“Është kthyer në rajon si aktor i rëndësishëm” – Studiuesit: Kina shfrytëzoi mungesën e vëmendjes së BE-së në Ballkanin Perëndimor

Gjysmë-shekulli pasi testoi fuqinë e saj në betejat gjeopolitike të Luftës së Ftohtë në Evropën Juglindore, ku Shqipëria totalitare luajti një rol kritik, në këtë epokë të re të çarjeve të sërishme politike, Kina është kthyer në rajon si një aktor i rëndësishëm.

 

Për Kinën, Ballkani Perëndimor, ku tani më shumë se gjysmë shekulli më vonë shumica e shteteve janë anëtare të NATO-s por jo edhe të Bashkimit Evropian, sipas studiuesve, me të cilët bisedoi kolegia Garentina Kraja, po luan rolin e një ure ekonomike ndërmjet Kinës dhe Evropës Perëndimore, duke mbushur boshllëkun e premtimeve të parealizuara për integrim evropian. Megjithatë, studiuesit shohin një ngecje të hovit të saj dhe bëjnë dallim mes ndikimit të saj dhe ndërhyrjes së Rusisë në rajon.

Në një të kaluar jo shumë të largët, Shqipëria u shndërrua në trofeun e çarjes së madhe kino-sovjetike brenda kampit komunist, që në vitet ‘60-të përbënte njërën prej përplasjeve më të mëdha ideologjike në botë. Fillimisht shtet satelit i Bashkimit Sovjetik, Shqipëria u shkëput nga ky bllok në mesin e viteve të 60, duke përqafuar për një dekadë Kinën si partneren e saj strategjike në betejën kundër të ashtuquajturit “imperializëm perëndimor”.

Por pas ftohjes së marrëdhënieve në fund të viteve 70-ta, Kina, e cila u përpoq të modelojë Shqipërinë në imazhin e saj, nuk pati ndonjë prani domethënëse në rajon deri në dhjetë vjetët e fundit.

Sot, në këtë periudhë çarjesh të reja, që po ndajnë demokracitë nga sistemet autokratike, Kina si ekonomia e dytë më e madhe në botë, ka krijuar një shteg të saj në rajon.

Elidor Mëhilli, profesori i historisë dhe politikave publike në Kolegjin Hunter në Nju Jork, studiues i historisë së marrëdhënieve ndërmjet Kinës dhe Shqipërisë dhe autor i librit “Nga Stalini te Mao: Shqipëria dhe bota socialiste”, thotë se Kina e ndryshoi strategjinë në dekadën e fundit përmes nismës “Një Brez, një Rrugë” që synon zgjerimin e pranisë së saj ndërkombëtare.

“Interesi kinez për Ballkanin është si një lloj ure lidhëse mes tregtisë, sidomos nëpërmjet Greqisë ku kinezët kanë bërë investime strategjike dhe vendeve të Bashkimit Evropian. Duke qenë se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë ende pjesë e BE-së, është një mënyrë për t’u futur në tregun e madh ndër-evropian. Por ajo çka vendet e Ballkanit Perëndimor japin, një karakteristikë që nuk e gjen dot tek vendet e Bashkimit Evropian është se ato nuk janë të detyruara të aplikojnë standardet e BE-së. Pra është njëfarë ure ndërlidhëse strategjike, por pa qenë e nevojshme të respektojnë të gjitha standardet e BE-së”, thotë ai.

Por prania e Kinës në këtë dekadë nuk ishte e njëllojtë në të gjitha shtetet dhe kufiri mes investimeve dhe huadhënies për shkak të mungesës së transparencës nga Pekini dhe shtetet përfituese, u bë përherë e më i turbullt.

Përfituesja kryesore ekonomike e pranisë kineze në Ballkanin Perëndimor është Serbia, tregu i së cilës kap rreth 80 për qind të investimeve të drejtpërdrejta dhe huave kineze në rajon, që llogaritet të kenë arritur në disa miliarda dollarë.

Sipas ligjeruesit të politikës globale dhe drejtuesit i departamentit për studime politike evropiane dhe ndërkombëtare në “Univeristy College London”, Igor Rogelja, futja e Kinës në rajon erdhi si rezultat i një përfitimi të dyanshëm, por që tani ky ndikim ka shënuar ngecje.

“Në esencë, ishte çështje e kërkesës dhe furnizimit. Shumë vëmendje, në veçanti nga Bashkimi Evropian, iu kushtua synimeve të Kinës, ndoshta qëllimeve të pathëna apo ambicieve të saj për t’u bërë lojtar i pushtetshëm në rajon. Por, një këndvështrim i tillë nënvleftëson veprimet e shteteve dhe qeverive të Evropës Juglindore. Në thelb, Kina siguroi atë që në shumë forma Bashkimi Evropian neglizhoi dhe në veçanti për çështjet që kanë të bëjnë me qasjen në huamarrje e deri tek kapitali për zhvillime infrastrukturore… Është e rëndësishme të theksojmë se shumë nga gjërat që Kina i financoi nuk ishin gjëra të ëndërruara në Pekin, por projekte që shtetet e Evropës juglindore i dëshironin,” thotë ai.

