Juria e Çmimit Kadare u mblodh këtë të premte për të përzgjedhur pesë autorët finalistë. Emra të spikatur me krijimtarinë e tyre përballen për çmimin më prestigjoz që jepet sot në letërsinë shqipe. Fundjavën e ardhshme do të shpallet në Llogara autori fitues.
Tregime dhe romane nga autorë të njohur për publikun dhe emra të rinj që kanë debutuar me sukses rrugëtimin e tyre në letërsinë shqiptare. Antonio Çikollari, Dionis Prifti, Granit Zela, Grigor Jovani dhe Luljeta Dano janë pesë autorët që shkojnë në finalen e Çmimit Kadare. Siç është krijuar tradita, emri i fituesit do të bëhet i ditur në Llogara fundjavën e fundit të shkurtit, e në muajt e ardhshëm do të zhvillohet promovimi i librit të ri.
Mbështetur në misionin e krijimit të këtij çmimi 10 vjet më parë, juria e këtij edicioni ndoqi të njëjtat kritere vlerësimi, për të mbështetur autorët e rinj, që shkruajnë shqip dhe sjellin një vlerë të re në letërsinë tonë.
Nën drejtimin e tregimtarit dhe përkthyesit Nasi Lera, juria e përbërë nga shkrimtari Gazmend Krasniqi, studiuesi Ermir Nika, dramaturgu Armand Bora dhe përkthyesja e gazetarja Suadela Balliu, juria ka lexuar, vlerësuar e përzgjedhur hap pas hapi të gjitha dorëshkrimet e ardhura në adresën online të Çmimit Kadare, përgjatë një muaji, 15 dhjetor- 15 janar. Në fund të muajit të kaluar u nxorën 10 dorëshkrimet më të mira, nga 32 të tilla. Duke kaluar nën syrin e kujdesshëm e profesional të secilit prej anëtarëve, ata kanë përzgjedhur 5 vepra për t’i çuar në finale, duke specifikuar çdo element apo vlerë që mbart secila prej tyre.
Sipas autorit Nasi Lera, pavarësisht se kush do të shpallet fitues, Çmimi Kadare do të mbetet për autorin si një pikë referimi dhe realizim i një ëndrre.
Çmimi Kadare jepet për prozën më të mirë shqipe, pa pasur kufizime gjeografike, moshe, eksperience apo gjinie. Gjithmonë ka qenë i hapur për të gjithë, emra të njohur e të panjohur dhe fituesit kanë qenë nga Shqipëria e diaspora.
Dy vitet e fundit trofeu është rrëmbyer nga autoret gra, Vera Bekteshi me romanin “Pusulla të Verdha” dhe Nurie Emrullai me “Duhet të jetë dashuri”. Më herët këtë çmim e kanë marrë Gani Mehmetaj, Loer Kume, Virgjil Muçi, Musa Ramadani, Shkëlqim Muçi dhe Rudolf Marku.
I gjithë projekti çmimit Kadare kap shifrën e 10 mijë eurove, ku krahas vlerësimit monetar për fituesin, Instituti Liberal Pashko dhe shtëpia botuese UET PRESS botojnë dorëshkrimin fitues dhe e përcjellin tek audiencat dhe lexuesit përmes tureve promovuese, bisedave të hapura, panaireve të librave, kronikave në medie, etj.
Veprat konkurruese
1. Antonio Çikollari- “Tregime” (Tregime)
2. Dionis Prifti- “Dy javë nën balonë” (Roman)
3. Granit Zela- “Përmbytja” (Roman)
4. Grigor Jovani- “Klinika” (Tregime)
5. Luljeta Dano- “Njohja” (Roman)
Bio e shkurtër e pesë finalistëve
Antonio Çikollari
Diplomuar në master shkencor për Teori dhe kritikë letrare në Universitetin e Tiranës, Antonio Çikollari është punonjës në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë dhe pedagog i jashtëm në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë. Ka sjellë në shqip disa autorë të njohur.
Ka përkthyer romanin “Katër librat” të Yan Lianke, “Gjinj dhe vezë” të autores japoneze Mieko Kawakami, tregimet me titull “Gungaçi” të Roberto Arlt. Po ashtu ka përkthyer dy librat e novelistit dhe poetit spanjoll Migel de Unamuno, “Abel Sançez, një histori pasioni” dhe “Tre romane shembullorë dhe një prolog”. Është lëvrues i tregimeve dhe mjaft prezent me recenca në periodikët letrarë.
Dionis Prifi
I diplomuar në Informatikë Ekonomike, i punësuar si Programues Softueri, Dionis Prifti është një i ri i pasionuar pas artit dhe letërsisë. Eksperimenton me artin në përgjithësi dhe me stilin e të shkruarit në veçanti, duke bërë shpesh pjesë të tregimeve elementë te reales dhe surreales. Në 2021 fitoi “Fondin për mbështetjen e krijimtarisë letrare për të rinj” nga QKLL duke botuar kështu librin e parë me tregime “Bar Sahara”.
