“Emigrimi, dëshmia më e qartë e dështimeve të Ramës dhe Berishës”, Jupi: Shqiptarët e diasporës nuk janë më spektatorë, ka ardhur koha të ndëshkojnë ata që i detyruan të braktisin vendin

Kandidatja për deputete e Demokratëve Euroatlantikë, Taulanda Jupi, shprehet se Edi Rama dhe Sali Berisha janë autorët e politikave që kanë detyruar shqiptarët të braktisin vendin.

Në një postim në facebook, Jupi thotë se pas 34 vitesh, ata po përpiqen të mashtrojnë diasporën me premtime boshe, ndërsa për dekada e injoruan dhe i mohuan të drejtën e votës. Ajo thekson se shqiptarët jashtë vendit nuk janë më spektatorë dhe kanë fuqinë të ndëshkojnë ata që i detyruan të largohen.

Postimi i plotë i Taulanda Jupi:

Fushata e gënjeshtrave 34-vjeçare shtrihet edhe në diasporë

Diaspora, tashmë shumica e popullsisë, është dëshmia më e qartë e dështimeve të Ramës dhe Berishës. Për 34 vite, ata të dy kanë drejtuar një vend që rrudhet çdo ditë. Politikat e tyre kanë detyruar qindra mijëra shqiptarë të braktisin atdheun. Familjet janë ndarë, prindërit janë lënë pas, dhe fëmijët janë rritur larg Shqipërisë.

Hipokrizia e këtyre dy burracakëve nuk ka kufij. Rama u thotë shqiptarëve të diasporës se kthimi në Shqipëri ka më shumë leverdi sesa jeta dhe puna në vende si Greqia apo Italia. Berisha premton se ata që kthehen nuk do të paguajnë taksa. Për dekada me radhë, të dy ata e injoruan diasporën, duke i trajtuar si qytetarë të dorës së dytë. Konsullatat shqiptare u zhytën në korrupsion dhe paaftësi, duke e bërë të vështirë për shqiptarët jashtë vendit që të merrnin pasaporta apo dokumente identiteti. Sot, papritur, kujtohen për diasporën.

Rama dhe Berisha nuk i besojnë diasporës. Për tre dekada e gjysëm ata i mohuan asaj të drejtën e votës. Kur nuk e ndalnin dot, vendosën të bashkojnë votat për të kontrolluar gjithë votimin me besnikët e tyre. Për t’i shtuar dhimbjes turp, ata e eksportuan pa doganë konfliktin politik tek ata shqiptarë që kanë më shumë nevojë për bashkim dhe solidaritet me njëri-tjetrin.

Por diaspora shqiptare ka një zgjedhje. Kur të votojnë, ata duhet të kujtojnë se kush i bëri të braktisin vendin, prindërit dhe familjet e tyre. Ata që i përzunë nga vendlindja nuk mund të ndërtojnë një Shqipëri ku shqiptarët mund të kthehen. Shqiptarët e diasporës nuk janë më spektatorë—ata kanë fuqinë t’u tregojnë atyre që i dëbuan se koha e tyre ka mbaruar.

Exit mobile version