Edi Rama i shërben krimit, Balili ende i lirë

“Me Edi Ramën, krimi ka mbrojtjen dhe mbështetjen qeveritare”, ka deklaruar kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në Partinë Demokratike, z.Enkelejd Alibeaj. Ai ka dalë me një deklaratë ditën e hënë dhe ka paraqitur gjendjen e rëndë të krimit në Shqipëri. Jetojmë në një vend ku çdo ditë flitet për baronë të drogës të lidhur me pushtetin, për ngarkesa droge me tonelata që kalojnë kufijtë e Shqipërisë, për viktima për të cilët nuk kryhet asnjë hetim dhe nga ana tjetër për “Eskobarë”, që nuk arrestohen nga policia. Zoti Alibeaj ka thënë se, ka një urdhër arresti ndërkombëtar prej 9 muaj për Klement Balilin dhe ky urdhër nuk është zbatuar ende. Në të njëjtën kohë zoti Alibeaj ka shprehur sigurinë se vetëm pas fitores së Partisë Demokratike qeveria do të vihet në shërbim të qytetarit dhe ligji do të godasë fort krimin.
“Klement Balili është ende i lirë, ka vazhduar Alibeaj, dhe i pa shqetësuar nga Policia. Shteti i Edi Ramës godet të pambrojturit si Estrefin 22-vjeçar që vrau veten nga depresioni në burg, pasi ishte arrestuar për 1 cigare hashash të dyshuar. Eskobari i Ballkanit nuk arrestohet, sepse ka mbrojtjen e Edi Ramës dhe lëviz i lirë”. Dihet se deri tani e vetmja arsye që policia ka nxjerrë për vetëvrasjen që ndodhi në Burgun e Rrogozhinës ka qenë gjendja depresive. Përgjigja më e thjeshtë për të mbuluar shkaqet e vërteta dhe për të shmangur hetimin. Megjithëse organet e rendit mbajnë përgjegjësi për jetën e të ndaluarve. Në çdo vend tjetër ku ligji vepron në mbrojtje të jetëve njerëzore ministri Tahiri do të ndodhej në bankën e të akuzuarve, por në Shqipëri ata që akuzohen për krime dhe trafiqe janë ata që bëjnë ligjin dhe qeverisin. Për këtë arsye, zoti Alibeaj ka përmendur edhe rastin e lirimit të kryesocialistit të Peqinit që ka qenë nën hetim për vrasjen e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj ku i implikuar është edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. “Prej muajit gusht, ka thënë ai, Edi Rama nuk dorëzon as kryesocialistin e Peqinit, Edurim Teqja, i cili po hetohet për vrasjen e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës. Edhe ai i pashqetësuar, madje merr pjesë në inaugurimet qeveritare, sepse ka mbrojtjen politike të Edi Ramës”. Sipas Partisë Demokratike gjithë struktura shtetërore është vënë në shërbim të krimit dhe është pozicionuar kundër qytetarëve të pafajshëm që nga kushtet e mjerimi detyrohen të veprojnë në vështirësi thjesht për të mbijetuar. Ndërkohë që, qeveritarët majmen përmes bosëve të drogës dhe korrupsionit. “Me Edi Ramën, përfundon deklaratën kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në Partinë Demokratike, krimi ka garancinë për t’i shpëtuar ligjit, për t’i ikur policisë. Me Edi Ramën, shteti është inkriminuar, duke u kthyer në shërbyes të trafikantëve të drogës. Çdo ditë që Edi Rama qëndron në pushtet është një ditë e keqe për ne dhe të ardhmen tonë. Le ta ndalim së bashku këtë të keqe. Le ta vëmë qeverinë në shërbim të njerëzve”.

Redin Hafizi

Exit mobile version