Enigma e kanionit të Holtës

Nga Gëzim Kabashi 

Në Gramsh mbërrijmë kur vapa e mesditës ia ka lënë vendit freskisë së maleve përreth dhe fëshfërimës së gjetheve të gështenjave, që u japin hije trotuareve të gjera të qytetit.

Një orë më parë dështuam të vizitojmë kanionin  e Holtës, pasi harxhuam shumë kohë për të gjetur daljen nga rruga kryesore drejt fshatit, ku ndodhet monumenti natyror.

Një mesoburrë që ndaloi veturën për të na ndihmuar, na këshilloi më pas se moti mund të prishet dhe nëse bie shi vizita, në kanion nuk është e këshillueshme.

I gëzohemi të rinjve të shumtë që mbushin rrugët e Gramshit, megjithëse e kuptojmë shpejt se veç ajrit të pastër, lulishteve të mbushura me fëmijë të shëndetshëm dhe njerëzve mikpritës, qyteti në qendër të vendit ende nuk ka mësuar ti shfrytëzojë resurset e veta.

Muzeu historik i ka dyert e mbyllura zyrtarisht të shtunën dhe të dielën, ndërsa gjatë javës mbetet i hapur deri në orën 16.00.

Tabelat me të dhëna për Ujëvarën e Sotirës, liqenin e Lenies, apo edhe për Kërpicën, që furnizon qytetin 24 orë në ditë me ujë të pijshëm, mungojnë.

Edhe njoftimi për rezultatet e censit 2023, sipas të cilit Gramshi ka vetëm 16.533  banorë nuk është pasqyruar ende.

Njëlloj është harruar edhe Uzina e Armëve të Këmbësorisë në Çekinë, 4 kilometra larg qytetit.

Filloreta, që administron një bar-restorant pranë shëtitores-pedonale na sjell më shumë informacion për Gramshin dhe burimet e tij.

“Unë kam ardhur nuse nga Skrapari në Gramsh para 20 vitesh,” tha Filloreta Dërmishi për BIRN, duke folur më tej për banorët e zonave fshatare që po i drejtohen qyteteve të mëdha.

“Gramshi është qytet fundor,” vijon Filloreta, ndërsa thekson se dhe autobuzët e linjave të gjata nuk e vazhdojnë më tej udhëtimin drejt Moglicës, qytezë e njohur prej hidrocentralit që u ngrit kohët e fundit.

Pasi u mbush liqeni i ri, i cili përmbyti edhe rrugën e vjetër drejt Korçës, gjithçka u zëvendësua me kalimin automobilistik nga mali, gati 1000 metra lartësi.

“Kështu, për ata që nuk duan të kthehen deri në Elbasan për të udhëtuar drejt Pogradecit e Korçës, rruga e re të shpie nga mali drejt Lozhanit e Maliqit, e më pas në Korçës,” tha Filloreta, teksa na pyet edhe ne se çfarë mendojmë për Gramshin.

Në verandën e bar-restorantit pamja është shumë e bukur. Lumi i Devollit ka krijuar një territor me zhurë, ndërsa përballë formacionet argjilore duken si një perde e pafund kinemaje.

Në fushën që ka krijua lumi bashkë me pyjet me lartësi mesatare, një grup fshatarësh kanë mbjellë ngastra me perimet e stinës.

I themi Filloretës së na bën përshtypje që në faqen e internetit të bashkisë, gjen ende të dhënat e vitit 2004, kur Gramshi ishte rreth më vehte dhe pyesim si është e mundur të gjitha këto bukuri natyrore të mos pasqyrohen dhe të mos promovohen nga bashkia.

“Njëlloj edhe pedonalen e bënë shumë të vogël,” shtron një tjetër ankesë zonja e lokalit.

Nga Italia në përkujtim të ushtarëve alpinë

Një grup me turistë italianë flasin me zë të lartë dhe duken tepër të kënaqur me qytetin.

Sapo kanë vizituar në qendër të qytetit bustin e politikanit antifashist italian Antonio Gramshi, i cili sipas studiuesve rrjedh nga një familje me origjinë nga zona, ndoshta që nga eksodi i madh i shqiptarëve në kohën e Skënderbeut.

