Francesko Tottit shumë shpejt mund t’i ofrohet rinovimi i kontratës. Drejtori i përgjithshëm i Romës, Baldissoni deklaroi pas përfundimit të takimit me Napolin, se shumë shpejt Presidenti i verdhekuqve James Pallota dhe kapiteni i saj do të japin një njoftim shumë të rëndësishëm mbi të ardhmen e Tottit. E reja qëndron në faktin, se njoftimi mund të jetë diçka krejt ndryshe nga çka pritej deri përpara disa ditëve. Kontrata aktuale që ka Totti përfundon më 30 qershor dhe presidenti i Romës po mendon t’i ofrojë sulmuesit rinovimin edhe me 1 vit.
Pas përfundimit të takimit me Napolin, Francesko Totti u pa teksa largohej nga ambjentet e stadiumit “Olimpico” i qetë dhe i buzëqeshur, në krah të tij qëndronte dhe bashkëshortja Illary së bashku me fëmijët. Kapiteni do të niset këto ditë për në Boston, për t’u takuar me Alex Zecca, i cili është krahu i djathtë i presidentit Pallota. Gjatë kësaj jave drejtuesit e verdhekuqve do të nisin dhe fushatën e abonimeve për sezonin e ri të Serisë A dhe ndoshta do të vijë dhe lajmi i shumëpritur nga tifozët e skuadrës kryeqytetase, ai i rinovimit të kontratës për kapitenin legjendar.
Në Angli janë të sigurtë, Radja Nainggolan sezonin e ardhshëm do të jetë një futbollist i Chelsea-it. Lajmi publikohet nga gazeta “Daily Mirror” në versionin e saj online. Pas 48 orëve bisedime mes drejtuesve të Bluve të Londrës dhe atyre të Romës, palët kanë arritur marrëveshjen për kalimin e mesfushorit belg në “Stamford Bridge”. Kartoni i Radja Nainggolan do t’i kushtojë Chelsea-it, 28 milionë paund rreth 36 milionë euro. Futbollisti pritet të nënshkruajë me Blutë e Londrës një kontratë 5-vjeçare. Presidenti rus i klubit londinez, Roman Abramovich ka arritur t’i plotësojë kështu dëshirën e parë trajnerit të ri, italianit Antonio Conte.
Ky i fundit ka këmbëngulur që të kishte në skuadrën e tij ish-lojtarin e Cagliarit dhe tashmë Conte mund ta bazojë mesfushën e Chelsea-it rreth Radja Nainggolan. Te Blutë lëvizjet në merkato do të jenë të shumta gjatë verës dhe 27-vjeçari me origjinë indoneziane mund të jetë vetëm lojtari i parë që do t’i bashkohet Chelsea-it. Conte kërkon të transferojë në “Stamford Bridge” të tjerë futbollistë nga Seria A italiane, ku spikasin, Bonucci, Pogba, Perisic e Icardi, futbollistë të cilët trajneri i kombëtares së kaltër, i ka ndjekur shpesh nga afër në ndeshjet e fundit.