Ermela Kripa: Buxheti i ri për arsimin, ende shumë larg standardeve europiane

Prof. Asoc. Dr. Ermela Kripa

Arsimi konsiderohet sot, jo vetëm një nga të drejtat themelore të njeriut, por një mjet i pazëvendësueshëm me anë të të cilit realizohen të drejtat e tjera të njeriut. – “Edukimi është mjet i më i fuqishëm për të ndryshuar botën“, – thoshte Nelson Mandela.

Arsimi është padyshim një prej investimeve më të mira që mund të ndërmarrë një vend, pasi një mendje aktive, e shkolluar, e aftë të mendojë në mënyrë të lirë, është një përfitim i jashtëzakonshëm për njerëzimin.

E drejta për arsim duhet të jetë mjeti i parë me anë të të cilit çdo individ mund të përmirësojnë kushtet e jetesës dhe të kontribuojnë në komunitet.

Buxheti i arsimit për 2025-ën

Në prezantimin e ri të projektbuxhetit të vitit 2025 për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, ajo që bie më shumë në sy është rritja e tij me 9.4 miliardë lekë me shumë se vitin e kaluar, por sërish një shifër kjo larg objektvit 5 % të PBB.

Me pak fjalë, për vitin që vjen buxheti i Ministra e Arsimit dhe Sportit (MAS) parashikohet të jetë 62 miliardë e 20 milionë lek. Në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë, ministrja Ogerta Manastirliu prezantoi planin e investimeve në këtë sektor me një projektbuxhet që ka pësuar rritje me mbi 18%. Sipas MAS, investimet në arsim janë 3.4% PBB dhe po njohin rritje të konsiderueshme vit pas viti.

Sipas MAS, buxheti 2025 konsiderohet si buxheti më i lartë historik për arsimin. Kjo padyshim që mund të jetë e vërtetë, por është shumë larg investimeve që qeveria duhet të bëjë për një arsim cilësor në vend.

Po sipas MAS ky buxhet garanton nivelin e pagave në 950 euro në muaj mesatarisht, investime të reja dhe vazhdim të infrastrukturës arsimore dhe digitale. Po ashtu, financim për ndërkombëtarizimin e universiteteve dhe kërkimin shkencor duke mbështetur nxënësit dhe studentët.

Arsimi bazë do të marrë pjesën më të madhe të parave, ndjekur nga arsimi universitar dhe ai i mesëm. Pjesa tjetër e parave do të shkojë për shkencën dhe zhvillimin e sportit.

Por a janë të mjaftueshmë këto para për arsimin e lartë?

Sipas shifrave, vetëm 13.030.000 e parave do të shkojnë për arsimin e lartë. A mjaftojnë këto para, për të adresuar problematikat dhe problemet e arsimit të lartë aty ku duhen? Dhe në fakt problematikat janë shumë duke nisur nga cilësia e mësimdhënies nëpër universitete, me kurrikula të vjetra e mungesë investimi në infrastrukturë e kapital njerëzor; mungesa e projekteve e kërkimi shkencor, largimi i konsiderueshëm i popullsisë së diplomuar, kushtëzimet financiare, mungesa e autonomisë, mungesa e tregut të punës për shumë degë. Me sa duket as rritja e parashikuar nuk do të ndryshojë shumë gjëra.

Shqipëria është vendi me nivelin më të ulët të shpenzimeve për arsimin në rajon në raport me PBB. Kosova kryeson me 4.6 përqind të PBB ndjekur nga Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Nga ana tjetër sipas të dhënave të Bankës Botërore një vend Europian shpenzon sot mesatarisht 4.9 për qind të GDP për arsimin.

20 vitet e fundit kanë patur natyrshëm një rritje masive të kërkesës për arsim të lartë. Ky trend i njohur globalisht, ka qenë edhe më i mprehtë në Shqipëri si rrjedhojë e mbylljes agresive të sistemit gjatë regjimit, por edhe si rrjedhojë e moshës së re të popullatës në vend.

Pavarësisht numërit në rritje të të rinjve që vazhdojnë studimet e larta, cilësia e arsimit mbetet e ulët duke çuar në zvogëlimin e përfitimeve nga arsimi dhe uljen e cilësisë së kapitalit njerëzor.

Sipas vlerësimit të Bankës Botërore në Shqipëri, më shumë se gjysma e studentëve nuk arritën aftësitë minimale në lexim dhe matematikë në testin PISA.

Sipas BB, Shqipëria ka vuajtur e vazhdon të vuaj nga një përqindje shumë e ulët e popullsisë që vazhdon arsimin e lartë. Po sipas këtij raporti shtetet që kanë një përqindje të vogël të popullsisë me arsim të lartë kanë edhe emigrimin më të lartë të trurit. Shqipëria ka 13% të popullsisë me arsim të lartë, në një kohë që 45% e tyre kanë emigruar./Liberale.al

Artikulli paraprakLajm i keq për të moshuarit, as në 2025 nuk rriten pensionet, do të ketë vetëm bonus përpara zgjedhjeve parlamentare…
Artikulli tjetërSalah: Jam i zhgënjyer, është pothuajse dhjetori nuk kam marrë ofertë rinovimi nga Liverpool-i