Në kujtim të Nebil Çikës/ Myzafer Elezi përkujton publicistin e njohur që ndëroi jetë dy vite më parë

“Një zë i vërtetë nuk shuhet kurrë”.
Në kujtim të mikut tim, Nebil Çika (1965–2023)

Nga Myzafer Elezi

Sot e ndjej më shumë mungesën e një miku që nuk ishte vetëm gazetar, por një njeri me integritet të rrallë, me kurajë të pashoqe dhe me një pasion të pashtershëm për të vërtetën.

Nebil Çika, për mua dhe për shumë të tjerë, nuk ishte vetëm kronikani i dhimbjeve të së kaluarës, ai ishte kujtesa që nuk u lodh kurrë së kërkuari drejtësi. Ishte një zë që nuk u përkul, as kur fjala e lirë goditej, as kur e vërteta rrezikohej nga harresa.

Ai jetoi me mision, të dëshmonte. Të dokumentonte. Të mos lejonte që krimet e diktaturës të fshiheshin nën pluhurin e kompromiseve. Dhe këtë e bëri me guxim, pa e llogaritur koston personale.

E kam njohur si njeri të qetë në pamje, por të fuqishëm në fjalë dhe të patundur në bindje. Si mik, ishte i drejtë dhe i sinqertë. Si qytetar, i angazhuar dhe i ndershëm. Si gazetar, i pakompromis. Ai jetoi për ata që nuk mundën të flasin, dhe bëri që zërat e tyre të dëgjoheshin.

Sot, në mungesën e tij fizike, ne miqtë e tij kemi detyrimin ta mbajmë gjallë kujtimin e tij, të mbrojmë çka ai mbrojti, dhe të vazhdojmë rrugën që ai ndërtoi me penë, pasion dhe përkushtim.

Pusho në paqe, Nebil.
Fjala jote jeton.

Exit mobile version