Roma ndjek e vetme Juventusin. Verdhekuqtë fituan 1-0 sfidën direkte me Milanin duke qenë të vetëm në vendin e dytë në klasifikim. Një sukses i vuajtur për formacionin e Spallettit pas një ndeshje ku Milani mund të kishte marrë diçka më shumë nëse nuk do të kishte qenë për një 11-metërsh të humbur të Niangut në pjesën e parë. Roma në ndryshim nga Milani këtë përballje mëse të ekuilibruar pati meritën se e zgjidhi atëherë kur ishte e nevojshme me Naingolanin që shënoi një gol të madh për një ndeshje të madhe në minutën e 62-të. Me këtë fitore Roma ruan diferencën prej katër pikësh me Juventusin kryesues, ndërsa Milani pavarësisht humbjes tregon se nuk është rastësisht në të tilla pozita në klasifikim, por i mungon ndoshta ende përvoja e duhur e lojtarëve të saj për të zgjidhur të tilla ndeshje të mëdha në momente kyçe.
Në takimin tjetër, Fiorentina iu afrua zonës europiane me fitoren e dytë radhazi pasi mundi 2-1 në shtëpi Sassuolon. Skuadra vjollcë ju fal Kalinicit që realizoi dy herë në pjesën e parë për ekipin vjollcë. Në pjesën e dytë Sassuolo shkurtoi diferencën me Acerbin, por 3 pikët gjithsesi në fund shkuan për Fiorentinën.
Ndërkohë, Interi është ringritur pas disfatës së rëndë në Napoli. Skuadra e Stefano Piolit tregon muskujt në përballjen e “San Siros” kundër Genoas duke fituar 2-0 në një ndeshje ku diferencën e bëri cinizmi i skuadrës zikaltër. Ishte Marcelo Brozovic njeriu i ndeshjes me dy golat që vendosën drejtësi në stadiumin milanez, ku Genoa shpërdoroi shumë përballë Interit të lëkundur në fraksione të ndryshme të ndeshjes. Takimi nisi menjëherë në sulm për Genoan që mori kontrollin e lojës dhe rastin e parë të vërtetë e krijoi në të 19-ën me Darko Lazovic, i cili kaloi portierin, por jo mbrojtësit zikaltër. Sërish Genoa 7 minuta më vonë me Lucas Ocampos që vuri në provë Samir Handanovic. Në momentin më të mirë të miqve, Interi doli në skenë me një goditje kirurgjikale të Brozovic nga jashtë zonës. Kroati u tregua i ftohtë në finalizim duke mos i dhënë asnjë mundësi portierit Perin.
I njëjti skenar edhe me rikthimin e skuadrave në fushën e lojës. Genoa më këmbëngulëse iu afrua golit të barazimit në minutën e 53, por sërish Handanovic në rolin e heroit ndali Darko Lazovic. Në krahun tjetër, kundërsulmi i shpejtë i zikaltërve shpërbleu skuadrën e Piolit me një tjetër gol që erdhi sërish nga këmbët e mesfushorit kroat, të cilit trajneri italian i besoi një rol titullari në këtë ndeshje.
Gol që shuajti shpresat e skuadrës ligure, e cila humbi kontrollin dhe rrezikoi të pësonte të tretin 11 minuta nga fundit pasi Miranda nga një distancë e afërt nuk arriti t’i jepte fuqi goditjes me kokë. 120 sekonda më vonë ishte radha e Nagatomos për të provuar goditjen e nokdaunit, por pa ia dalë mbanë. Fitorja ndaj Genoas e ngjit Interin në vendin e 8 me 24 pikë, ende shumë larg zonës Champions që është edhe objektivi i zikaltërve këtë sezon.