje e dhunës dhe ekstremizmit. Po ashtu parlamenti i Saksonisë në Gjermani i hoqi imunitetin drejtueses së partisë AFD Frauke Petry sepse ajo akuzohej se i kishte kërkuar një anëtari të partisë që të financojë partinë ndryshe nuk do të kandidonte. Edhe në këtë rast prokuroria nuk shkoi në parlament dhe të debatonte me deputetët për provat por paraqiti kërkesën.
Shqipëria e cila mori një nismë për të hequr imunitetin e deputetëve disa vite më parë zgjodhi variantin anglosakson duke i dhënë parlamentit vetëm të drejtën për të dhënë leje për arrestim, për kontroll personal dhe për kontroll banese. Pra, sot Shqipëria nuk lejon arrestimin e një deputeti (veç rasteve flagrante) duke e menduar këtë mbrojtje si mbrojtjen ndaj institucionit.
Ligji jonë thotë, me fjalë të tjera, se parlamenti nuk lejon arrestimin e deputetit kur kërcënohet vajtja e tij në mbledhje apo prania në seancë, kur kërcënohet mbarëvajtja e tij e seancës apo komisioneve, kur kërcënohet kuorumi. Pra, parlamenti nuk duhet ta lejojë prokurorinë dhe gjykatën të prishë balancën parlamentare apo vendimmarrjen e parlamentit. Nuk ka mbrojtje për deputetin. Pra nuk u hoq asnjë imunitet në fakt. Në rastin tonë, në Shqipëri, masa e marrë nga SPAK apo nga GjKKO, më herët dhe nga Gjykata Kushteteuse pak ditë më parë, nuk prek fare funksionimin e parlamentit, të mbledhjeve të tij, të kuorumit të tij. Pra, parë në një kënd të djathtë, në një kënd konservator në rastin tonë nuk kemi asnjë lloj shkelje të parimeve themelore të së drejtës. Parë në një kënd tjetër, në një kënd të vlerave të revolucionit francez kemi të bëjmë me shkelje të parimeve themelore të së drejtës.