Ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Artan Cuku është qëlluar pas shpine dhe në kokë me 4 plumba nga dy persona, ndërsa Cuku nuk ka qëlluar me armë zjarri ndaj vrasësve të tij. Në këtë konkluzion ka arritur grupi hetimor pas marrjes së përgjigjes së ekspertizës të kryer në duart e ish-zyrtarit të lartë. Nga ekzaminimet shkencore nuk janë gjetur mbetje baruti, të cilat ngelën në dorë në rastet e qitjeve. Gjurmë të tilla janë konstatuar vetëm në vendet, ku ai ka patur plagë.
Sipas ekspertëve mjeko-ligjorë, Artan Cuku është qëlluar me 4 plumba, 1 pas shpine, 2 në kokë dhe 1 në anën e djathtë. Në vendin e ngjarjes janë gjetur 7 gëzhoja, 5 të kalibrit 7.65 milimetër dhe 2 të kalibrit 9 milimetër.
Përgjigjet e ekspertizës shkencore kanë hedhur poshtë versionin e deritanishëm të policisë, sipas të cilit, Cuku i ishte përgjigjur me armë atentatorit dhe ka shtuar dyshimet se kanë qenë dy persona që kanë qëlluar mbi 42-vjeçarin. Në vendin e ngjarjes, policia nuk gjeti asnjë nga armët e përdorura në atentat.
Të afërm të viktimës kanë treguar në polici se ai nuk mbante armë, pasi nuk ndihej i kërcënuar.
Bashkëshortja e ish-¬komisarit Artan Cuku të vrarë të shtunën në mbrëmje në Tiranë thotë se nuk i ka parë vrasësit, pasi ka qenë në shtëpi në atë moment. E marrë në pyetje për këtë ngjarje nga grupi hetimor i ngritur për zbardhjen e ngjarjes në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe në Policinë e Shtetit, ajo nuk ka treguar shumë për autorin, apo autorët e mundshëm, pasi nuk ka mundur t’i shohë, sepse ka qenë në shtëpi në momentin që ka ndodhur vrasja.
Në dëshminë e saj para efektivëve, ajo ka treguar se, “Tani nuk mbante armë prej 2 vitesh, as në brez as në makinë”. Teksa ka treguar edhe se si e ka mësuar lajmin për vdekjen e të shoqit, tha se kishte dëgjuar krisma.
“Dëgjova krismat dhe thirrjet poshtë. U nisa të zbres dhe jam kthyer, se kisha fëmijët vetëm. Por kam zbritur pas pak sekondash dhe e kam gjetur Tanin të vdekur”, ka thënë ajo.
Banorë të pallatit dhe të bizneseve aty pranë kanë dëshmuar në polici se, kanë parë dy persona të dyshimtë para vrasjes së ish-zyrtarit të lartë të policisë. Grupi hetimor dyshon se ata mund të kenë qenë vrasës me pagesë.
Prokuroria e Krimeve të Rënda po heton në dy pista për vrasjen e ish-drejtorit të Policisë, Artan Cuku. “Vrasja për shkak të detyrës dhe konfliktet e mundshme pas largimit nga Policia e Shtetit, janë dy pistat kryesore”, bëri të dituar Prokuroria. Bëhet e ditur se, Prokuroria ka nisur verifikimin e të gjitha ngjarjeve të rënda, ku ish-drejtuesi Cuku është përfshirë si gjatë ushtrimit të detyrës në polici ashtu edhe pas largimit nga organizata e forcave të rendit.
Një nga pistat kryesore ku Prokuroria po heton për vrasjen e ish-drejtuesit Cuku, është ajo për shkak të punës që kryente në Drejtorinë e Policisë në Vlorë. Ku me iniciativën e tij, Cuku ka rihapur dosjen e disa ngjarjeve të rënda në Vlorë, mes tyre edhe atë të ndodhur në vendin e quajtur si “Pusi i Mezinit”.
Policia deklaroi pas ngjarjes se, vrasja mund të ketë ndodhur për hakmarrje, pasi në vitin 2005, kur Cuku ishte shef i Komisariatit Nr.4 në Tiranë u vetëvra në zyrën e tij Agim Daka. Policia e Shkodrës i shoqëroi dy vëllezërit e Dakës e më pas ata u sollën në Tiranë, ku u morën në pyetje nisur nga dyshimet se, ekzekutimi i ish-zyrtarit të policisë mund të ketë ndodhur për hakmarrje.
Dy vëllezërit e viktimës janë lënë të lirë, pasi kanë mohuar të kenë lidhje me ngjarjen, duke deklaruar se çështjen e vëllait e kanë sqaruar vite më parë. “Nuk kemi asnjë lidhje me vrasjen. Me komisarin e kemi mbyllur këtë punë që kur vdiq vëllai”, kanë deklaruar ata. Përveç kësaj, të dy vëllezërit kanë pasur alibi, pasi në kohën e ekzekutimit të Cukut ndodheshin në Shkodër.
Babai i dy vwllezwrve, Prelë Daka ka deklaruar për mediat se me komisar Artan Cukun janë pajtuar sipas kanunit pas vdekjes së të birit.
“S’kemi lidhje me vrasjen e Artan Cukut. E kemi mbyllur atë çështje dhe jemi pajtuar sipas kanunit. Artan Cuku ka bërë be në xhami se djali im Agim Daka është vetëvrarë dhe unë dhe familja ime e kemi besuar. Nuk kemi asnjë lidhje me vrasjen e Artan Cukut, sepse e kemi mbyllur shumë vite më parë”, ka deklaruar ai.
Administratori i pallatit ku jetonte ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Artan Cuku ka deklaruar se ka parë një djalë të ri para vrasjes. “Para se të ndodhte ngjarja kam parë një djalë të ri te shkallët. Ishte elegant i veshur me të zeza dhe me kasketë (kapele) në kokë. E pashë që po qëndronte aty dhe e pyeta se çfarë kërkonte. Ishte me telefon në dorë dhe ishte duke shkruar dhe e mbante kokën poshtë. Më tha, po pres të më sjellin çelësin. Nuk munda ta shoh në fytyrë. Më pas unë u largova. Pas disa minutash dëgjova të shtëna dhe mora vesh çfarë kishte ndodhur”, ka thënë administratori i pallatit në polici.
R.POLISI