Nga lufta, veç ai largohet…

Ish-Kryeministri Berisha zbardhi dje listën me emrat e krerëve të bandave kriminale që kohët e fundit vizitojnë zyrën kryeministrore të Ramës ku diskutohet mbi skemën se si do të vihen në përdorim paratë e drogës dhe krimit në vjedhjen e zgjedhjeve. Duke nisur nga kreu i bandës së Durrësit, Lul Berisha, tek anëtarët e bandës së Hakmarrjes për Drejtësi e deri tek ish-deputetët e inkriminuar Armando Prenga e Arben Ndoka, të gjithë të përfshirë në krime të rënda u përmendën nga Berisha si njerëzit me të cilët Rama ndan në zyrën e tij pazaret e pushtetit, si dhe të zgjedhjeve gjithashtu. Berisha ishte dje mes protestuesve në çadrën e lirisë, ndërsa mbajti një fjalim ku shprehu se opozita do të dalë fitimtare nga qëndrimi i saj i palëkundur për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Fitoi më pas zgjedhjet e 2013 dhe ne ja njohëm plotësisht. S’kërkuam asgjë tjetër vetëm i thamë se lidhjet e tua me bandat e krimit nuk ka shqiptar që nuk i di. Gjithçka dhe fatin e këtij vendi do e përcaktojë se çfarë do të bësh ti me këto lidhje. Nëse do i vazhdosh, do i bësh gjëmën Shqipërisë. Nëse do i ndërpresësh do të jetë në të mirën tënde dhe të Shqipërisë. Çfarë ndodhi këto katër vite? Të gjitha bandat, nga të cilat ne 204 grupe kriminale që i arrestuam dhe çmontuam, që i vendosëm para ligjit, për çka u anëtarësuam në NATO, Edi Rama një nga një po i nxjerr nga burgu. Çfarë ndodhi gjatë këtyre viteve? Edi Rama futi 19 vrasës, trafikantë droge dhe prostitucioni në Parlament si kurrë ndonjëherë në historinë e një Parlamenti. Çfarë ndodhi më tutje? Pasi opozita bojkotoi 6 muaj Parlamentin për dekriminalizimin, Edi Rama vrasësit, përdhunuesit dhe trafikantët i nxjerr nga dera dhe i fut nga dritarja. A e dini ju se cilët janë vizitorët e zyrës së kryeministrit këto ditë? A mund t’i imagjinoni? Jua them unë! Janë Lul Berisha, Ymer Lala, Orik Shyti, Armand Prenga, Arben Ndoka, çdo ditë në zyrë! Këta janë vizitorët e zyrës së kryeministrit këto ditë që ju rrini këtu në mision”, u shpreh ish-Kryeministri. Berisha i bëri thirrje Ramës të heqë dorë nga lidhjet e tij me krimin, ndërsa paralajmëroi se forca e opozitës për lirinë dhe votën e lirë është e pathyeshme. “I them këtu të heqë dorë nga hanxharët e krimit, se e vërteta është se s’do të mund t’i shohësh më po vazhdove në këtë rrugë! Hiq dorë dhe merre çadrën siç është për t’u marrë. Forca e lirisë është e pathyeshme, ti je skllav i krimit, ti je pjellë e të keqes, ti duhet të ikësh. A mos e kemi ne gabim? Çfarë ndodhi me drogën? Pse u zgjodh viti elektoral për vit droge? U zgjodh vetëm e vetëm për të droguar votën. Vota duhej droguar me çdo kusht në mënyrë që mafiozët të dilnin katër, pesë mijë vota më shumë se në kulmin e historisë së tyre në Peshkopi. Miqtë e mi, a nuk ishte Edi Rama që bleu votën në Korçë, a nuk e kapën me presh në dorë? A nuk ishte Edi Rama që drogoi votën në Peshkopi dhe mblodhi falangat e krimit nga mbarë Shqipëria? Atëherë, këtij a mund t’i besojmë ne votën? Jo, përkundrazi! Ne jemi këtu, vajza dhe djem, burra dhe gra të betuar për flamurin dhe himnin e tij: Nga lufta ai do të largohet, ai do të largohet se ne nuk largohemi kurrë!”, tha Berisha. Ish-Kryeministri deklaroi se Rama është armik i votës së lirë, ndërsa solli në vëmendje raste ndër vite që faktojnë se si Rama ka qenë pjesë e manipulimit të zgjedhjeve. “Çdo njeri i ndershëm duhet të pyesë veten nëse e kemi gabim. Çdo darkë njeriu kontrollon veten, veprimtarinë e ditës. Po pse e kemi gabim? Ne s’e kemi gabim! Se nëse vota e lirë ka një armik, ka një barbar, ka një mizor, ka Edi krimin, ka Edi drogën. Dhe këtë do ua them me fakte. A nuk ishte ky siçilist që në vitin 2001 do t’u merrte me vrasës serialë 143 kuti opozitës, do t’i manipulonte katër ditë rresht dhe pas katër ditësh do sosnin në komisionin e votimit? Çfarë ndodhi? Ambasadori amerikan Xhejm Xhefri shkoi dhe i tha në zyrë: ‘E ke marrë me banda, turp të kesh! Nuk është kjo zgjedhja’. U anuluan sigurisht, tregoi fytyrën e tij Edi Rama. Çfarë ndodhi me zgjedhjet e 2007? A nuk i shtyu zgjedhjet tre muaj se nuk hynte në zgjedhje? Në një kohë kur prodhoi një dokument të turpshëm ushtarak, rregullore që nuk e zbatoi në asnjë pikë. Zgjedhjet u damkosën, por jo në një nen. Ky nen thoshte se qeveria nuk pati asnjë përpjekje për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve, çka i bënte nder qeverisë. Në vitin 2011, Edi Rama dhe horrat, zagarët rreth tij kanë pafytyrësinë të thonë sot në media se na kujtohen ato vota se si u nxorën. Çfarë ishin ato vota? E tërë Tirana u rinumërua për së dyti dhe unë këtu në atë zyrë prita tre nga ata ambasadorë. Ai kishte rrethuar KQZ dhe ata më pyesin si do të bëhet tani, a mund ta ndërpresim këtë proces. I thashë jo kurrë! Harrojeni! Se nëse vjen një ditë që qytetarët e mi të mos mund të numërojnë votat e tyre, ajo është dita më e zezë e jetës së tyre, atë ditë nuk ja u sjell kurrë Sali Berisha. Tani shkoni dhe thuajuni se nëse një punonjës preket në KQZ, do të jetë ai (Rama) që do e paguajë fizikisht”, është shprehur Berisha. Ish-Kryeministri rikujtoi edhe një herë aferën me CEZ dhe përfshirjen e Ramës në faljen e 600 milionë eurove. “I pangopur, monstruoz në përvetësimin e pasurive. Gjobiti shqiptarët me 3 mijë euro me CEZ në një kohë kur me arbitër ndërkombëtar e kishim të fituar dhe CEZ duhet t’i paguante shqiptarëve minimumi 600 milionë euro. Ku i çoi? I çoi në bankat off shore, i pangopur. Shumë vite më parë rastisi një ambasador i SHBA, që kishte qenë avokat i madh dhe pastaj ka kaluar në pilomaci. Më thotë se gjatë jetës kishte patur klientë, disa kishin vjedhur nga 1 miliard, por problemi ishte se asnjëri prej tyre nuk donte të mos vidhte miliardin e dytë, donte të vazhdonte vjedhjen. Kështu ekzakt është dhe puna e këtij (Ramës). Kalon nga një vjedhje në një tjetër. Ka krijuar institucionet personale familjare”, tha Berisha.

