Arben SHAHINI
Universiteti i Tiranës i shpëtoi dje kriminalizimit, pasi kandidatja e Ramës dhe e Shullazit u ndëshkua në mënyrën më të ashpër nga trupa e studentëve dhe e pedagogëve që nuk e lanë këtë vatër të dijes në duart e mafias. Zgjedhjet ia dolën të shpëtojnë Universitetin e Tiranës nga pushtimi i pushtetit të krimit, duke shërbyer edhe si një udhërrëfyes për mënyrën sesi do të mund të shpëtohet Shqipëria nga sundimi i oligarkëve të krimit dhe të korrupsionit.
Me Shullazin në skenë, zgjedhjet për rektorin e Universitetit të Tiranës u shndërruan në një garë të elitës akademike me pushtetin kriminal të Edi Ramës, pushtet që rezultoi më i pavotuari nga studentët dhe pedagogët e kryeqytetit. Niveli i mbështetjes së auditoreve për Partinë Socialiste nuk ka qenë në këto nivele kaq të ulëta as në vitet e para të pluralizimit politik në Shqipëri, kur antikomunizmi ishte frymë kombëtare.
Rama, Shullazi dhe Dibra me metodat e tyre mafioze dhe korruptive provuan se, shqiptarët jo vetëm refuzojnë të nënshtrohen para tyre, por zgjedhjet i shohin si shpresë për të ndëshkuar mafian në pushtet. Mbrojtja e Universitetit të Tiranës është një provë se krimi në burg, pushteti nën thundrën e ligjit dhe një demokraci funksionale janë kushte për të patur institucione të pavarura, drejtues legjitimë dhe qytetarë të lirë që ushtrojnë të drejtat e tyre kushtetuese.
Çlirimi i Universitetit të Tiranës ndodhi me arrestimin e Emiljano Shullazit, të dërguarit të Ramës për të vënë nën tutelë një universitet, që nuk i bën fresk regjimit. Zgjedhjet u bënë të mundura, pasi skema e Ramës për të zgjedhur fanatiken e partisë së tij duke përdorur Shullazin dështoi, kur Prokuroria dhe SHISH goditën bandën e kryeministrit, që ka vrarë dhe kryer një sërë krimesh për llogari të Ramës dhe pushtetit mafioz që ai ka instaluar në këtë vend.
Largimi i Shullazit nga Universiteti i Tiranës i dha liri studentëve dhe pedagogëve që të zgjedhin drejtuesit e tyre dhe të mbrojnë pavarësinë nga pushteti që funksionon me forcën e bandave. Largimi i Ramës, Tahirit dhe oligarkëve të tjerë do t’i japë lirinë e nevojshme edhe Partisë Socialiste, që socialistët të mund të zgjedhin lirisht drejtuesit e tyre dhe të mos shkojnë nëpër skemat korruptive të me nder me thënë “rilindjes”. Kjo liri është jetike për socialistët, që kanë shtatë vite që nuk zgjedhin as kryetar dhe forume, dhe janë detyruar të pranojnë të përfaqësohen nga listat personale të Ramës, edhe kur mbushen me vrasës, trafikantë dhe budallenj.
Arrestimi i Shullazit dhe shembulli i çlirimit të Universitetit të Tiranës do të jetë një model i mirë për të çliruar edhe qeverinë median. Ishte për të ulëritur kur konstatoje se shumë gazeta, televizione dhe analistë ose heshtën, ose morën në mbrojtje Shullazin, Ramën, Tahirin dhe Dibrën.
Ndërsa Universiteti u clirua nga arrestimi i Shullazit, qeveria, PS dhe mediat do të clirohen ditën kur do të largohen tutorët e Shullazit, Rama dhe Tahiri.
Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e fundit shprehej qartë se mediat janë të kontrolluara nga qeveria dhe organizatat kriminale. Janë shumë media që punojnë për qeverinë dhe pronarët e tyre janë klientë të kryeministrit, por një gazetë që njihet si gazeta e Ramës është e kontrolluar drejtpërdrejt nga siamezët e Shullazit. Disa krime të Shullazit, si grabitje pronash janë kryer sëbashku me organizatën kriminale që ndan paratë dhe editorialin e gazetës me Ramën. Kjo organizatë kriminale është gjithashtu nën hetime, sikurse është edhe vetë Rama dhe kupola e oligarkëve të mafias në pushtet.
Çlirimi i Universitetit të Tiranës nga përpjekjet e pushtetit të Ramës dhe bandave të Shullazit për ta vënë nën kontroll është një shpresë se edhe qeveria, edhe media do të çlirohen së shpejti. Shullazi do të mbetet në burg, pasi hotel “Vollgën” në Durrës dhe 100 prona të tjera që i ka vënë duke vrarë dhe shantazhuar biznesmenë, nuk i garantojnë dënim më të lehtë.
Edhe Rama nuk do ta ketë të lehtë, kur t’i duhet të japë shpjegime për milionat që ka transferuar në parajsat fiskale, për sarajet e Surrelit, për sarajet në qendër të Tiranës dhe në mbarë vendin. Largimi i tij do të jetë një çlirim për politikën. Goditja e afërt e organizatave kriminale që kontrollojnë gazeta, apo televizione do të jetë çlirimi për median, pavarësisht se skalionet e shpifësve të propagandës së vjetër sigurimse e komuniste do të mbesin pa punë dhe do të refuzohen përjetësisht nga shqiptarët, kur të mësojnë se kush i paguante dhe i kontrollonte për të mbetur qelbësira.