Edi Rama e sulmon drejtësinë (edhe) kur ‘e mbështet’ atë

Nga Namir Lapardhaja

Edi Rama ka deklaruar sërish se pa vullnetin e PS-së, SHBA dhe BE s’do ta kishin bërë Reformën në Drejtësi.

Në fakt, në kushtet ku ndodhet sot qeveria, me shumë çështje të hapura, disa të finalizuara, disa në hetim dhe të tjera që pritet të hetohen, kjo deklaratë është një shtrëngim i fortë nofullash. Madje, për këtë rast, populli ynë ka një shprehje që thotë se kur të vë ‘dorën’ Kadiu nuk ke kujt t’i ankohesh.

Dhe meqenëse nuk ke kujt t’i qahesh, atëherë ‘mbështet’ drejtësinë për ta delegjitimuar atë dhe për t’i dhënë të drejtë atyre që e akuzojnë SPAK-un dhe GJKKO-në se janë nën dirigjimin e Edi Ramës dhe të PS-së.

Që Rama dhe PS kanë pasur vullnet për Reformën në Drejtësi është dukur në shkopinjtë ndër rrota që i kanë futur dhe vjojnë t’i fusin këto kohë, nëpërmjet të ashtuquajturit Komision Antikorrupsion, duke i reduktuar me 1 milionë euro mbështetjen financiare apo duke klithur në mbledhjet e PS-së kundër ‘Republikës së Prokurorëve’ që po na gjykojnë shokët me pa të drejtë. Ashtu sikurse është dukur kur Rama deklaronte se nuk kemi çfarë të bëjmë, sepse na e kërkon Amerika dhe BE, apo kur detyroi ambasadoren e SHBA, Yuri Kim, të hidhte tej kostumin e diplomates dhe t’ia bente në mbledhjen e KLP-së për të mos lejuar të preferuarin e qeverisë për t’u zgjedhur në krye të SPAK.

Por edhe Rama, ashtu si Veliaj që dikur i quajti ‘kolegë’ prokurorët e SPAK-ut dhe që sot shfryn lart e poshtë se ‘kështu është kur të vënë në krye për të bërë drejtësi një katunar nga Shupenza e Dibrës’, nuk do ta ketë të largët ditën kur shtrëngimi i nofullave nuk do t’i mbajë më dhe goja do t’i nxjerr atë që i mendon vërtet truri.

Exit mobile version