Tre golat e pësuar në transfertën e Cagliarit nuk e kanë eklipsuar aspak performancën pozitive të Etrit Berishës në portën e Atalantës. Mbrojtja bergamaske nuk arrin të mbyllë hapësirat dhe në 4 javët e para ka bërë një paraqitje shumë të dobët, duke u vlerësuar si mbrojtja e katërt më e dobët në kontinent. Gjithsesi, gardiani kuqezi bëri disa pritje vendimtare në Sardenjë, duke e shpëtuar ekipin bergamask nga një humbje më e thellë. Në këtë mënyrë, trajneri Gianpiero Gasperini planifikon t’i besojë sërish një rol titullari në sfidën direkte të mbijetesës kundër Palermos. Të mërkurën Berisha pritet të debutojë përpara tifozëve zikaltër në “Atleti Azzurri”.
Ai do të zbresë në fushë që nga minuta e parë për të mbrojtur katërkëndëshin e skuadrës së tij në një ndeshje që ndoshta në fund të sezonit mund të rezultojë vendimtare për të dyja skuadrat. Tri disfata në 4 ndeshjet e para janë shumë për Atalantën dhe trajneri kërkon një fitore që do të rikthente qetësinë. Sipas mediave italiane, Berisha po gëzon një formë të mirë, por ai po përfiton edhe nga disa probleme fizike që po kalon Sportiello dhe në këtë mënyrë, 90 minutëshi i dytë si titullar pritet ta konfirmojë si zgjedhjen kryesore të Gasperinit për sezonin e gjatë në Serie A.