12 tonelatat e drogës të Tahirit e Cenollarit

12 tonelatat e drogës që u zbuluan nga Prokuroria në një magazinë në Përmet ishin të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe mikut të tij, Krenar Cenollari. Denoncimi është bërë nga një oficer policie, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha. Në një postim në Facebook, Berisha shkruan se, 12 tonelata drogë në magazinën e Përmetit ishin malli i Saje qorrit dhe Krenar Cenollarit!
“Oficeri Dixhital denoncon: 12 tonelata drogë që u gjetën në magazinën shtetërore në një fshat të Përmetit i përkasin Saje qorrit dhe Krenar Cenollarit! Më poshtë keni mesazhin e tij!”, shkruan Berisha në një postim në rrjetin social, Facebook.
“Përshëndetje Doktor. Jam oficer policie, desha t’iu informoj se droga 12 tonë e kapur në Përmet është e Saimir Tahirit dhe Krenar Cenollarit, ish-kryetar i Minibashkisë Nr.6 në Kombinat, miku më i ngushtë i Saimir Tahirit me origjinë nga Përmeti, i cili ka bërë shumë emërime në Polici në Tiranë dhe Përmet. Bashkëpunëtor mendohet djali i hallës së Krenarit, i cili quhet Gentian Alizoti, i cili është arrestuar në 2012 për trafik droge në Gjirokastër, aktualisht është banor i Kombinatit. Krenar Cenollari i ka shtëpitë afër me Sajmirin. Policia jo që nuk e ka zbuluar, por e kishte në ruajtje këtë magazinë të drogës. Eshtë Prokuroria, ajo mbi bazën e informacioneve të dërguara nga qytetarët që bëri të mundur kapjen e drogës në këtë magazinë. Por kjo është magazina vetëm e një fshati, sepse fshatrat e tjera e kanë të fshehur drogën në magazinat e tyre dhe tunele të ushtrisë. Me respekt të veçantë…”, shkruan oficeri i policisë.
Magazina ishte objekt shtetëror dhe prej 3 muajsh, në kohën kur Tahiri ishte ministër i Brendshëm, ajo shërbente si pikë grumbullimi lëndësh narkotike. Magazina ruhej me policë të armatosur dhe nuk lejohej askush që të afrohej. Policia ka ndërhyrë pas kërkesës së Prokurorisë për sasinë e madhe të drogës në magazinë, por operacioni policor është dekonspiruar, pasi nuk u gjet asnjë nga trafikantët dhe punëtorët në magazinë.
Burimet nga organi i akuzës bëjnë të ditur se, droga e grumbulluar në magazinë në fshatin Pagri të Përmetit është bërë me dijeninë e drejtuesve të policisë. Policia e Përmetit kishte deklaruar para një muaji, se kjo magazinë ishte kontrolluar nga forcat policore dhe ka rezultuar se nuk kishte drogë, por në fakt nuk është ushtruar kontroll, pasi grupi hetimor ka arritur të zbulojë se droga në këtë magazinë ruhej prej tre muajsh. Edhe banorët e zonës kanë deklaruar para hetuesve se prej tre muajsh shikonin njerëz të armatosur që ruanin magazinën dhe nuk lejonin njeri që të afrohej aty.
Gjykata e Përmetit dha dje masën e sigurisë “arrest me burg” për dy personat e arrestuar lidhur me sasinë prej 11.6 ton kanabis të gjetur në një prej ish-depove të shtetit në fshatin Pagri të Përmetit. Përveç Rustem Muçellit, 51 vjeç dhe Eqerem Alit, 60 vjeç, administratori të magazinës dhe kryeplakut. Gjykata ka dhënë masën e arretit me burg edhe për 61-vjeçarin Ismail Saliu, i cili është shpallur në kërkim.
Sipas hetimeve, këta persona e kishin në përdorim depon ku u gjet droga, për të magazinuar ushqim për bagëtitë e tyre. Burime nga Prokuroria bënë të ditur se kjo dosje i ka kaluar për kompetencë Krimeve të Rënda, në Tiranë. Hetuesit kanë dyshime se në këtë rast kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal. Grupi merrej me mbjelljen, kultivimin, grumbullimin dhe më pas trafikimin e lëndës narkotike.
Banorët e fshatit Pagri kanë dëshmuar para grupit hetimor se nuk i njihnin personat që punonin në magazina dhe se nuk ishin vendas. Sipas tyre, ata nuk lejoheshin të afroheshin, pasi ambientet ruheshin nga persona të armatosur.
Prokuroria ka dyshime se operacioni u dekonspirua dhe për këtë ka nisur një hetim. Pas zbulimit të sasisë së drogës, janë marrë masa ndaj disa zyrtarëve të Policisë së Përmetit e Gjirokastrës.

