Qëndrimi i qeverisë osmane ndaj shtetit të ri shqiptar

Nga dr. Hasan Bello

Artikulli “Shqipëria dhe shqiptarët” i botuar në gazetën e partisë xhonturke “Tanin” më 14 tetor 1913, na jep të dhëna të qarta lidhur me qëndrimin e qeverisë osmane ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Megjithatë ky organ nuk përfaqësonte të gjith spektrin e mendimit politik të Perandorisë Osmane. Përveç partisë “Bashkim dhe Përparim” në këtë periudhë kishte edhe parti të tjera, të cilat kishin alternativat e tyre lidhur me të ardhmen politike të shtetit të ri shqiptar. Por, gjithësesi ky artikull shpalos qartë se si perceptohej pavarësia e Shqipërisë, si projektoheshin marrëdhëniet dhe aleancat politiko-diplomatike midis dy shteteve në të ardhmen. Pjesën dërrmuese të këtyre tezave i kemi analizuar në monografinë “Marrëdhëniet shqiptaro-turke 1912-1939” botuar nga Instituti i Historisë në vitin 2015.
* * *
“Shqipëria dhe shqiptarët”

Shqipëria po përpëlitet midis turbullirave, ndërsa anarkia sundon në të gjitha brigjet e Maqedonisë. Grupi i Vlorës, që e quan veten qeveri të përkohshme, u ngjan fëmijëve që lozin për të plotësuar dëshirën e tyre. Esat Pashai që kish hyrë në të si ministër i Luftës, ndjek qëllime më të mëdha. U tha se ai është treguar si partizan i një administrimi autonom të Shqipërisë nën sovranitetin otoman dhe se kish ngritur flamurin otoman.

Mungesa e lajmeve nga Shqipëria bën që ne të mos jemi plotësisht në dijeni për atë që po ndodh atje. Megjithatë, po të krahasohen informatat serioze të dhëna nga ata që vijnë nga Shqipëria me hollësitë e botuara nga korrespondetët e Evropës, mund të arrihet në një ide lidhur me gjendjen shpirtërore të Shqipërisë.

Korrespondenti i “Temps-it” në Shkodër deklaron se marrja e Adrianopojës ka shkaktuar një përshtypje të thellë tek shqiptarët myslimanë, të cilët presin arritjen e Enver beut brenda pesë ditësh, kërkojnë padishahun e tyre, halifin e tyre, babain e tyre dhe ankohen për pavarsinë e Shipërisë. Nëse është e vërtetë që Esat Pasha e paska ngritur flamurin otoman, kjo do të thotë se ai ka dashur të përfitojë nga kjo gjëndje shpirtërore dhe të bëjë për vete partizanë.

Natyrisht ne nuk mund të qëndrojmë indiferentë përpara ndjenjave të dashurisë për ne, pas shkëputjes së Shqipërisë nga atdheu otoman, me anën e tradhëtisë së një pjese të shqiptarëve. Dy popuj që kanë pasur kaq shumë kujtime të përbashkëta në të kaluarën, që kanë marrë pjesë bashkërisht në fatkeqësitë dhe fitoret e kaluara, nuk mund ta harrojnë kurrë njëri-tjetrin, cilëtdo qofshin tradhëtarët që kanë hyrë në mes tyre. Shqipëria do t’i ndjejë përsëri shumë thellë dhe sinqerisht lidhjet historike që e bashkojnë me otomanizmin kur e rrethuar nga armiqtë nga të gjitha anët do ta shikojë veten në rrezik që të zhduket. Megjithatë le të flasim haptas; sot ekziston një fakt i kryer që nuk mund të ndreqet. Do të ishte një ëndërr e kotë dhe e parealizueshme përpjekja për t’u kthyer në të kaluarën. Derisa vazhdonte turbullira ballkanike, në disa ambjente të Evropës pati partizanë për një Shqipëri autonome nën sovranitetin otoman. Ne jemi të kënaqur që kjo ide nuk qe pranuar nga kabinetet e Evropës. Pas ngjarjeve që u shtjelluan, pas ndryshimeve që iu bënë hartës së Rumelisë, lidhja imagjinare që do ta bashkonte Shqipërinë me otomanizmin, nuk do të kishte ndonjë kuptim tjetër përveç atë të një barre tepër të rëndë për ne. Frika për ta ruajtur Shqipërinë, do ta paralizonte politikën tonë të jashtme dhe fakti që duhet ndihmuar ekonomikisht ky vend i varfër, do të vazhdonte të peshonte mbi buxhetin tonë. Ne do të përpiqeshim t’i ushqenim ata që nuk gjejnë me se të ushqehen në krahinat malore të territoreve turke.

Qeveria otomane nuk mund ta pranojë këtë zgjidhje. Sipas nesh, Shqipëria dhe shqiptarët nuk mund të jenë më për ne veçse “mallra eksportimi”. Ne i duam shumë, ne dëshirojmë nxehtësisht që ata të qetësohen, që ata të përparojnë. Ne nuk qëndrojmë indiferentë ndaj rreziqeve që u kërcënohen, ne i përkrahim. Ne i bëjmë të gjitha këto me kusht që ata të jenë larg nesh, që ata të qëndrojnë në Shqipëri dhe që ne të mos ngatërrohemi në vendin tonë me asnjë fjalë, me asnjë kërkesë në emër të kombit shqiptar. Ne kemi shqiptar që kanë dhënë prej shumë kohësh prova për dashurinë besnike të një turku të vërtetë ndaj otomanizmit; këta mund të jetojnë në vendin tonë duke i gëzuar gjithë të drejtat tona. Por, asnjëri nuk mund të vazhdojë të qëndrojë këtu me cilësinë e shqiptarit. Shqiptarët i përkasin Shqipërisë. Ky është kuptimi i shprehjes sonë “mall eksportimi’’.

Sa për Shqipërinë, ne dëshirojmë që një qeveri myslimane shqiptare të formohet në Ballkan, në mënyrë të tillë që ajo të mund të jetojë. Ne duam që ky shtet shqiptar musliman të përparojë, të bëhet çdo ditë e më i fortë. Ne do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për ngritjen morale të Shqipërisë.

Pikërisht sepse po thellohemi në këtë mënyrë, përleshjet midis shqiptarëve dhe serbëve e tërheqin vëmëndjen tonë. Në qoftë se Serbët mendojnë t’i përdorin këto ngjarje për t’i dërrmuar shqiptarët dhe për ta kaluar kufirin shqiptar, është e nevojshme që protesimet e Portës së Lartë të jenë në radhën e parë bashkë me ato që do të bëhen për mbrojtjen e të drejtave të shqipërisë.

Exit mobile version