Ekspertët: Ligji i ri shkatërron zonat e mbrojtura pa asnjë kufi

Organizatat e shoqërisë civile që veprojnë në fushën e mjedisit si dhe ekspertë dhe përfaqësues të shquar të botës akademike shprehen kundër mendimit dhe propozimeve të paraqitura nga Këshilli i Ministrave, pas ndryshimeve të kërkuara nga 12 deputetë të maxhorancës në ligjin “Për zonat e mbrojtura”.

“Nëse me parlamentin kishim shiun, tani kemi breshërin. Pra, nga shiu, në breshër. Përfituesi më i madh është Këshilli Kombëtar i Territorit, i cili rrëmben gjithë pushtetet dhe politikat në zonat e mbrojtura. Projektligji, nuk vendos më asnjë kufi ndaj veprimtarive shkatërruese. Pra, këtu vetëm qielli është kufiri”, – tha Taulant Bino, president i Shoqatës Ornitologjike të Shqipërisë.

Gjatë konferencës për shtyp, ata kërkuan publikimin e draftit nga ana e parlamentit, pasi aktualisht ai iu është dërguar vetëm deputetëve, ndërsa shtuan se kanë kërkuar edhe ndërhyrjen e institucioneve të Bashkimit Evropian, si dhe konventave ndërkombëtare.

“Patjetër, kemi vënë në dijeni edhe koneventat ndërkombëtare: Konventën e Bernës, por edhe Unionin Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës dhe ata kanë shprehur shqetësimin”, – tha Olsi Nika, drejtor ekzekutiv i organizatës EcoAlbania.

“Kemi patur takime të ndryshme ku kemi kërkuar ndërhyrjen e Komisionit Europian, në përputhje me të gjitha direktivat që preken, në përputhje me të gjithë rrjetin e zonave të mbrojtura të Shqipërisë, që përmban brenda tij edhe rrjetin EMERALD, rrjetin e ardhshëm Natyra 2000. Përveç kësaj ka iniciativa për kontakte me Parlamentin Europian, që do të thotë që qëndrimi ndaj integrimit të Shqipërisë ka për të qenë shumë kritik”, – thotë Bino.

Ndërkaq, sipas ekspertit Zef Preçi përpara ndryshimeve, është domosdoshmëri kryerja e një analize të detajuar të legjilacionit aktual.

“Ndërhyrjet që propozohen, pa iu nënshtruar një filtrimi se ku ka çaluar kuadri ligjor i derisotëm dhe njëkohësisht duke u larguar nga aktet ndërkombëtare në të cilat Shqipëria është pjesë dhe nga kuadri ligjor që ka miratuar mbi këtë bazë krijojnë terren për të forcuar pandëshkueshëmrinë dhe për të zhbërë në tërësinë e tyre zonat e mbrojtura. Pra, do të kemi një tip zonash të mbrojtura model shqiptar, por kurrsesi nuk do të kemi atë që vendi është shprehur në masterplane, strategji zhvillimore, etj.”, – thotë eksperti i ekonomisë, Zef Preçi.

Projektligji i propozuar nga deputetët e Partisë Socialiste ishte parashikuar të miratohej në seancën parlamentare të datës 15 shkurt, por më pas u hoq nga rendi i ditës.

Exit mobile version