Korrupsioni 5.5 milionë, KLSH kallëzon 6 funksionarë dhe 3 mbikëqyrës punimesh

Bashkia Përmet
Në procedurat e prokurimit me objekt: “Rikonstruksioni i trotuareve në bllokun e qendrës qyteti Përmet” ka bërë skualifikim të padrejtë të një operatori ekonomik pjesëmarrës në prokurim kur nga krahasimi i ofertës ekonomike të dy prej operatorëve ekonomikë rezultoi se të dy kanë paraqitur kontratë furnizimi guri me të njëjtën shoqëri furnizuese, dokumentacioni tekniko-ligjor i të cilës është i njëjtë për të dyja kontratat e lidhura.
Për rrjedhojë KVO në vlerësimin e ofertave të këtyre operatorëve ekonomikë ka aplikuar një standard të dyfishtë, duke e vlerësuar këtë kriter si një kriter të vlefshëm dhe në pajtueshmëri me kërkesat e AK për operatorin konkurrues me ofertë ekonomike më të lartë dhe në papajtueshmëri për operatorin konkurrues me ofertë ekonomike më të ulët. KVO ka skualifikuar ofertues, të cilët plotësojnë kriteret për kualifikim duke përdorur dy standarde gjatë vlerësimit të ofertave, si rrjedhojë me përzgjedhjen e ofertës fituese autoriteti kontraktor ka paguar shumë në vlerën 7.1 milionë lekë pa TVSH.

Bashkia Skrapar
Nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në procedurën e prokurimit “Ndërtim i unazës juglindore të qytetit Çorovodë” është shkelur parimi i përzgjedhjes së ofertave, duke diskriminuar e trajtuar në mënyrë të pabarabartë ofertuesit, duke mos zbatuar kriterin themelor të prokurimit “Oferta më e ulët” dhe duke skualifikuar pa të drejtë operatorin ekonomik me ofertën më të ulët. Nga skualifikimi i operatorit me ofertë më të ulët buxhetit të shtetit dhe njësisë të qeverisjes vendore i është shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën prej 7,7 milionë lekë pa TVSH.
Mbikëqyrësit e punimeve të objekteve “Ndërtimi i unazës së qytetit të Çorovodës (segmenti juglindor)”, “Ndërtimi i unazës së qytetit të Çorovodës” (segmenti juglindor) dhe “Ndërtimi i unazës së qytetit të Çorovodës” (segmenti juglindor), kanë raportuar për punime, të cilat kanë rezultuar të pakryera, por të situacionuara e të pasqyruara në librezën e masave apo kanë dubluar zërat e punimeve, duke sjellë për pasojë likuidimin nga Bashkia Skrapar të punimeve të pakryera apo paguar dy herë për të njëjtat zëra punimesh, në dëm të buxhetit të njësisë të qeverisjes vendore në vlerën 18,5 milionë lekë.

Bashkia Lezhë
Mbikëqyrësi i punimeve të objektit “Rikualifikimi i qendrës së qytetit Lezhë” ka raportuar për punime, të cilat kanë rezultuar të pakryera dhe për pajisje të pavendosura, por të situacionuara e të pasqyruara në librezën e masave, duke sjellë për pasojë likuidimin nga Bashkia Lezhë të punimeve të pakryera dhe pajisjeve të pavendosura, në dëm të buxhetit të njësisë të qeverisjes vendore në vlerën 22,4 milionë lekë pa TVSH. Nuk ka kërkuar çertifikatat e cilësisë së materialeve, nuk ka kërkuar provat e cilësisë së betonit të përdorur, provat e rezistencës së çelikut, nuk ka ushtruar kontroll mbi realizimin e punimeve konform projektit të zbatimit dhe specifikimeve teknike.

Exit mobile version