Ndonëse peshën e pranisë së saj Kina e vendosi tek zhvillimi ekonomik, pasojat janë edhe politike, thotë historiani Mëhilli. Ai veçon Serbinë e cila ka shfrytëzuar interesin e Kinës për të lidhur portet greke me tregjet evropiane përmes rajonit, për të ngritur profilin e saj ndërkombëtar në imazhin e një shteti që baraspeshon fuqitë e ndryshme, si pjesë e politikës së saj të jashtme.

“Në rrafshin politik, këtu duhet të diferencojmë disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor nga disa prej vendeve të tjera. Për shembull, historia ndryshon kur vjen puna te Serbia dhe kur vjen puna tek Shqipëria. Këto janë vende me orientim tjetër politik, me interesa të tjera politike edhe të përdorimit të brendshëm të influencës kineze… Çfarë dua të them me përdorim i influences kineze? Presidenti serb Vuçiç, në deklaratat e veta publike, trumpeton me të madhe ndihmën kineze, faktin që Kina është një mbështetëse e madhe politike e Serbisë dhe ky në njëfarë mënyre është një mesazh që i drejtohet Evropës Perëndimore, i drejtohet BE-së dhe aktorëve politikë në Perëndim”, thotë zoti Mëhilli.

Sipas historianit Mëhilli, me këtë politikë ndaj Kinës, “elita serbe në Beograd nxerr kapital politik për përdorim të brendshëm duke thënë se Serbia ka një aleat të fuqishëm ekonomik dhe një superfuqi në rritje.”

Për profesorin Rogelja “vonesat në dekarbonizimin e rajonit, investimet në projekte që nuk janë të qëndrueshme dhe vazhdimësia që u sigurohet rrjeteve që kanë elemente korruptive apo që nuk kanë transparencë” janë efektet negative që shoqëruan ardhjen e Kinës në Ballkan dhe të cilat mund të vazhdojnë të ndërlikojnë politikat e BE-së ndaj rajonit.

Sipas studiuesve, prania e Kinës në rajon ka patur një pasojë të papritur pozitive, duke detyruar Bashkimin Evropian dhe nxitur hartuesit e politikave në kryeqytetet evropiane që të rikalibrojnë angazhimin e tyre sërish në rajon.
“Megjithatë sa i përket BE-së, ishte një lloj alarmi i mirëseardhur në oborrin e saj, i cili u neglizhua pas përfundimeve të konflikteve të viteve ‘90-të… Andaj një lloj gare këtu ishte e mirëseardhur”, thotë studiuesi Rogelja.

Në çështje tjera politike, siç është pavarësia e Kosovës, të cilën Kina nuk e njeh, ndonëse nuk ka një bashkërendim, ka një rreshtim interesash.

Për dallim prej ndikimit të Rusisë në rajon, që sipas ekspertëve, ndërhyn në mënyrë aktive në çështjet e brendshme, zoti Rogelja thotë se Kina është më pragmatike dhe më e përqendruar në bashkëpunimin ekonomik se sa në kombinime politike apo gjeostrategjike.

“Kina dhe Serbia kanë qëndrime që përputhen, që plotësojnë njëra tjetrën; Kina ka një qëndrim të prerë dhe të pa kompromis rreth sovranitetit. Ajo nuk toleron asnjë lloj diskutimi për Tajvanin apo pjesët perëndimore të Kinës, apo të drejtën e vetëvendosjes. Ky është edhe qëndrim i Serbisë”, thotë zoti Rogelja.

Por, tensionet e shtuara ndërmjet fuqive me interesa të kundërta në rajon mund ta shndërrojnë rajonin në një “betejë idesh”.

“Qartazi ka një konflikt gjeopolitik apo një garë në përgatitje e sipër ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Kjo garë do të jetë shumë më e dukshme në Azinë Lindore, në oborrin e Kinës. Por mendoj se Ballkani doli, ndoshta paksa befasisht, si një fushëbetejë e rëndësishme në këtë garë… “, shton zoti Rogelja.

Ai thotë se Ballkani është “një ambient testues ku shumë gjëra mund të provohen dhe të eksperimentohen.”

“Është e qartë se bëhej fjalë për një strategji për të përdorur Ballkanin si një lloj dere të vogël, një terren ku do ta provonte veten, ku do ta përsoste ofertën e saj për të vazhduar drejt Evropës”, shton ai.

Profesor Mëhilli thotë se vendeve si Shqipëria dhe Kosova duhet, siç shprehet ai, të kenë “zgjuarsi taktike” në marrëdhëniet me një vend si Kina dhe të ndjekin “një politikë të diferencuar”, që ndan marrëdhëniet ekonomike nga të cilat përfitojnë shtetet e rajonit dhe orientimin strategjik pro-perëndimor të tyre.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor janë të rëndësishme, por rëndësia e tyre është relative kundrejt politikave të Bashkimit Evropian dhe unë do të thoja çfarë duhet Bashkimi Evropian të bëjë duke e parë politikën dhe influencën në rritje të vendeve si Kina në Ballkanin Perëndimor. Këto janë vende në pritje”, thotë ai.

Me përparësi, sipas studiuesit Mëhilli, është që BE-ja ta sqarojë ofertën e saj për rajonin./VOA

Exit mobile version