Monedha e përbashkët vazhdon të dobësohet përkundrejt lekut duke u këmbyer dje me 136.08 lekë për një euro, 2.5 lekë më pak se një vit më parë për të njëjtën periudhë.
Sipas aktorëve të tregut, rënien e euros e lidhin me efektet sezonale, pasi janari njihet nga shoqëritë tregtare për rënien e volumit të xhiros. Deri më datë 20 të këtij muaji, që përkon me pagesën e sigurimeve, pritet që trendi rënës të vazhdojë. Ashtu sikurse u parashikua, niveli më i lartë i këmbimit u luhat rreth vlerës 137 lekë për një euro, ndërsa një vit më parë në të njëjtën periudhë, niveli 137 lekë ishte niveli më i ulët i këmbimit. Vjet në këtë periudhë niveli më i lartë i këmbimit ishte 139.5 lekë për një euro. Viti 2017 u çel me një normë këmbimi prej 135.4 lekësh, ndërsa pritet që euro të bjerë përsëri në këto nivele këto ditë.
Sipas ekspertëve ka disa arsye në lidhje me dobësimin e monedhës së përbashkët. Së pari, lidhet me injektimin e valutës nga projekti i TAP-it. Megjithatë mbetet për t’u parë niveli i këmbimit pasi të përfundojë investimi. Por, ekspertët theksojnë se stimulimi nga TAP-i ndjehet më shumë rreth datës 20. Arsyeja e dytë është rënia e nivelit të përgjithshëm të konsumit, për më tepër kemi një rritje të depozitave në euro.
Ekspertët presin që në mesin e muajit mars të kemi përsëri një forcim të monedhës euro, pasi bizneset bëjnë mbylljet vjetore dhe nxitojnë të këmbejnë valutën me lek. Euro do të luhatet në këto nivele deri në sezonin veror, ku gjatë tij, për shkak të efekteve sezonale pritet që të ketë përsëri rënie.