Mungesa e linjave të fluturimit me kosto të ulët dhe e aeroporteve dytësore i ka detyruar shqiptarët që t’u drejtohen fqinjëve për të realizuar udhëtime të volitshme. Destinacione europiane që arrihen nga Prishtina, Shkupi e Podgorica me një çmim më të ulët krahasuar me atë që mund të merrej nga Tirana, shtoji kësaj edhe faktin se për një pjesë nuk ka fluturime direkte.
Edhe agjencitë e udhëtimit që ofrojnë ture kulturore apo edhe bileta i programojnë ato me nisje nga aeroporti i Prishtinës, Shkupit madje edhe Podgoricës. Sipas drejtuesve të këtyre agjencive bëhet fjalë për udhëtime që zgjasin nga 4-5 ditë. Në rastet kur klientët dëshirojnë të marrin transport nga agjencia çmimi i ofertës rritet me 25 euro për person.
Janë kryesisht ture kulturore që përfshijnë disa destinacione.
Disa shembuj:
Barcelona
Ky destinacion ofrohet nga agjencitë e udhëtimit përmes linjës direkte nga Shkupi. Aeroporti mund të arrihet me autobus Tiranë–Shkup.
Madridi
Edhe ky destinacion ofrohet nga agjencitë e udhëtimit nga aeroporti i Shkupit me linjë direkte.
Suedia
Kryeqyteti i Suedisë, Stokholmi, është një tjetër vend turistik që mund të arrihet lehtësisht sërish nga aeroporti i Shkupit me linjë direkte.
Zvicra
Nëse dëshironi të vizitoni Cyrihun, një nga qytetet e Zvicrës atëherë do t’ju duhet të shkoni në Prishtinë. Aeroporti “Adem Jashari” ofron fluturime direkte.
Rusia
Shën Petërburgu, një nga qytet e mrekullueshme të Moskës është vënë në axhendën e agjencive turistike si propozim për festën e 14 shkurtit dhe udhëtimet e pranverës.
Për të mbërritur në Shën Petërburg do t’ju duhet të udhëtoni tranzit përmes Stokholmit, nga Shkupi.
Dubai
Vendi i mrekullueshëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Dubai, një destinacion i cili ka filluar të jetë ndër tendencat turistike të këtij viti, ofrohet nga agjencitë shqiptare me fluturime direkte nga Shkupi. Nga ky aeroport, fluturimet mundësohen dy herë në javë.
Nga Shqipëria e lirë vetëm Italia
Nga aeroporti “Nënë Tereza”, kompania me kosto të ulët Wizz Air do të nisë fluturimin e parë në datë 5 prill. Prenotimet, sipas agjencive turistike kanë kohë që janë bërë. Por në krahasim me Shkupin, Wizz Air është shumë më i shtrenjtë në Tiranë.
Të vetmet destinacione që tashmë janë shumë më të lira se një vit më parë janë drejt Italisë, ku shtimi i konkurrencës dhe hyrja e operatorëve të rinj ka ndikuar në uljen e çmimeve dhe një udhëtim vetëm vajtje drejt Milanos e gjen edhe me 35 euro.
Mungesa e aeroporteve dytësore
Vitin e kaluar, qeveria u “fali” dy vite shtesë gjermanëve që menaxhojnë TIA-n, ndërsa është folur edhe për hapjen e aeroporteve në Jug.
Në fillim të këtij viti, qeveria deklaroi se hapat konkretë për ndërtimin e aeroportit të Jugut do të nisin në vitin 2018. Në buxhetin afatmesëm, për vitet 2017-2019, qeveria ka parashikuar rreth 4 milionë dollarë për këtë qëllim. Sipas dokumentit, një fond prej 420 milionë lekësh do të përdoret për projektimin e detajuar dhe ndërtimin e tij.
Ndërsa fillimisht u fol për qytetin e Gjirokastrës, në listën e kandidatëve për ndërtimin e aeroportit të Jugut janë shtuar tashmë qytetet e Sarandës, Korçës Vlorës e Fierit.
Këto qytete përcaktohen si kandidatë potencialë për ndërtimin e një aeroporti të tretë ndërkombëtar, pas Rinasit e Kukësit, në Strategjinë Sektoriale të Transportit 2016-2020.
Në Shqipëri numërohen në total 12 fusha aviacioni të vogla, kryesisht të mbuluara me bar, të cilat potencialisht mund të përdoren për fluturime civile.