Eksportet nuk ndalin rënien, tkurren 12% për janar-korrik; tekstilet e këpucët në situatë të vështirë

Eksportet kanë vijuar me ecurinë negative edhe gjatë muajit korrik, të ndikuara nga rezultatet e dobëta të grupeve të mineraleve e lëndëve djegëse, produkteve ushqimore dhe të tekstileve e këpucëve, të ndikuara nga nënçmimi i euros dhe nga rënia e çmimeve nga mbiprodhimi në Europë për produktet bujqësore. Rënia e thellë është amortizuar disi nga ecuria e mirë e grupit të materialeve të ndërtimit.

Sipas të dhënave të INSTAT, Në Korrik 2024 eksportet e mallrave arritën vlerën 33 mld lekë, duke u ulur me -12,0%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me -4,1%, në krahasim me Qershor 2024.

Ritmet e rënies janë përshpejtuar sërish në raport me qershorin, kur tkurrja ishte 8.9%. Në maj, tkurrja me bazë vjetore ishte 12,4%. Në Prill 2024 eksportet e mallrave ishin rritur për herë të parë pas shumë muajsh me 1,8% me bazë vjetore. Në mars eksportet ishin tkurrur me 21%, në shkurt me -16.1% dhe në janar me 29.2%.

Gjatë muajit Korrik 2024, në uljen e eksporteve prej -12,0%, kanë ndikuar grupet: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me -11,3 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -4,0 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” me -0,7 pikë përqindje, etj. Pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +3,0 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me +1,4 pikë përqindje, etj.

Për shtatë mujorin eksportet kanë shënuar një tkurrje të fortë. Sipas INSTAT, Në këtë shtatëmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 233 mld lekë, duke u ulur me -14,5%.

Për 7 mujorin, Grupet që kanë ndikuar në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me -6,0 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -5,2 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -2,2 pikë përqindje, etj.  Pozitivisht ka ndikuar grupi: “Produkte kimike dhe plastike” me +0,1 pikë përqindje, etj.

Tekstilet dhe këpucët në vështirësi

Në korrik, eksportet e tekstile e këpucë, grupi më i madh eksportues në vend ranë me 13.2%. Për 7 mujorin, eksportet e tekstileve- këpucë ishin 65.3 miliardë lekë, me një tkurrje prej 17.8% me bazë vjetore.

Industria po vijon të vuajë pasojat e shumë faktorëve si rritja e kostove që ka bërë që partnerët të zhvendosen në Lindjen e Mesme duke ulur porositë dhe sidomos zhvlerësimi i euros, që redukton të ardhurat e tyre kur konvertohen në lekë.

Për periudhën janar-korrik 2023, një euro u këmbye mesatarisht me 112 lekë, sipas kursit të Bankës së Shqipërisë, ndërsa për të njëjtën periudhë të këtij viti këmbehet me 102 lekë, ose gati 10% më pak.

Kjo situatë po detyron shumë fabrika të mbyllen, sipas njoftimeve nga Shoqata e Eksportuesve.

Minerale, lëndë djegëse bien ndjeshëm

“Minerale, lëndë djegëse, energji” ishte grupi i dytë më i madh në vend. Në korrik, ky grup iu rikthye tkurrjes së fortë me 44.1%. Ky grup ndikohet nga ecuria e Bankers Petroleum, eksportuesi më i madh në vend dhe nga tregtimi i energjisë elektrike, që lidhet me motin. Për 7 mujorin, ky grup shënoi eksporte me vlerë gati 44 miliardë lekë, me tkurrje 27%. Në korrik, eksportet drejt Spanjës që është destinacioni kryesor i Bankës Petroleum u tkurrën me 53%.

Materiale ndërtimi dhe metale me rritje të fortë

“Materialet e ndërtimit dhe metalet” ishin grupi i tretë më të madh në vend për 7 mujorin. Ky grup ndikohet nga ecuria e Kurum, përpunuesit të çelikut, që është një nga eksportuesit më të mëdhenj në vend. Në korrik ky grup përmirësoi ndjeshëm shitjet, me një rritje prej 21.3%. megjithatë për 7 mujorin, sektori është me një rënie prej 8.4%.