Droga ruhej nga policia, por asnjë polic i arrestuar

11.6 tonët e drogës në magazinën e Përmetit ruheshin prej 3 muajsh nga policia, por asnjë zyrtar dhe efektiv policie nuk është arrestuar. Banorët e zonës kanë deklaruar para hetuesve se prej tre muajsh shikonin njerëz të armatosur që ruanin magazinën. Vetëm pas ndërhyrjes së Prokurorisë u bë e mundur zbulimi dhe sekuestrimi i drogës, ndërsa në pranga ka përfunduar administratori i magazinës dhe kryeplaku, ndërsa zyrtarët e policisë që lejuan magazinimin e drogës dhe policët që e ruanin atë nuk janë arrestuar.
Për këtë ngjarje, drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako bëri të ditur se shkarkoi disa efektivë policie, por asnjëri prej tyre nuk u dërgua për ndjekje penale. Një specialist i komisariatit të Përmetit u përjashtua nga policia. Shefi i Komisariatit dhe shefi i Krimeve u shkarkuan. Ndërsa ndaj drejtorit të Policisë së Gjirokastrës, nëndrejtorit dhe 3 drejtuesve të tjerë ka nisur një procedim disiplinor. Deri tani, ata nuk kanë dhënë dëshmi të vlefshme për identifikimin e trafikantëve.
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafa është vënë në mbrojtje të policëve trafikantë të drogës. Xhafa nuk lejon arrestimin e policëve, sepse ka frikë se ata tregojnë emrin e ish-ministrit Tahiri si pronar i 12 tonëve të drogës së magazinuar gati për t’u trafikuar jashtë shtetit.
Vetëm pas kërkesës së Prokurorisë, Policia ka ndërhyrë, duke sekuestruar drogën që ishte gati për t’u trafikuar jashtë shtetit. Kanabisi është gjetur e futur në disa thasë që ishte gati për t’u trafikuar dhe kapte një vlerë prej 12 milionë eurosh.
Një javë më parë, Prokuroria zbuloi mbi 2 ton drogë në një tunel ushtrie në fshatin Rreth-Bazë të Matit. Burime nga Prokuroria bënë të ditur se, droga e gjetur në tunelin e ushtrisë ruhej nga policia dhe lënda narkotike ishte bërë gati për t‘u trafikuar jashtë shtetit. Edhe në këtë rast, droga ruhej nga forcat policore me dijeninë e krerëve të lartë të policisë. Edhe në këtë rast, nuk u arrestua asnjë zyrtar dhe efektiv policie.

Karteli i drogës në Xibrakë, nis procesi ndaj nipit të diktatorit Hoxha

Gjykata e Krimeve të Rënda pas më shumë se 11 muajve zhbllokoi procesin gjyqësor ndaj 10 të pandehurve të akuzuar për ngritjen e laboratorit të kokainës në Xibrakë. Togat e zeza, pasi nuk pranuan gjykimin e shkurtuar për 10 të pandehurit, kërkesë për të cilën ishte dakord përfaqësuesi i akuzës, u përballën me kërkesa të ndryshme proceduriale nga avokatët, deri edhe te përjashtimi  i trupës gjykuese. Por, duke parë se këto kërkesa u rrëzuan nga gjyqtarët e tjerë të këtij institucioni, avokatët dhe të pandehurit pas 11 muajve zvarritje vendosën të paraqiten në sallën e gjyqit për të vazhduar seancat gjyqësore.
Gjykata e ndodhur në kushtet kur palët ishin prezent, i dha fjalën prokurorit të lexojë kërkesën për gjykim ndaj 10 të pandehurve të akuzuar për përpunim dhe trafikim të kokainës. Prokurori, lexoi në mënyrë kronologjike ngjarjen, provat e fiksuar aty dhe rolet e gjithsecilit në këtë proces. Për të provuar akuzën e Prokurorisë, këta të fundit i kërkuan Gjykatës thirrjen dhe pyetjen e 24 dëshmitarëve të ndryshëm, kërkesë që u pranua nga pesë gjyqtarët e çështjes.
Sipas akuzës, të 10 të dyshuarit mes tyre edhe dy shtetas kolumbianë, akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin ndërtuar një laborator të drogave të forta në Xibrakë të Elbasanit. Aty përpunohej solucioni i sjellë nga Kolumbia nga ku nxirrej ekstrakti i kokainës që më pas trafikohej drejt vendeve të BE-së. Për hetimin dhe arrestimin e tyre, Prokuroria për Krime të Rënda është iniciuar nga autoritetet e drejtësisë gjermane që kishin transkiptuar disa biseda telefonike, ku flitej për një linjë të fuqishme të trafikut të drogave të forta.
Laboratori gjigant i përpunimit dhe prodhimit të kokainës në fshatin Xibrakë të Elbasanit, u zbulua më 14 janar të vitit 2015, falë hetimeve të kryera prej disa muajsh nga Interpol dhe Europol. Gjatë operacionit të drejtuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, u sekuestruan 100 kg kokainë e pastër si dhe 4 tonë përzierës kokaine si dhe përfunduan në pranga 13 persona, 11 shqiptarë dhe dy kolumbianë që ndodheshin në laborator në momentin e aksionit.
Gjatë operacionit u arrestuan shtetasit Ermal Hoxha, nipi i diktatorit Hoxha, Saimir Batku, banues në Tiranë, Gentian Gjonaj, banues në Elbasan, Arjan Dalipi, banues në Elbasan, Ilir Hyseni, Klement Dalipi, banues në Elbasan dhe shtetasit kolumbianë Cesar Avila dhe Walser Moreno. Operacioni antidrogë u inicua nga shërbimet e posaçme të huaja si Interpol dhe Europol, pasi një shqiptar i arrestuar disa muaj më parë në Gjermani, pranoi të bashkëpunojë me drejtësinë e këtij shteti. Ai ka treguar të dhëna për personat e përfshirë në prodhimin e lëndëve narkotike, të cilët më pas janë vënë në përgjim dhe janë kapur në flagrancë, ndërsa përpunonin drogën. Gjatë hetimeve u zbulua se kjo bandë kishte transportuar një sasi të konsiderueshme kokaine drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Trafiku i drogës, “Arrest me burg” për dy italianët skafistë

