Nuk pritet një recesion global

Ky është një lehtësim për investitorët kudo në botë, shkruan The Economist

 

Pasi u raportua një rënie e punësimit në Amerikë, është rritur frika se ekonomia më e madhe në botë po shkon drejt recesionit. Tregjet amerikane të aksioneve kanë rënë, dhe kjo frikë është përhapur në vende të tjera.

Indeksi Topix i Japonisë është ulur me 15% që nga niveli i fundit. Indeksi kryesor i Gjermanisë është ulur me 7%. Kur Amerika teshtin, bota ftohet.

Por po të vërejmë më nga afër të dhënat e fundit, do të kuptojmë se ekonomia globale nuk është në rrezik dhe se paniku i tregjeve mund të jetë i gabuar. Marrim së pari tregun e punës.

Shkalla e papunësisë në Amerikë është rritur që nga niveli më i ulët prej 3.4% në prill 2023, duke arritur në 4.3% në korrik.

Historia tregon se një rritje e kësaj madhësie, zakonisht shoqërohet me një rënie të prodhimit ekonomik, duke çuar nga ana tjetër, edhe në një rritje të mëtejshme të papunësisë, falimentimeve dhe rënies së të ardhurave.

Sidoqoftë, ky cikël mund të jetë ndryshe, siç tregojnë tregjet e punës në pjesë të tjera të botës. Për muaj të tërë, papunësia është rritur ngadalë pothuajse kudo.

Shkalla e papunësisë në Gjermani është rritur nga niveli më i ulët prej 2.9%, në 3.4% sot. Në Britani është rritur nga 3.6% në 4.4%, ndërsa në Australi ka shkuar nga 3.5% në 4.1%.

Një pjesë e kësaj rritjeje ka një shkak të përbashkët: lirimin e tregut jashtëzakonisht të shtrënguar të punës, pas pandemisë Covid-19.

Jo shumë kohë më parë, punëdhënësit, që po vuanin nga mungesa e fuqisë punëtore dhe kërkesa e lartë, ishin të gatshëm të punësonin pothuajse këdo.

Tani, ata mund të jenë bërë disi më përzgjedhës.

Për më tepër, papunësia po rritet pjesërisht edhe për shkak të ndryshimeve në fuqinë punëtore të shteteve të pasura.

Shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore në shtetet anëtare të OECD-së për personat në moshë pune, ka arritur së fundmi nivelin më të lartë të të gjitha kohërave. Ata që dikur nuk po kërkonin punë, tani po kërkojnë në mënyrë aktive.

Kjo mund të rrisë shkallën e papunësisë në një periudhë afatshkurtër. Këta njerëz kanë arsye të mendojnë se së shpejti do të gjejnë një vend pune, sepse rritja e vendeve të punës mbetet mjaft e fortë.

Gjatë tremujorit të fundit, punësimi është rritur me 0.8% në Australi dhe 0.6% në Kanada. Edhe pse punësimi në Japoni ra me 0.03%, ky është një përjashtim për vendet e pasura.

Është gjithashtu e vështirë të baraspeshohet dobësia e tregut të punës me rritjen e pagave, që në ekonomitë e zhvilluara, e tejkalon lehtësisht normën e inflacionit.

Të dhënat e prodhimit janë edhe më të qarta se ato të punësimit. Duke vërejtur një sërë të dhënash, duket qartë se nuk ka shumë prova të ndonjë ngadalësimi.

Në një recesion tipik, fitimet e kompanive bien, por tani për tani, firmat në vendet e pasura kanë pasur një ecuri mjaft të mirë.

Sipas një studimi nga Deutsche Bank, në tremujorin e parë të këtij viti, rritja globale e fitimeve të korporatave arriti nivelin më të lartë në shtatë tremujorë. Ecuria e fortë duket se ka vazhduar edhe në tremujorin e dytë.

Fitimet e kompanive amerikane duket se janë rritur me më shumë se 10% nga viti në vit. Më 6 gusht, kompania Uber raportoi rezultate të mira.

Një pjesë e mirë e kompanive europiane po mposhtin pritshmëritë e analistëve për fitime. Në Korenë e Jugut, fitimet e tremujorit të dytë ishin më të mira se sa pritej.

Ekonomia në përgjithësi ka një histori të ngjashme. Një gjurmues javor i veprimtarisë ekonomike amerikane, i përpiluar nga Banka e Rezervës Federale të Dallasit, tregon pak shenja dobësie.

Një “tregues i menaxherëve të blerjeve” që gjurmon kushtet ekonomike globale, mbetet po ashtu i fortë. Edhe pse ritmi i zgjerimit ekonomik u ngadalësua në korrik, ai mbeti ndër më të mirët e regjistruar gjatë vitit të kaluar.

Një “tregues i veprimtarisë së tanishme” i krijuar nga banka Goldman Sachs, na jep një arsye tjetër për optimizëm.

Ky tregues me një frekuencë të lartë dhe i përpiluar nga një sërë burimesh, parashikon përparimin e PBB-së në vendet e pasura. Treguesi është pak më i fortë se në pjesën më të madhe të vitit të kaluar.

Disa ekonomi përballen me një rritje të dobët ekonomike, duke përfshirë Austrinë dhe Francën. Por ato kanë pasur vështirësi të tilla prej një viti, dhe gjendja është shumë më e mirë tani se disa muaj më parë.

Po ashtu, pasqyra e inflacionit po përmirësohet. Pasi arriti kulmin në 10% në fund të vitit 2022, inflacioni mesatar në vendet anëtare të OECD–së, ka rënë në mënyrë të vazhdueshme.

Në qershor, çmimet mesatare në të gjithë bllokun, u rritën me 2.6% në bazë vjetore, afër objektivave të bankave qendrore prej 2%.

Rreth një e katërta e vendeve të OECD-së, e kanë ulur inflacionin në atë nivel ose më poshtë. Inflacioni vjetor në Itali është më pak se 1%, ndërkohë që rritja e çmimeve të konsumit në Francë dhe Gjermani, është pothuajse brenda objektivit.

Është ironike që shqetësimet rreth recesionit janë përhapur pikërisht tani kur vendet e pasura duket se po arrijnë një “ulje të butë”, që nënkupton se bankat e tyre qendrore do të arrijnë të ulin inflacionin brenda objektivit, pa shkaktuar shumë dëme ekonomike.

Shqetësimet për ekonominë, me kalimin e kohës, ndoshta mund të bëhen realitet. Ndërsa tregjet e aksioneve bien, familjet mund të fillojnë të shqetësohen për të ardhmen ose të ndjehen më të varfra, duke ulur shpenzimet.

Disa kompani mund të anulojnë planet e investimeve. Inflacioni nuk është mposhtur ende, edhe pse ka rënë. Për shkak të çmimeve të paqëndrueshme të mallrave, ai mund të rritet përsëri.

Normat e larta të interesit vazhdojnë të bien. Sidoqoftë, tani për tani, ekonomia globale mbetet në një gjendje të mirë shëndetësore.

Exit mobile version