Viti 2024 e thelloi edhe më shumë krizën e eksporteve. Shifrat e INSTAT tregojnë se gjatë vitit të shkuar eksportuesit humbën 67 miliardë lekë, kryesisht nga zhvlerësimi i monedhës euro. E kundërta ka ndodhur me importet. dyfishimi i tyre gjatë vitit të kaluar bëri që prodhimi i huaj të dominojë tregun vendas.
Më pak u shitën dhe dyfish më shumë u blenë. Viti 2024 u mbyll me tkurrje të fortë të eksporteve dhe fuqizim të mëtejshëm të importeve.
Dy janë faktorët kryesorë që dëmtuan bizneset eksportuese shqiptare. Forcimi i monedhës kombëtare ‘lekë’, përkundrejt valutave, sidomos ndaj monedhës europiane, që zhvlerësoi muaj pas muaj fitimet e bizneseve eksportuese, për shkak se shitjet i kanë në euro, kurse kostot në lekë. Por nga ana tjetër ekspertët thonë se edhe ulja e çmimeve në krahasim me krizën e inflacionit ndikon në rënien e vlerës së eksporteve, pasi u shit me çmim më të ulët se viti 2023.
Ndërsa nga ana tjetër prodhimi i huaj ka zënë më shumë vend në tregjet e deri në tryezat tona. Gjatë vitit të shkuar kemi importuar mallra me vlerë 894 miliardë lekë ose 21 miliardë lekë më shumë se në vitin 2023. Praktikisht nga jashtë kemi blerë dyfish më shumë sesa kemi shitur. Sipas INSTAT vjet kemi importuar më shumë makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi dhe ushqime.
Gjatë 2024-ës vendet me të cilat ka pasur më shumë rritje eksportesh ishin Kosova, Greqia dhe Kina, kurse rritjen më të madhe të importeve e pati me Kinën, Gjermaninë dhe SHBA./shqiptarja.com