“Ne kemi ardhur me mision përkujtimor nga Val Camonica pranë Brescias drejt e në Gramsh. Vitin e kaluar ishim në vendin e quajtur Guri i Topit, ku humbën jetën në luftën italo-greke të vitit 1940 tre oficerë nga vendbanimi ynë,” tha për BIRN Giaccomo Cappellini, që përfaqëson degën e Shoqatës Kombëtare të Alpinëve.

Grupi i organizuar nga drejtuesja e muzeut historik të Val Camonicas këtë vit ka vizituar vendin që quhet Varri i Lamit, dhe ku krejt reparti i Alpinëve me ushtarakë të ardhur nga Valcamonica u shua në luftime për të shpëtuar një repart tjetër italian që po tërhiqej, shpjegoi Giaccomo Cappellini.

“Jemi të prekur nga mikpritja e banorëve të zonës dhe nga respekti për misionin tonë,” tha për BIRN Giorgio Ceni, i cili 85 vjet më parë ka humbur xhaxhain e tij, ne luftën pranë Gurit të Topit.

“Misioni  ynë do të ishte i pamundur pa ndihmën e Ilirit, komandantit të shërbimit zjarrfikës të Gramshit,” rikthehet në bisedë Giaccomo.

“Iliri ka punuar 14 vjet në zonën e Val Camonica, në Itali, dhe respekti mes nesh ka mbetur i pandryshuar,” shtoi Giaccomo, duke kujtuar se edhe emir Ilir na kujton një raport lidhjeje mijëvjeçar mes dy popujve tanë.

Enigma e Kanionit të Holtës

E panjohura e kanionit të Holtës, lidhet kryesisht me mungesën e plotë të informacionit që të çon drejt tij.

Por edhe për prejardhjen e emrit të bukur të kanionit dhe të lumit në mes, askush nuk na ndihmon.

Tabelat e pakta janë zbardhur plotësisht nga koha e janë të palexueshme, dhe për të zbritur përfundimisht nga automjeti duhen pyetur rrugës të paktën katër apo pesë vetë.

Vendasit, njëlloj si pushteti vendor duken të painteresuar për pasurinë natyrore pranë tyre.

Në listën e fshatrave shohim të fundit tabelën e fshatit Kotorr, ndërsa emri Holta është shkruar vetëm si emri i restorantit mbi lumë.

Drejt grykës me lartësi mbi 50 metra, që çan në formë gjarpërushe në një distancë prej gati 3 kilometra, njerëz të të gjitha moshave, fëmijë, vendas dhe të huaj, kujdesen për ti vënë këmbët mbi gurët e zhurit, që herë duken e herë jo nën ujë.

Disa të moshuar pasionantë kalojnë nga njeri krah i përroit të rrëmbyer, duke u mbajtur për dore.

Disa të tjerë i kanë mbajtur të veshura këpucët sportive edhe në ujë, ndërsa disa të tjerë i kanë besuar pantoflave të plastikës.

Asnjë informacion për këto këshilla të rëndësishme, dhe aq më tepër për stacionet e mundshme të kanionit me distancat nga hyrja kryesore; dhe ku nuk kuptohen formacionet shkëmbore apo monumentet që dallohen gjatë rrugës.

Kthehemi atëhere kur më të guximshmit na këshillojnë se nuk ka asgjë tjetër për tu parë.

Në dalje një grup i madh me të huaj, kanë ngjeshur mbi kokë kaskat e domosdoshme në shpella, e që askush nuk i ka këshilluar deri tani.

Tabelën me fletushkën e Administratës së Zonave të Mbrojtura Elbasan – që në një format A3 tregon se Monumenti natyror ndodhet pranë fshatrave Kabash dhe Tërvol, e gjejmë atëhere kur përgatitemi për tu kthyer në shtëpi.

Ganiu, i cili kullot dhitë dhe kecat në një korije pranë lumit, thotë se “vetëm të shtunën e të dielën në kanion kanë ardhur mbi 200 vetë”.

“Por shumë rrallë ndonjëri prej tyre ble ndonjë keç, përfundoi Ganiu, teksa kujdeset për dhitë e shpërndara në faqe të kodrës./ Birn

Exit mobile version