Nga Namir Lapardhaja
E vetmja gjë që di të bëjë më mirë Edi Rama është të tallet me shqiptarët dhe të poshtërojë opozitën.
Qëndrimi i gjatë në kolltuk, të qenurit të portës përballë pa portier dhe komoditeti ekonomik dhe politik që i ka shkaktuar pushteti i gjatë, e bëjnë atë të pandjeshëm dhe larg të kuptuarit të realitetit se për çfarë kanë nevojë shqiptarët sot.
Në një kohë që shqiptarët duan bukë, ai i qeras me kulla. Kur shqiptarët duan shpresë, ai u kujton se ka plot tajlandezë që mund t’i zëvendësojnë.
Kur njerëzit duan rend dhe siguri, ai nxjerr tellallët të thonë se këto që ndodhin në Shqipëri nëpër botë bëhen filma.
Ndonëse është kryeministri me qeverisjen më të korruptuar në këto 34 vite pluralizëm, ai sërish flet për projekte antikorrupsion, në një kohë që gjysmën e bashkëpunëtorëve e ka në burg, ndërsa një pjesë të atyre që delegoi si drejtues qarqesh, i ka kandidat për SPAK.
Por nuk është vetëm kjo.
Pasi e keqpërdori opozitën, duke i dhënë vulën dhe logon një personi të shpallur “non grata” dhe të izoluar ndërkombëtarisht, pasi e përdori për të votuar amnistinë penale dhe për të liruar të korruptuarit, pasi e përdori për të mbyllur listat dhe për të mbajtur fort kryetarokracinë, e poshtëroi sot duke i treguar kufirin minimal të votave që do të marrë në zgjedhjet e ardhshme.
Dhe nuk është se do të marrë aq, se Rama e ka “shkruar”, por do të marrë aq sepse atje të çon logjika dhe analiza politike. Si për të mos mjaftuar vetëm kjo, ndërkohë që i la PD së Berishës dobiçin e listave të mbyllura, vetë dhe bashkëpunëtorët e tij, njoftoi se do të kandidojnë te listat e hapura.
Pra, u tregoi shqiptarëve se përballë një organizate të pashpresë që hallin e vetëm ka se ku do kandidojnë e ku do renditen disa individë me kontribute vetëm për “mbrojtjen e Berishës”, ai dhe të tijët kanë ‘sfida’ të tjera me veten. Paradoksalisht, rotacioni është bërë në radhët e pushtetit, duke i dhënë një lyerje me bojë godinës së ndryshkur nga korrupsioni dhe aferat e mëdha, ndërkohë që ata që zyrtarisht janë përballë janë të paaftë edhe për të reflektuar edhe për të ndryshuar.
Ndaj shqiptarët kanë nevojë për një alternativë përtej Ramës, Berishës dhe Metës.
Kanë nevojë për një front të përbashkët, që t’u kthejë qytetarëve shpresën dhe besimin.
Në të kundërtën, Rama do ta kafshojë këtë opozitë sikur të kishte një kafshatë në vaktin e sillës.