Ka qenë fitues në konkurse të ndryshme kombëtare, siç ishte Festivali Letrar për të Rinj, Edicioni i Katërt, në vitin 2018. Në vitin 2013 mori çmimin e parë për tregime të shkurtra në Festivalin Ndërkombëtar Prokult, Podujevë, Kosovë.
Gjatë fëmijërisë ka qenë aktor në dy filma me metrazh të gjatë dhe ka luajtur pjesë të tjera teatrore. Skenari i shkruar prej tij në vitin 2014, u përzgjodh dhe u kthye në një film të shkurtër në Sarajevë, Bosnje-Hercegovinë, organizuar nga shkollat e artit në Ballkan dhe Programi Tempus i Bashkimit Europian.
Granit Zela
Është poet, shkrimtar, eseist dhe përkthyes. Ka lindur më 1979 në Bushat të Kukësit. Është diplomuar për studime britanike dhe amerikane, si dhe për gjuhë e letërsi shqipe. Studimet e doktoraturës i ka finalizuar me një studim mbi poetikën e postmodernizmit në veprën e shkrimtarit amerikan Donald Barthelme.
Ka punuar si pedagog i gjuhës angleze në Tiranë gjatë viteve 2001-2018, në Akademinë e Mbrojtjes dhe më pas si asistent profesor i gjuhës angleze në Departamentin e Arteve Liberale, Universiteti Amerikan i Lindjes së Mesme në Kuvajt, deri në 2021.
Ka një fond të pasur botimesh dhe përkthimesh. Është autor i vëllimit me poezi “Apokalips” (2001), “Në studion time hermetike” (2003), “Fjala altar” (2011), librit me tregime “Vdekje me dëshirë”, (2002), romanit “Dodona” (2006). Ka botuar dy libra me ese, “Shkronjat e errësirës (2008), “Psherëtimë për banalitetin (2011), si dhe studimin “Politika e jashtme amerikane pas Luftës së Ftohtë: 1990-2009”, (2013). Libri me tregime “Secili shkruan tregimin e vet” (2021) është botimi i tij më i fundit.
Është përkthyes i mbi 25 librave në gjuhën shqipe, ndër të cilët romanet e William Faulkner-it, “Dritë e gushtit”, (2017), “Duke dhënë shpirt”, (2019), të romaneve të John Updike “Lepur, vrapo”, (2020), “Lepuri kthehet”, (2021), “Lepuri është i pasur” (2022), si dhe i autorit Morgan Housel me “Psikologjia e Parasë”.
Grigor Jovani
Shkrimtar dhe gazetar i njohur. Ka lindur në Jorgucat të Gjirokastrës më 1959 dhe është rritur nëLaç. Studimet i ka mbaruar në Universitetin e Tiranës për Filologji. Pas dy viteve punë si mësues letërsie në Mirditë dhe Krujë, është specializuar dhe ka punuar si gazetar.
Në 1991 emigroi drejt Athinës me familjen ku është marrë me shtypin e emigracionit. Ka qenë në kohë të ndryshme kryeredaktor në gazetat “Zëri i emigrantit”, “Rilindja XXI”, “Tribuna”, në revistën “Pelegrini” dhe drejtor i gazetës “Albaneës” dhe më pas mori drejtimin e revistës letrare dhe artistike “Pegasi”.
Shkruan poezi dhe prozë, si edhe përkthen letërsi të huaj në shqip. Ka botuar vëllimet me poezi “Botë pa dashuri” (1977), “Punishtja e ëndrrave” (2004), “Udhëtoj brenda vetes” (2008), “Blu e thellë” (2012), “Vreshtat e Dionisit” (2015). Bashkëpunon me median shqiptare dhe greke, si edhe me shtypin shqiptar të diasporës.
Luljeta Dano
Shkrimtare, koleksioniste dhe Drejtore e Qendrës Antropologjike “Xhubleta”. Luljeta Dano është e njohur për publikun shqiptar si kontribuese në kulturë me përfshirjen e saj në futjen e Xhubletës në UNESCO. Është botuese e disa veprave letrare që zënë fill pas viteve ’90.
Autore e librave me poezi “Lodër e dashurisë” (1990), “Zoti Do dhe zonja Re”(2000), “Moti” (2000), “Nusja e kthyer” (2000), “Sipas flokëve të plakave. Muzikë në makinë”(1994), libër me poezi që përfshin disa tregime, si dhe “Xhindet në kodrën e Jakovit” (2000), libër me tregime. Në 2007 ka sjellë “Perëndesha Athina dhe simbole të tjera kozmogonike”, duke mos u ndarë nga pasioni i hershëm poezia, me përmbledhjen poetike “Nëntë Trojat”, i cili fitoi çmimin letrar “Lasgush Poradeci”.
Ka eksploruar gjininë romanit me veprën “Casa-Casino” në 2016, si dhe ka botuar për fëmijë librin “Në shpellën e Kreshnikëve”. Në 2021 botoi një hulumtim me titull “Gjuha e Simboleve te Xhubleta”.