Importet e lëndëve të para për industrinë fasone kanë pësuar ulje për tremujorin e parë të 2016 krahasuar me vitin e kaluar, duke paralajmëruar një ecuri më të moderuar të eksportit për këtë industri gjatë periudhës në vijim. Sipas të dhënave nga doganat në tremujorin e parë të vitit importi në regjim të përpunimit aktiv arriti në 22,9 miliardë lekë nga 23.2 miliardë lekë që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke pësuar një ulje me 1.2 për qind. Ekspertët e Bankës së Shqipërisë kanë pohuar se importet e destinuar të regjimit të përpunimit aktiv janë një sinjalizim i parë për ecurinë e eksporteve të mëvonshme në industrinë fason. Lënda e parë për industrinë fason pa një rritje të shpejtë në vitin 2014, me zgjerim mbi 35 për qind krahasuar me vitin 2013. Sakaq pjesëtarë të tregut në parashikimet e tyre për këtë vit nuk janë treguar shumë optimistë. Rritja e taksave, çmimit të energjisë elektrike dhe ikja e krahut të kualifikuar të punës në emigracion ka përkeqësuar klimën e biznesit në industrinë fasone. Flamur Hoxha, administrator i kompanisë “Kler” dhe Donika Mici nga kompania “Doniana”, dy kompani që kanë realizuar ciklin e mbyllur e shohin të vështitë këtë vit. Eksportet e sektorit në maksimumin e tyre do të zgjerohen nga 6-10 për qind parashikojnë ata. Eksportet e tekstileve e këpucëve u rritën me 5%, në gati 90 miliardë lekë për vitin 2015, duke u bërë grupi më i madh i eksportuar në vend, me 37% të totalit (një vit më parë kryesonin lëndët djegëse dhe energjia me 34% të totalit). Ndonëse ky grup e ka marrë vetëm në gjysmën e dytë të vitit, pas rënies në muajt e parë të vitit dhe ka qenë pozitiv në muajt e parë të 2016-ës, sërish ai mbetet larg rritjeve dyshifrore që u panë në 2014-ën.