“Ndrydhja, epitet homerik i pushtetit”

BEN ANDONI

Një ngucje e etur e medias, madje edhe tashmë në një nga muajt më të nxehtë të verës, kërkon të kuptojë se çfarë do të ndodhë në vjeshtën 2024 dhe paskëtaj, kur Shqipëria do t’u drejtohet kutive të votimit. Sikur të kemi ndërruar politikanët apo në Kuvend të jenë njerëz të tjerë, përpjekja është e tillë që të kuptohet se sa do ndryshojë dhe risitë. Në fakt, më së shumti është për të parashikuar se çfarë do të sjellin ndryshe politikanët e sotëm dhe si do të përshtatet i gjithë vendi ndaj tyre?! Veçse nëse do të kesh parasysh dy nga pohimet e Fukos për pushtetin, atëherë do kuptosh se gjërat ndryshojnë shumë pak ose më qartë gjithnjë në funksion të idesë së më të fortëve të politikës. “Pushteti as jepet dhe as këmbehet, e as nuk rimerret përsëri, porse vetëm ushtrohet dhe ekziston si i tillë vetëm në veprim, vetëm me aktin e ushtrimit të tij”. Këtij pohimi, Fuko, i shton edhe një të dytë: “Fillimisht pushteti nuk është ruajtje dhe riprodhim i marrëdhënieve ekonomike, porse në thelb dhe, para së gjithash, një raport force”. Dhe, një individi, institucioni apo çdoqoftë në Shqipëri i vjen një kërshëri po kaq e thjeshtë: nëse ky pushtet vetëm ushtrohet, çfarë është në vetvete ushtrimi i pushtetit?! Në të gjithë këtë argumentin, që e ka bazën te Fuko dhe përgjigja vjen po prej tij: “Pushteti është ai që ndrydh”.

Berisha e bëri më së miri si akt në kohën e tij, ku teprimi skajor i pushtetit dhe mbi të gjitha problemet ekonomike e detyruan, ashtu si paraardhësin e tij Nano ta linte qeverisjen, drejt kryeministrit “të ri” Rama, që pushtetin e ka forcuar në kurriz të klasës së mesme, barrëmbajtëses më të madhe të shtetit shqiptar dhe në një cinizëm skajor. Ky lloj pushteti, ku forca është e konsoliduar vetëm tek një njeri (mjafton të shikosh aktivitetet e socialistëve) ka bërë që ekonomia të jetë zë produktiv i pak individëve që kanë lidhje me pushtetin dhe ku informaliteti nuk di të ndalet. Si asnjëherë më parë, tashmë Shqipëria i ka të polarizuara klasat e veta. Menaxhimi dhe lejet mbi territor, ashtu si Berisha, paraardhësi i tij, kryeministri Rama i vendos në mungesë të një panjohurie të madhe publike. Ku të ashtuquajturat dëgjesa publike bëhen sa për t’u bërë dhe qytetet tona po mësyhen nga kulla, si shenjë fuqie e një pushteti, që do të mbetet në histori dhe përmes arkitekturës. Nëse do kesh parasysh atë që thoshte dikur Gëte se: Arkitektura është një muzikë e ngrirë, do realizosh se muzika e kësaj arkitekture që kemi ngado është e frikshme dhe me tonalitete që vret vetë muzikën e kësaj arkitekture pa asnjë identitet. Thjesht mbetja pas emrave të dëgjuar të studiove, që përdoren të lëbyrin vëmendjen publike dhe, eksperimentet për t’i pasur klientë nuk po krijojnë asnjë lloj impakti publik. Po të shkosh më andej, publiku nuk gjen më qetësi në profesionin e jetës dhe mbi të gjitha respektin e mundësive, kur arrin të flasësh dhe mundohesh për një gjë tënden. Shumë po ndihet kjo në vend. Apo të themi respekti për shqiptarin e thjeshtë: Për t’u vlerësuar së fundi apeli deri në ulërimë i deputetit socialist Braçe ndaj një oficeri të Krimeve në Lushnje, pasi ky i fundit arrestoi një qytetar që po riparonte çatinë e banesës së vet! Reforma të tëra, trumbetuar me zhurmë, kanë mbetur përgjysmë në zbatim, por më shumë të llogaritura keq, që po i japin dërrmën qytetarit të thjeshtë, i cili në masë po ikën nga vendi dhe më keq akoma: trendi ende nuk po mbaron. Dhe, shto më tej, ndërsa e dhëna e UNICEF për mbi 40% fëmijëve të kequshqyer duhet të trandte përgjegjësit, tek ne çdo gjë kalon thjeshtë, sikur të mos ketë ndodhur asgjë!