Tkurrje e fortë për Ushqime pije e duhan nga rënia e çmimeve

“Ushqime pije e duhan”, një nga grupet me ecurinë më të mirë vitet e fundit ka shënuar ecurinë më negative edhe në korrik, ndonëse me ritme më të ngadalësuara, duke rëne me 5.6% në korrik, nga 32% që ishte tkurrja në qershor. Për 7 mujorin, ky grup ka rënë me 9.4%.

Eksportuesit pohojnë se tkurrja lidhet kryesisht me rënien e çmimeve për shkak të mbiprodhimit, ndërsa sasitë e eksportuara vijojnë të jenë të larta. Këtë vit ka pasur superprodhim në të gjithë Mesdheun, të nxitura nga çmimet e larta dhe moti i favorshëm, duke bërë që të ketë ofertë të lartë në Europë.

Makineri, pajisje, pjesë këmbimi dëmtohen nga euro

“Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” ishin grupi tjetër që shfaqi ecuri të mirë vitet e fundit, si rrjedhojë e hyrjes së fabrikave që montonin pjesë për industrinë automotive. Por edhe ky grup po vuan nga zhvlerësimi i euros, rritja e kostove dhe mungesa e fuqisë punëtore. Në korrik eksportet ranë me 4.5%, ndërsa për 7 mujorin tkurrja është 7.7%.

Thellohet deficiti

Në këtë shtatëmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 233 mld lekë, duke u ulur me -14,5%, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 526 mld lekë, duke u rritur me 3,2 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 293 mld lekë, duke u rritur me 23,6%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023.

Në Korrik 2024 eksportet e mallrave arritën vlerën 33 mld lekë, duke u ulur  me -12,0%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me -4,1%, në krahasim me Qershor  2024. Importet e mallrave arritën vlerën 85 mld lekë, duke u rritur me 21,1%, në krahasim me një vit më parë dhe 11,5%, në krahasim me Qershor 2024. Defiçiti tregtar i këtij muaji është 52 mld lekë, duke u rritur me 59,6%, krahasuar me Korrik 2023 dhe 24,3%, në krahasim me Qershor 2024.

Ulen eksportet me Italinë dhe Spanjën

Në muajin Korrik 2024, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe të eksporteve, në krahasim me Korrik 2023 janë: Italia (9,0%), Spanja (53,4%), Maqedonia e Veriut (8,7%), etj. Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur rritjen më të madhe, janë: Kosova (9,8%), Greqia (0,3%), Gjermania (0,8%), etj.

Gjatë këtij shtatëmujori vendi me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, është: Italia (14,1%), Greqia (21,6%), Gjermania (11,9%), etj. Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur rritjen më të madhe, janë: Kosova (0,1%), Kina (25,7%), etj.

Në muajin Korrik 2024, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe te importeve, janë: Italia (5,7%), Kina (29,6%), Turqia (19,9 %), etj. Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: SHBA (5,2%), Spanja (8,3%), Kroacia (13,0%), etj.

Gjatë këtij shtatëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Turqia (17,1%), Greqia (19,3%), Gjermania (6,0%), etj. Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (2,9%), Kina (3,7%), Maqedonia e Veriut (9,4%), etj.

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 56,9%, të gjithë tregtisë. Në Korrik 2024, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 71,8% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 51,1% të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (28,1%), Kina (9,2%), Greqia (7,3%) dhe Turqia (6,3%).

Shkëmbimet tregtare, për shtatëmujorin e parë 2024, me vendet e BE-së zënë 57,9 % të gjithë tregtisë. Në periudhën Janar – Korrik 2024, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 71,5% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 51,9% të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (28,6%), Turqia (8,2%), Kina (7,7%) dhe Greqia (7,3%).

ek1
Burimi: INSTAT
Burimi: INSTAT
Burimi: INSTAT
Burimi: INSTAT

Revista Monitor

Exit mobile version