Banka që drejton Linda Rama, e regjistruar në “offshore”

Emërimi i bashkëshortes së Edi Ramës, Linda Rama në një nga bankat e nivelit të dytë në vend ka qenë gjithashtu dje pjesë e denoncimeve të ish-Kryeministrit Berisha, i cili edhe një herë solli në vëmendje skemën se si Rama po pastron paratë përmes emërimit të bashkëshortes së tij në bankën që është e regjistruar në ishujt offshore, të njohur për aktivitetin e pastrimit të parave. “Pas universitetit Kristaq Rama, tani na del dhe banka Edvin Linda Rama. Do të më falin shqiptarët, por mbi rruzullin tokësor nuk ka kryeministër, as në diktatura, as në vende të tjera, ku bashkëshortja e të cilit të vihet në drejtimin e një banke private. Kurrë! Nëse ajo ka qenë në drejtim duhet të shkëpusë çdo lidhje dhe me transparencë absolute. Kurse këtu në Korrupstan ndodh e kundërta. Edi Rama merr bankën dhe emëron në drejtim e në krye të saj bashkëshorten. Çfarë i duhet kjo? I duhet për të pastruar paratë. Po ku është e regjistruar banka? Off shore, në thellësitë e hapësirës së universit. Edhe tani së fundmi, këto ditë çfarë ka ndodhur? Betejën me lojërat e fatit e fitoi Edvini. Ka emëruar Olsin, kompania e Olsit ‘Pegaso’ ka fituar tenderin e kontrollit të lojërave të fatit. Ky s’ka të ngopur. Ky është një monstër që s’e ka toka, me këtë s’ka zgjedhje, kjo do të vetëm zgjidhje dhe zgjidhja është ‘Rama ik, shporru, shporru’”, deklaroi Berisha.

