“Euro 2016”, ja luhatjet e Grupit A

Europiani po troket dhe faqja e specializuar e transferimeve, “Transfermakt.de” bën një përditësim të vlerësimit të futbollistëve në merkato në prag të kompeticionit kontinental. Analiza ku vlerësohen luhatjet e vlerës së futbollistëve në bursën e merkatos në momentin që i drejtohen Francë 2016 bëhet grup pas grupi dhe fillon me atë A, ku bën pjesë dhe Shqipëria. Studimi i Transfermarkt evidenton se shumë prej futbollistëve të grumbulluar nga De Biasi vijnë “në rritje” në Europian, pavarësisht se si vlerë nuk mund të krahasohen me yjet e Francës. Kështu evidentohet se nga Shqipëria plot 8 futbollistë kanë rritur vlerën e tyre në sezonin e fundit, ndërsa vetëm 2 kanë pësuar rënie, ndërsa pjesa tjetër kanë ruajtur stabilitetin për sa i përket vlerës së kartonit. Bilanc ky që mund të krahasohet vetëm me Francën, ku 9 futbollistë kanë rritur çmimin me performancat e fundit, ndërsa 4 të tjerë kanë pësuar rënie, ndërsa në këtë krahasim është ndjeshëm inferiore Zvicra ku vetëm 4 futbollistë kanë rritur vlerën e tyre, ndërsa 9 kanë pësuar rënie të çmimit të kartonit e po ashtu dhe Rumania me vetëm 3 futbollistë në ngjitje dhe 7 të tjerë në rënie.
Për sa i përket Kombëtares shqiptare lojtari që vlerësohet më shumë dhe njëkohësisht ka shumëfishuar vlerën e tij është Elsied Hysaj. Një ndër pikat më të forta të Kombëtares siç u pa dhe në ndeshjen me Ukrainen, Hysaj sot kushton 12 milionë Euro, një çmim ku është katapultuar po të merret parasysh se kur u transferua te Napoli vlente 3 milionë Euro. Pas Hysajt, lojtarët që vlejnë më shumë në treg nga Shqipëria janë Taulant Xhaka dhe Etrit Berisha që vlerësohen në kuotën e 4 milionë Eurove, të ndjekur nga Ergys Kaçe me 3 milionë Euro. Çmimet e tyre kanë qëndruar stabël, ndërsa pas Hysajt ata që kanë bërë hapa para në vlerësimin e kartonit janë Sokol Cilalleshi që sot vlen 2.8 milionë Euro, Amir Abrashi, Ledian Memushaj, Mërgim Mavraj, Arlind Ajeti, Ermir Lenjani dhe portieri i Partizanit, Alban Hoxha. Janë këta 8 futbollistët në rritje te Shqipëria, ndërkohë që vlera e kartonit ka rënë në sezonin e fundit për Orges Shehin dhe Odise Roshin. Për sa i përket rivalëve të grupit, Mbreti te Zvicra është padyshim vëllai i Taulantit, Granit Xhaka, me “Topçiun” e ardhshëm të Arsenalit që tani vlen 35 milionë Euro. Në radhët e helvetëve rënie të çmimit kanë pësuar Ricardo Rodriguez, Xherdan Shaqiri, Lichtsteiner, Seferoviç e Admir Mehmedi, po ashtu sui Fabian Frei e Valon Behrami.
Në radhët e Francës, futbollistët që kanë rritur ndjeshëm çmimin e tyre në treg janë finalisti i Championsit, Antoine Griezman, që sot vlen 70 milionë si dhe kampioni i Anglisë, N’golo Kante, që falë mrekullisë me Leicester sot vlen 25 milionë Euro, në fakt futbollistët që vijnë me një ecuri pozitive nga radhët e gjelave janë të shumtë, duke përfshirë këtu, Coman, Anthony Martial, Dmitri Payet, Hugo Lloris ndërsa në rënie përs ai përket vlerës vijnë Patrice Evra dhe Olivier Giroud. Në fund dhe vlerësimi i kundërshtarit me të cilin do të kemi ndeshjen e fundit në Grup, Rumania, ku ai që vjen i fituar është Stanmciu i Steauas së Bukuresghtit, ndërsa një rënie të ndjeshme kanë pësuar Chiriches dhe portieri Pantilimon.

Exit mobile version