Në vazhdën e propozimeve dhe kërkesave për përfshirjen në projekt-buxhetin e vitit 2025 të shqetësimeve të komunitetit, Anëtari i Kryesisë së PD-Demokratët Euroatlantikë, njëkohësisht këshilltar i kësaj force në Këshillin Bashkiak Vlorë, Myzafer Elezi, ka adresuar një tjetër propozim që lidhet me infrastrukturën rrugore të lënë më harresë në qytetin e Vlorës.
“Në përgjigje të shqetësimeve të përsëritura të qytetarëve të Vlorës, si përfaqësues i opozitës dhe me cilësinë e nënkryetarit të Këshillit Bashkiak, i kam paraqitur zyrtarisht një kërkesë kryetarit të Bashkisë Vlorë. Kjo kërkesë synon përfshirjen në projekt-buxhetin e vitit 2025 të disa projekteve prioritare që adresojnë nevoja urgjente infrastrukturore.” – shkruan Elezi në profilin e tij në rrjetin social facebook.
Më poshtë reagimi i plotë:
Të nderuar qytetarë të Vlorës,
Në përgjigje të shqetësimeve të përsëritura të qytetarëve të Vlorës, si përfaqësues i opozitës dhe me cilësinë e nënkryetarit të Këshillit Bashkiak, i kam paraqitur zyrtarisht një kërkesë kryetarit të Bashkisë Vlorë. Kjo kërkesë synon përfshirjen në projekt-buxhetin e vitit 2025 të disa projekteve prioritare që adresojnë nevoja urgjente infrastrukturore.
Propozimet për investime janë konkrete:
1. Rehabilitimi i rrugës “Dervish Hekali”, Lagjja “Kushtrim”, Rajoni nr. 5
Rruga, me gjatësi rreth 300 metra, ndodhet në një gjendje të rënduar infrastrukturore, me kanalizime të papërshtatshme, mungesë ndriçimi dhe sipërfaqe të dëmtuar. Problemet e saj pengojnë lëvizjen e banorëve dhe dëmtojnë aktivitetin e disa bizneseve në zonë. Kërkohet ndërhyrje për:
– Ndërtimin e kanalizimeve.
– Shtrimin dhe asfaltimin e rrugës.
– Instalimin e ndriçimit publik.
2. Krijimi i një këndi rekreativ në lagjen “24 Maji”, rruga “Gani Bejkosala”
Hapësirat publike janë thelbësore për cilësinë e jetës së qytetarëve. Propozoj krijimin e një këndi rekreativ, që të përfshijë:
– Kënd lojërash për fëmijë.
– Stola dhe zona të përshtatshme për të moshuarit.
3. Rehabilitimi i rrugës “Pano Bixhili”, Lagjja “Kushtrim”, Rajoni nr. 5
Rruga është e paasfaltuar dhe gropa-gropa, pa kanalizime dhe pa ndriçim publik. Kërkohet ndërhyrje për:
– Ndërtimin e kanalizimeve.
– Shtrimin dhe asfaltimin e rrugës.
– Instalimin e ndriçimit publik.
Këshilltarët e opozitës janë çdo ditë në terren dhe të angazhuar për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve në gjithë territorin e Bashkisë Vlorë.
Pamjet e mëposhtme pasqyrojnë një realitet të dhimbshëm dhe tronditës për një qytet me potencial si Vlora. Ato janë dëshmi reale të gjendjes së mjerueshme të infrastrukturës në lagjen “Kushtrim”, brenda zonës urbane të qytetit. Është e papranueshme që në fund të vitit 2024 të kemi ende një infrastrukturë në kushte kaq të rënda, që prek drejtpërdrejt cilësinë e jetës së qytetarëve dhe pengon zhvillimin e zonave të prekura.
Këto pamje duhet të shërbejnë si alarm për ndërhyrje urgjente. Nuk mund të qëndrojmë indiferentë ndaj këtyre problemeve, ndaj e ndjej detyrim të ngre zërin dhe të kërkoj veprime konkrete për zgjidhjen e tyre.
Ju falënderoj për besimin dhe për ndarjen e problemeve tuaja me ne. Angazhimi për qytetin është prioriteti ynë.
Me respekt,
Myzafer ELEZI
Nënkryetar i Këshillit Bashkiak