Mbaje mend Edvin: Askush nuk na mposht ne

Përmes vargjeve të himnit kombëtar “…Nga lufta veç ai largohet”, ish-Kryeministri Berisha deklaroi dje nga sheshi i lirisë se opozita do të vijojë betejën e saj për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme deri në fitore.
“Të dashur qytetare dhe qytetarë të pranishëm këtu, në tempullin e lirisë së shqiptarëve, në çadrën e lirisë, në gurrën e frymëzimit, të shpresës dhe besimit, në çadrën e fitores. Së pari, duhet të përulem me nderimin më të thellë para secilit prej jush, para atyre mijëra e mijëra burrave dhe grave, të cilët këto 21 ditë, në protestën 24 orëshe më të gjatë në historinë e kombit vërshuan nga të katër anët e vendit, nga Konispoli e Saranda, Skrapari dhe Erseka, nga Korça e Peshkopia, Shkodra, Puka e Tropoja apo Kukësi, nga çdo qytet dhe erdhën këtu në misionin e tyre të madh, erdhën këtu për të prekur tokën si Anteu, për t’u frymëzuar, për të marrë forca, për të vazhduar betejën. Në 21 ditë ju të rinj dhe të reja, burrat dhe gratë e çadrës së lirisë jeni shndërruar në një burim të madh frymëzimi për mbarë shqiptarët, strukturat e revolucionit demokratik, revolucion i cili ndalet vetëm me realizimin e qëllimit të tij përfundimtar: votën e lirë për mbarë shqiptarët. Kjo çadër u bë e famshme në të gjithë botën. Miqtë tanë nga Uashingtoni, Brukseli, Berlini, Roma dhe metropole të tjera të mëdha të Evropës dhe botës përshëndesin çadrën e lirisë, përshëndesin kauzën tuaj, kauzën e votës së lirë. Çdo ditë e më e madhe bëhet mbështetja për përpjekjen tonë, për revolucionin tonë dhe ju garantoj e dua t’i them Edvin Kristaq Ramës se ky është vetëm fillimi, nuk ke parë gjë akoma. Je i pashpresë. Ky është një mision i madh, në këtë mision padyshim kemi vështirësitë tona. Ka dhe një agresion ndaj nesh jo vetëm nga siçilistët shqiptarë, por nga siçilistët, nga mafiozët e mbarë botës që nuk janë me ne, janë me drogën, janë me krimin, janë me marijuanën. Por prapë jemi shumë më të fortë”, u shpreh ish-Kryeministri.
Berisha deklaroi se fitorja është e sigurtë dhe se askush nuk mund të mposhtë opozitën dhe kauzën e saj. “Ne jemi shumë më të fortë, sepse mbrojmë një kauzë të drejtë. Ne jemi burra dhe gra që ngrysemi në këtë çadër, ata qindra dhe mijëra të tjerë që gdhihen çdo natë në mision në këtë çadër, nuk vijnë këtu për karrige, por vijnë këtu për misionin e lirisë, vijnë këtu për votën e lirë. Nuk ka mision më të rëndësishëm në një shoqëri se kjo. Por ne kemi gjithashtu një armë të fortë, një armë e tmerrshme për kundërshtarët tanë, një armë e cila pas lutjes tek Zoti është thirrja e dytë e çdo shqiptari: ‘Nga lufta veç ai largohet’. Ne jemi burra dhe gratë që nuk largohemi kurrë nga lufta. Ne do të vazhdojmë luftën, do të vazhdojmë betejën, do të ecim drejt fitores. Mbaje mend mirë Edi Rama! Ju bëj thirrje qytetarëve shqiptarë që çdo darkë, çdo mëngjes, pasi t’i luten Zotit le të kujtojnë apelin e himnit ‘Nga lufta veç ai largohet’. Fitorja është e sigurtë, fitoren e bekon Zoti. Askush nuk mund të na mposhtë ne në këtë mision. Kjo është thirrja e himnit të kombit shqiptar, kjo është thirrja e flamurit tonë. Ndaj dhe unë u bëj thirrje qytetarëve shqiptarë në të katër anët e vendit; le të skuqin Shqipërinë me flamurin e kombit, flamuri ka nevojë sot më shumë se kurrë ta mbështesim atë, të valëvitet dinjitoz krahas flamujve të tjerë dhe jo si flamur krimi, korrupsioni, si flamur droge, si flamur prostitucioni ku e katandisi ky kryebandit”, tha Berisha.

Arben Shahini

Exit mobile version