Me një nismë ligjore të deputetit Blendi Klosi, mazhoranca socialiste synon që ta shtrijë amnistinë nga tatimi mbi fitimin edhe për ato biznese që do të përfitojnë statusin special për hotele ose resorte me katër dhe pesë yje deri në dhjetor të vitit 2026.
Sipas legjislacionit aktual të tatimeve, afati i përjashtimit nga tatimi mbi të ardhurat korporative ka skaduar më 31 dhjetor 2024.
Në projektligjin e dorëzuar në Kuvend në dhjetor, Klosi propozon: “Entitetet që operojnë në struktura akomoduese “Hotel/Resort me katër dhe pesë yje, status special” sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmit dhe që janë mbajtës të një markë tregtare të regjistruar dhe njohur ndërkombëtarisht ‘brand name’, përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat korporative për një periudhe 10- vjeçare, për ato struktura, të cilat përfitojnë statusin special deri në dhjetor 2026”.
Drafti propozon që efektet e përjashtimit fillojnë në momentin e fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, por jo më vonë se 3 vjet nga marrja e statusit special”. Në relacionin shoqërues, Klosi argumenton se kjo nismë ligjore synon “incentivimin e sektorit të turizmit duke ulur normën tatimore në 0% për 10 vitet e para fiskale për hotelet dhe resortet”.
Prej vitit 2019, qeveria e kryeministrit Edi Rama i ka dhënë statusin special të investitorit në struktura akomoduese me pesë yje një grupi biznesmenësh të afërt me të. Këto kompani përfitojnë një sërë lehtësirash të tjera fiskale si përjashtimi nga taksa e infrastrukturës si dhe tatimi mbi vlerën e shtuar, TVSH në masën 6%.
Paralelisht me propozimin e Klosit, në Kuvend po shqyrtohet edhe nisma e një deputeteje tjetër socialiste për shtyrjen e afatit për ligjin e investimeve strategjike./ Me shkurtime nga BIRN