Dy italianët e arrestuar me cilësinë e skafistëve, mohuan akuzat para Gjykatës, duke pretenduar se kishin ardhur për turizëm në Shqipëri. Ata mohuan pronësinë edhe të skafit, duke e cilësuar veten të pafajshëm. Por Prokuroria tha se dy italianët u arrestuan në pyllin e Gjirit të Lalzit ku ishin fshehur në pritje të bashkëpunëtorëve për t’i ngarkuar drogën në skafin e sekuestruar disa metra larg tyre.
“Arrest me burg”, i caktoi masën e sigurisë Gjykata e Krimeve të Rënda dy shtetasve italianë, Gianfranco Maiorano dhe Donato Carluçi, me rolin e skafistëve. Para gjyqtarit Dritan Hallunaj, dy italianët që dolën veçmas nga njëri-tjetri në sallën e gjyqit, nuk pranuan akuzën e trafikut të drogës.
Ata i thanë Gjykatës se nuk kishin lidhje me trafikun e drogës dhe as me skafin e bllokuar në zonën e Gjirit të Lalzit. Sipas tyre, në Shqipëri kishin ardhur për turizëm nga pika e kalimit kufitar të Muriqanit, por që nuk i kishte regjistruar policia, pasi nuk punonte sistemi TIMS. Sa i përket arrestimit të tyre në pyllin e Gjirit të Lalzit, dy italianët thanë se kishin dalë për të vëzhguar plazhin.
Por këtë pretendim e kundërshtoi Prokuroria në sallën e gjyqit. Sipas akuzës, italianët me porosi të Eduart Sallakut, tashmë i arrestuar, kanë ankoruar në plazhin e Gjirit të Lalzit me skafin e tyre për të marrë një sasi prej rreth 600 kg hashash. Por, për shkak se policia ishte pikasur nga trafikantët, është ndërhyrë për arrestimin e tyre. Dy italianët, Gianfranco Maiorano dhe Donato Carluçi meqenëse ishin nisur nga brigjet italiane dhe nuk kishin dijeni për arrestimin e bashkëpunëtorëve në Shqipëri, kanë ankoruar në breg në orën e caktuar më parë në pritje të mallit për t’u ngarkuar. Në këtë kohë, policia ka ndërhyrë, duke i arrestuar edhe dy italianët disa metra larg skafit të tyre, me të cilin kishin ardhur nga Italia.
Si pjesë e këtij rrjeti të drejtuar nga Eduart Sallaku, janë arrestuar edhe 4 persona të tjerë në rolet e bashkëpunëtorëve. Për zbardhjen me detaje të këtij rrjeti, mësohet se ka bashkëpunuar i dyshuari Lazër Lazri, i cili është lënë i lirë për shkak të statusit të bashkëpunëtorit të drejtësisë.

R.POLISI

Exit mobile version