Nga Ervis Iljazaj
Ambasada Amerikane në Tiranë ka njoftuar zyrtarisht ndërprerjen e fondeve për të gjitha institucionet shqiptare si pasojë e urdhërit ekzekutiv të Donald Trump. Ky nuk është aspak lajm i mirë për Shqipërinë sepse me këto fonde shumë institucione shqiptare, sidomos ato të drejtësisë kanë aplikuar praktika të cilat lehtësojnë punë e tyre. Mirëpo lajmi këtu është pikërisht se ndërpriten edhe fondet për SPAK, dhe jo vetëm në terma financiare por edhe logjistikë nëpërmjet asistencave të ndryshme.
Kjo gjë tregon në fakt idenë se SPAK ka qenë nën mbrojtjen dhe mbështetjen amerikane dhe jo të qeverisë. Dhe heqja e mbështetjes së ShBA, sigurisht e dobëson pozitën e këtij institucioni në raport me politikën shqiptare. Madje, nëse ky institucion nuk do t’i ketë paratë dhe mbi të gjitha mbështetjen politike të amerikanëve, ka shumë gjasa që në të ardhmen të bjerë në duart dhe ndikimin e qeverisë.
Në këtë kuptim gëzimi që është shfaqur nga opozita sot pas këtij lajmi, është një gëzim absurd. Absurd sepse heqja e mbështetjes amerikane ndaj SPAK nuk e bën këtë të fundit më të pavarur apo më të drejtë, përkundrazi, rreziku qëndron që të jetë nën presion politik të pushtetit dhe ndikimit të tij. Sepse kurajo e SPAK për të hetuar njerëz me pushtet vinte pikërisht nga mbështetja amerikane. E vetmja shpresë e opozitës është që bashkë me qeverinë dhe Partinë Socialiste t’i vënë kyçin këtij institucioni. Dhe këtë gjë, nëse Amerika nuk do ta mbështesë SPAK, do të ishin shumë të lumtur ta bënin që të dyja palët. Nëse ka një njeri që është i interesuar që SPAK mos të ketë fondet dhe mbështetjen amerikane, ky është Edi Rama.
Nuk kuptohet se si opozita shqiptare të entuziazmohet se një organ i drejtësisë nuk ka më mbështetje amerikane, kur dihet që kundërshtari kryesor i kësaj qeverie nuk është ajo, por pikërisht SPAK. Por me sa duket, opozita nuk është e interesuar që të luftohet korrupsioni qeveritar ashtu sikurse është bërë deri tani, por thjesht të realizohet çmontimi i SPAK, sepse lideri i saj ka një konflikt interesi me drejtësinë.
Megjithatë, entuziazmi duket i tepruar dhe i parakohshëm. E para, sepse ndërpreja e fondeve nuk tregon asgjë për SPAK, por është thjesht një vendim për të gjithë botën ku pezullohen të gjitha financimet amerikane përkohësisht. E dyta, edhe nëse ndërpiten këto fonde, SPAK mund të ketë mbështetje politike prej tyre. Dhe e treta, SPAK financohet edhe nga fonde të Bashkimit Europian dhe ka mbështetjen e Unionit. Megjithatë, heqja dorë e Amerikës nga mbështetja e qartë dhe e fortë ndaj tij, sigurisht që e dobëson në raport me politikën dhe pushtetin.
Politika shqiptare, e gjitha, do të ishte shumë e lumtur që të ndërtonte një drejtësi të re, të gjithën të sajën, pa mbështetje amerikane dhe europiane, ashtu sikurse kanë bërë për 30 vite me radhë. Dhe të gjithë e dimë se si ka qenë kjo drejtëisë. Megjithatë, është e vërtetë, se pikërisht tani, në momentin kur SPAK ishte duke hetuar dhe akuzuar njerëz të niveleve të larta të pushtetit, pezullimi i financimeve amerikane është një goditje për të. Dhe kjo gjë, lumturon pa masë pushtetin në Shqipëri./liberale.al