“El Pais”: Si shqiptarët mbuluan Europën me drogë me moton “i pasur ose i vdekur”

Heroina kryesore sot në tregun e paligjshëm të drogës në Evropë dhe Holanda është qendra e shpërndarjes së saj. Porti i Roterdamit është pika kryesore e shpërndarjes në vende të tjera të Evropës, si në Spanjë. Në vargun e disa artikujve mbi rrjetin e trafikut të drogës, gazeta spanjolle “El Pais”, shkruan se, heroina mbërrin nga Afganistani, si prodhuesi më i madh në botë, në drejtim të Turqisë dhe prej andej nga Ballkani në Evropë. Porti i Roterdamit me 105 kilometra katrorë dhe 40 km i gjatë është më i madhi në Evropë dhe i treti në botë.
“Konteinerët janë shumë të përshtatshëm për trafikantët dhe janë duke u lejuar atyre që të bëjnë ngarkesa të mëdha”, thotë shefi i luftës kundër trafikut të heroinës pranë agjencisë policore evropiane Europol. Porti qarkullon 400 milionë tonë mallra në vit dhe 90 mijë persona të punësuar, por ndërkohë në tri vite “vëllimi i dërgesave të konfiskuara në Holandë është i pashembullt”, shkruan “El Pais”.
Numri i madh i njerëzve shton ndërkohë masivisht korrupsionin dhe konteinerë të tërë kalojnë pa u kontrolluar pas ryshfetit që marrin zyrtarët. Por nëse vitet e shkuara, këtë portë e kontrollonin mafie të tjera, këtë vit, drejtimin e ka marrë mafia shqiptare dhe motoja e saj sipas gazetës spanjolle është: “I pasur ose i vdekur”.
Grupet që kontrollojnë tregun e heroinës dhe të kokainës janë të përbërë nga shtetas turq, pakistanezë dhe shqiptarë, të cilësuar si mjaft të dhunshëm dhe shpesh ata përfundojnë të vdekur nëpër rrugë.
“Ka pakistanezë dhe elementët shqiptarë që luajnë një rol kyç në këtë lloj trafiku”, thotë një zyrtar i Europolit. “Grupet janë të aftë për të lëvizur sasi të mëdha të drogës”, thotë ai.
Dy vitet e fundit rastet e trafikut kanë qenë flagrante. Kështu, në vitin 2015, u kaluan plot 3,400 kilogramë kokainë në pikën doganore në Holandë dhe doganierët as që u shqetësuan, por përfunduan në pranga. Në një rast tjetër, brenda një sasie prej 12 000 kg rrush të thatë u gjetën edhe 764 kg heroinë. Droga erdhi nga Irani dhe vlera e saj ishte 17 milionë euro.

“Mjeshtri shqiptar” organizon shitjet e drogës nga Shqipëria

“Korriere del Tiçino” ka përgatitur një artikull në të cilën denoncohet rasti i një shqiptari që drejton trafikun e drogës në Lugano të Italisë. Sipas gazetës “Mjeshtri shqiptar” organizon shitjet e drogës nga Shqipëria.
“Shtypi e ka pagëzuar si mjeshtri i drogës, ndërsa korrierët në shërbimin e tij që përfundojnë në pranga në Tiçino në Itali, e njohin si Jhonny, Jonni, Loku, Shoku ose thjeshtë Bos”. Kështu shkruan gazeta italiane “Korriere del Tiçino” për kreun e bandës shqiptare që operon në rajonin e Luganos. Emri i tij i vërtetë për momentin është i panjohur, si dhe vendqëndrimi i tij. Nuk bëhet fjalë për një person të vetëm. Është e sigurtë që “mjeshtri” gjendet në Shqipëri dhe se praktikisht çdo muaj rekruton një korrier në Ballkan, zakonisht një të ri të papunë të rajonit të tij, për ta dërguar në Tiçino dhe Lugano, për të furnizuar tregun lokal me heroinë.
Sipas gazetës italiane, mjeshtri menaxhon trafikun nga Shqipëria. “Ai pret telefonatat e klientëve ku vendos çmimet dhe vendet e takimeve, më pas thjesht dërgon korrierët”, shkruan “Korriere del Tiçino”. Gjithashtu thekson se, këto korrierë shpesh arrestohen, 8 të tillë janë ndaluar gjatë 2015 dhe të tjerë do të ndalohen këtë vit.
Për këtë ngjarje, gazeta ka folur me prokuroren publike italiane, Margerita Lanzilo, e cila po ndjek hap pas hapi fillesat e këtij trafiku të madh. Sipas saj për këtë çështje kanë filluar dy hetime, një në Itali dhe një tjetër në Shqipëri. Lanzilo thekson se konsumi i drogës së ardhur nga Shqipëria në zonën e Tiçinos është rritur.
Sipas prokurores publike evidentimi i parë i kësaj bande është bërë në fund të 2014, ku janë arrestuar shumë shpërndarës droge shqiptarë. Lanzilo thotë për gazetën, se banda e ka selinë në Shqipëri dhe se prej aty bëhet organizimi i trafikut të drogës në territorin italian. Ndërkohë, fitimet e shpërndarësve shqiptarë mendohet të jenë rreth 4 mijë euro në muaj.

Exit mobile version