Mërgim Mavraj sërish në formacionin më të mirë të javës në Bundesligën gjermane. Vijon forma fantastike e mbrojtësit të kombëtares shqiptare, i cili gjatë këtij sezoni është shndërruar në liderin e padiskutueshëm të prapavijës së Kolnit. Në sfidën e javës së 14-t ndaj Borussias së Dortmundit në “Rhein Energie Stadion”, takim i cili përfundoi në barazim 1-1, Mavraj bëri një paraqitje mbresëlënëse duke u treguar i sigurtë në çdo ndërhyrje të tij gjatë gjithë 90 minutëshit dhe nëse nuk do të ishte për atë gol të realizuar nga Marco Reus në fund, Kolni falë edhe 30-vjeçarit shqiptar do të kishte arritur një fitore shumë të rëndësishme.
Mavraj është përfshirë nga rrjeti televiziv gjerman “ARD” në 11-shen më të mirë të javës së 14-t përkrah emrave të rëndësishëm si Arjen Robben, Thomas Muller e Robert Lewandowski. Në seksionin e saj dedikuar sportit, “ARD” arsyeton edhe faktin se përse mbrojtësi shqiptar është pjesë e formacionit më të mirë të javës. “Mavraj ka patur një rol të rëndësishëm duke bërë që sulmuesi kryesor i Dortmundit dhe golashënuesi më i mirë i kampionatit Pierre Emerick Aubameyang ta godiste vetëm 1 herë portën në këtë sezon dhe kjo ndodhi pikërisht në ndeshjen ndaj Koln-it. 30-vjeçari ka arritur të fitojë të gjitha duelet me kundërshtarët dhe ka qenë një nga lojtarët më të kompletuar në fushë për Koln-in”, shkruan rrjeti televiz gjerman për performancën e Mërgim Mavrajt.