Ledian Memushaj ishte një prej lojtarëve më të mirë të ndeshjeve të fundit në grupet e Kampionatit Europian. Kjo është arsyeja përse “France Football” e përfshiu mesfushorin kuqezi në formacionin ideal, për ndeshjet e treta në Euro 2016. Një vlerësim i jashtëzakonshëm për vlonjatin, që është renditur përkrah emrave të mëdhenj të futbollit europian, duke nisur nga Cristiano Ronaldo i Portugalisë, Aaron Ramsey i Uellsit apo edhe Ivan Perisic i Kroacisë.
Në formacionin më të mirë të ndeshjeve të treta në grupe, në portë ndodhet kroati Danijel Subashiç, ndërsa mbrojtja përbëhet nga Xhoshua Kimih i Gjermanisë, turku Mehmet Topal, islandezi Arnason dhe uellsiani Neil Teilor. Në mesfushën me tre, Ledian Memushaj rreshtohet në qendër, ndërsa përkrah tij janë uellsiani Ramsey nga e djathta dhe irlandezi Bredy majtas. Cristiano Ronaldo është sulmues i vetëm, ndërsa mbështetet nga krahët nga hungarezi Xhuxhak dhe kroati Ivan Perishiç.
Në vlerësimin me notën 7, “France Football” theksonte se Ledian Memushaj ishte vendimtar në fitoren e Shqipërisë përballë Rumanisë në Lyon, duke dhënë edhe asistin e golit për Armando Sadikun. Harkim perfekt nga afro 40 metra distancë, që nxorri jashtë loje portierin Tatarusanu. Mesfushori 29-vjeçar u cilësua padron i mesfushës, ku ishte i shkëlqyer në caktimin e ritmit të lojës, vertikalizimet për skuadrën dhe goditjet drejt portës. Ndërkohë, revista franceze nuk harroi të theksonte se kuqeziu ishte një ndër protagonistët e rikthimit të Pescara-s në Serinë A dhe vlera e tij e kartonit është rritur vazhdimisht pas paraqitjeve në kampionatin Europian.