Vritet gazetari amerikan dhe përkthyesi

Një gazetar amerikan dhe përkthyesi i tij afgan, janë vrarë të dielën gjatë një sulmi mbi një njësi ushtarake me të cilën ata po udhëtonin ne krahinën e Helmandit në Afganistanin jugor.
Radioja Publike Kombëtare (NPR) në Shtetet e Bashkuara tha se janë vrarë fotoreporteri David Gilkey dhe përkthyesi i tij Zabihullah Tammana. Dy gazetarë të tjerë që po udhëtonin me ta, kanë shpëtuar pa lëndime.
Nuk janë bërë të ditura hollësi të tjera rreth këtij rasti sikundër as hollësi, nëse ka pasur viktima të tjera nga radhët e njësisë ushtarake.
Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, i cili ndodhet në Pekin, tha në një deklaratë se “ky sulm është një rikujtim i zymtë për rreziqet me të cilat përballet populli afgan dhe për guximin e gazetarëve të patrembur”.
Në faqen e internetit të NPR, 50-vjeçari Gilkey, përshkruhet si një fotograf i shpërblyer si dhe një nga të parët gazetarë të pashoqëruar që kishin hyrë në Afganistan pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001 mbi Shtetet e Bashkuara.
Ai kishte raportuar gjatë viteve 2008 e 2009 edhe për konfliktin e rripin e Gazës ndërmjet Izraelit dhe Hamasit sikundër edhe për pasojat e tërmetit shkatërrues në Haiti në vitin 2010.
David Gilkey kishte mbuluar edhe luftën e Kosovës.
Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve me seli në Shtetet e Bashkuara, tha në një deklaratë se me gjithë zbehjen e vëmendjes së publikut, “Afganistani mbetet një vend i rrezikshëm për gazetarët, vendas e të huaj, që punojnë për të raportuar mbi atë konflikt të zgjatur”.
Në deklaratë përmenden të dhënat për vrasjen e 24 gazetarëve dhe punonjësve të medias që nga kundërpërgjigja amerikane ndaj sulmeve të al-Qaidas mbi SHBA-të në vitin 2001. Këto të dhëna nuk përfshijnë vrasjen e Gilkeyt dhe Tammanas.

Exit mobile version