Emiliano

Reltar DEDAJ

Ka diçka që s’bind në arrestimin e një prej emrave më të përfolur të botës së krimit në Shqipëri, Emiliano Shullazi. Është një fshehtësi e thellë, e pazbulueshme. Sepse ai, për t’u ngritur deri në majë të suksesit, tek kapo, iu desh të kalojë të gjitha etapat e njeriut që gjakoset. Por edhe nga aty beteja e tij nuk ka mbaruar; Shullazi për të qenë i besueshëm e di mjaft mirë se çfarë duhet për të bërë, ndaj dhe heshtja e tij na duket e njohur, ndaj e ndjejmë porsi të ishte e jona, ndaj dhe trembemi, sepse është diçka më tepër se e thjeshtë, diçka shumë përtej kësaj.
Shullazi nuk është një emër dosido, mish dhe gjak, pikërisht për këtë arsye, misteri i tij nuk mund të jetë vetëm i një force politike të caktuar; është shumë më tepër se kaq; te çdo njeri i përkulur, te çdo kundërshtar i socialistëve, te çdo individ që priste një të ardhme të ndritur, te çdo njeri i rastësishëm pëlcet lufta midis njeriut dhe pushtetit; e, njëherazi, zë fill dëshira për pajtim.
Ai nuk është asgjë tjetër veçse simbiozë e gjithë kësaj.
Në historinë e tij, të mbushur me shantazhe, kërcënime dhe presione, ajo që bën përshtypje është diçka që media e ka lënë të shurdhër.
Në tre vitet e fundit, Emiliano Shullazi ka regjistruar mbi 100 prona në emrin e tij. Si ka mundësi që Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave nuk e ka verifikuar dhe as kontrolluar këtë njeri se nga kush dhe në çfarë mënyrë e mori gjithë këtë pasuri?!
Dhe mbi të gjitha, kur rasti në fjalë tregon për një individ që asnjë person nuk i ka thënë qoftë edhe njëherë të vetme; “puna e mbarë ore zotri”. Pavarësisht, se në botën tonë mediatike ai identifikohet si një person me precedent penal dhe i akuzuar për vrasje, presione, grabitje dhe rrëmbime pronash.
Megjithatë, rasti i raportimit të lajmit për Emiliano Shullazin dhe shokët e tij është një rast i paprecedent për institucionet shqiptare, një izolim total i informacionit, asnjë plan i saktë i fytyrës së tij, por veçse një kakofoni elementësh dhe detajesh që më tepër të ngatërrojnë se të sqarojnë mbi çështjen Shullazi.
Raportimi me nota romantike ku personazhi negativ i historisë stilizohet me elementë dhe detaje heroike si të tipit, lërini djemtë të qetë, unë jam Emiliano Shullazi dhe ju keni punë me mua, apo raportimi i të dashurës së tij, fytyra njerëzore e një krimineli, apo edhe ushtarët me tatuazhe, armë dhe makina luksi tregojnë, as më pak dhe as më shumë, një ngjarje, e cila kërkon të mbulohet me elementë anësorë dhe krejt të parëndësishëm për vetë rëndësinë e çështjes që duhet të ketë.
Emiliano Shullazi po trajtohet nga media dhe institucionet e shtetit si një humbës, por një humbje e një lloji të veçantë, e një race tjetër.
Ky është realiteti. Humbja, si e tillë, është shumë joshëse. Pjesa më e madhe e njerëzve, krahas prekjes, rezervojnë një ekzaltim të pashembullt ndaj humbësit. Historia këtë ka treguar gjithmonë. Heronjtë tanë ishin humbës, Tony Montana ishte një humbës, Al Capone ishte një humbës. Është e mërzitshme të ekzaltohesh ndaj fitimtarëve. Humbësit janë më tërheqës.
Është një realitet, ndonjëherë, më magjepsës sesa imagjinata.
Dhe, duke qenë i tillë, meqë është e vështirë të përcaktosh se çfarë është e vërtetë dhe e gënjeshtërt, rruga më e thjeshtë për të arritur te e vërteta është përmes analizës së falsiteteve.
Vetëm për këtë arsye, ndonëse ka shumë arsye të tjera, ne duhet t’i rezistojmë “metamorfozës” së Emiliano Shullazit, thjesht si historia e një njeriu që shndërrohet nga ai i thjeshti si gjithë të tjerët në një “hero”. E kur kjo ndodhi, fill; pas humbjes.
Gjithmonë, njerëzit janë dashuruar dhe vazhdojnë ende të dashurohen me humbësin. Atyre u ka interesuar qenia njerëzore në situata ekstreme, ai që po shkon të ekzekutohet, ai që kanë vjedhur, i braktisuri nga të gjithë, i mashtruari, pak a shumë, njeriu ndjek këshillën kristiane: Qëndro me ata që janë më keq se ty, sepse mjeku nuk rri me të shëndoshin, çfarë i duhet? Ndërsa i lumturi qëndron në lumturinë e tij, i pashqetësuar.
Ky është njeriu.
Nuk është aspak ndryshe as letërsia. Ajo që shpreh më bukur se askush tjetër ndjenjat e fshehura të kësaj bote, gjithmonë është magjepsur nga humbësit. Dostojevski shkruante për humbësit, Franc Kafka shkruante për humbësit, personazhi kryesor i Iliadës, Hektori, ishte një humbës, zonja Bovari është humbëse. Kënaqësia e të shprehurit ka arritur kulmin kur është shkruar për humbësit.
Si e tillë, humbja nuk shkakton turp. Ajo ka rrëmbyer dhe vazhdon të rrëmbejë turma të mëdha admiruesish. Kështu ka qenë gjithmonë. Ne jetojmë në një kohë kur bota mund të rrotullohet plotësisht dhe krejt papritur, me 180 gradë, prandaj është e padobishme që të rrish e të spekulosh se si do të bëhet më vonë. Por, shumëçka na tregon se “heroi” i tanishëm nuk do të na shqetësojë më, p.sh, pas dy apo tre vitesh.
Sepse në këtë rrugë, nuk do ketë më vend për të…

Exit mobile version