Frederik Veseli nuk do të jetë shtylla e vetme e mbrojtjes për sezonin e ri të Empolit. Mbrojtësi i djathtë i kombëtares shqiptare, i cili ka treguar aftësitë e tij edhe duke luajtur në qendër, do të ketë një bashkëkombës në prapavijën e klubit, i cili në edicionin 2017-2018 do të luajë në Serinë B.
Drejtuesit e klubit, pasi kanë bërë të qartë se Veseli është i paprekshëm, kanë bërë të ditur se Empolit në fazën përgatitore do t’i shtohet edhe Kastriot Dermaku. Futbollisti ka qenë në huazim në dy sezonet e fundit, te Pavia dhe Lukeze, edhe pse Empoli, kur e bleu nga Melfi, fillimisht e shihte 25-vjeçarin si një profil që mund t’i bënte punë ekipit.
Paraqitjet e tij në edicionin e fundit te Lukeze në Lega Pro, kanë bindur drejtuesit e skuadrës së Empolit që t’i japin fund huazimeve dhe e kanë lajmëruar qendërmbrojtësin që më datën 10 korrik duhet të paraqitet në grumbullim me pjesën tjetër të ekipit. Parashikohet që Dermaku të ketë shansin të luajë rregullisht në Serinë B në këtë edicion dhe nuk është çudi që t’i vijë edhe një ftesë për të veshur fanellën kuqezi të kombëtares. Ai ka qenë prej kohësh nën vëzhgimin e stafit të përfaqësueses që drejtohej nga De Biazi, por tani duhet parë se si do të veprojë trajneri i ri që do të emërohet në stolin e kombëtares. Në të kaluarën ai ka luajtur një ndeshje miqësore me fanellën e kombëtares U-21.