Edhe Kosova çkodon Sky Ecc! Arrestohen 22 persona, shpërndanin drogë në mbarë vendin

Të martën, pas disa muajsh hetime intensive, u zhvillua një operacion i madh anti-drogë me emrin “Qielli i Thyer”, i cili u realizua në bazë të një urdhri nga Gjykata Themelore në Prishtinë, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë Speciale, aksioni është fryt i bashkëpunimit të ngushtë dhe të koordinuar ndërmjet kësaj prokurorie dhe Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, dhe ka çuar në goditjen e një grupi të strukturuar kriminal që merrej me trafik droge dhe pastrim parash.

Gjatë operacionit, i cili u shtri në disa qytete të Kosovës përfshirë Prishtinën, Prizrenin, Pejën dhe Gjilanin, u arrestuan 22 persona të dyshuar për përfshirje në veprat penale “krim i organizuar”, trafik droge dhe pastrim parash. Dyshohet se ata kanë komunikuar përmes aplikacionit të koduar “SkyECC”, që përdoret shpesh nga rrjetet kriminale.

Operacioni u zhvillua në 47 lokacione të ndryshme dhe përfshiu mbi 600 efektivë të Policisë së Kosovës. Gjatë bastisjeve u sekuestruan një sasi e madhe provash, përfshirë lëndë narkotike, 129 automjete, rreth 135 mijë euro para të gatshme, 20.040 franga zvicerane, 490 dollarë amerikanë, 13 mijë euro të falsifikuara, 9 orë luksoze, 36 armë të ndryshme, rreth 1500 fishekë, pajisje për paketimin e drogës si dhe dokumentacion elektronik, shkruajnë mediat e Kosovës.

Gjithashtu, u bllokuan pasuri të tundshme dhe të patundshme, përfshirë ngrirjen e llogarive bankare me vlerë 400 mijë euro dhe ndalimin e përdorimit të pronave të të dyshuarve. Operacioni “Qielli i Thyer” është mbështetur nga autoritetet belge dhe holandeze, si dhe nga Europol, ndërsa është drejtuar nga një prokuror i Prokurorisë Speciale, i cili ka qenë i pranishëm gjatë gjithë zbatimit të urdhrave të kontrollit.

Kjo ndërhyrje e thellë është pjesë e një hetimi të gjatë dhe të detajuar që synon të godasë rrënjësisht rrjetet e krimit të organizuar që veprojnë në Kosovë dhe rajon. Institucionet e drejtësisë dhe forcat e rendit kanë siguruar qytetarët se do të vazhdojnë me vendosmëri luftën kundër çdo aktiviteti kriminal, duke garantuar që askush që shkel ligjin nuk do t’i shpëtojë ndëshkimit.

Exit mobile version