Eksperimenti politiko-social i Shqipërisë së sotme po provon më së miri trendët më të këqija që po merr shoqëria e sotme. Për fat të keq, opozita veç demaskimit (në fakt më mirë sesa ata e bën vetë media dhe ende si duhet Drejtësia) nuk po tregon një Shqipëri tjetër, atë që publiku ëndërron dhe mund ta kishte si limanin e vetëm të prehjes, në vend të largimit.

Në këtë logjikë, sociologu i njohur Zygmunt Bauman do e trajtonte këtë sens të shoqërive të sotme politike se “Nuk ka më ‘kufij natyrorë’, as nuk ka vende të dukshme për të zënë”. Të gjitha sot i kanë qeveritarët, që dinë sesi të mbeten në pushtet. Në shtjellën e vet, Bauman përmbledh në këtë qerthull edhe dy nga pasionet e tij rreth pabarazisë së lirisë së lëvizjes në shoqëri dhe humbjes së hapësirave publike, krahas natyrës së ndërlidhur të të dyjave. Ai e ndjeu fenomenin për shoqëri më të kultivuara duke sqaruar se shkëputja e përshpejtuar në shoqërinë moderne është prodhuar dhe përsëritur falë aftësisë së elitave për të lëvizur kapitalin, pasi drejtimi i punës kudo në botë po tregon që punëtorët duhet ta ndjekin atë me kushte gjithnjë e më shumë përkeqësuese në kurriz të tyre. Në të njëjtën kohë, kjo i bllokon njerëzit e sotëm në hapësira që përshpejtojnë më tej konsumizmin dhe zvogëlojnë ato hapësira publike, ku qytetarët mund të “takohen ballë për ballë, të përfshihen në takime të rastësishme, të përplasen dhe sfidojnë njëri-tjetrin, të flasin, të grinden, të debatojnë ose të bien dakord, duke shmangur gjërat e tyre private, problemet në nivelin e çështjeve publike”. Por, sot, ata që po jetojnë në Shqipëri po përballen jo thjesht me pasigurinë e madhe të jetës, por edhe me një ekonomi, që po bëhet shumë e rëndë për xhepat e tyre. Sërish, Bauman e ndjeu për shoqëritë e sotme globale, kur shkroi gjithashtu për ndryshimin e kulturës sonë politike, që kulmoi në Verbërinë morale të vitit 2013 dhe ai e cilësoi si: Humbja e ndjeshmërisë.

Në fakt, pushteti i sotëm, që kemi përballë po ndrydh sinqerisht natyrën, instinktet, varfëron klasat dhe kuptohet vetë individin. Në këtë logjikë të Fukos”, një përkufizim i tillë i pushtetit, i stërpërsëritur nga aq shumë ligjërime bashkëkohore, nuk është shpikje e re”. Më pas në argumentin e tij Fuko, rendit se titanët e filozofisë duke nisur nga Hegeli, pas tij, Frojd dhe Reich e kuptonin këtë natyrë të pushtetit. Por për Fuko, që nuk e jetoi këtë kohë, se vdiq pa e përjetuar qoftë rënien e Murit, metamorfozat e demokracisë në Lindje dhe krizat ekonomike kishte një logjikë të qartë për pushtetin, ku thuhej se: faktori ndrydhës është bërë një nga epitetet homerike të pushtetit. Ndaj, sot e gjithë herët, duke iu bindur logjikës së tij, duhet të merremi me mekanizmat ndrydhës, që në Shqipëri po na përballin për ditë e më shumë dhe në çdo fushë të mundshme të jetës, ku politika ushtron fuqinë e saj të pamatë e cinike.

(Homo Albanicus)

Exit mobile version