Në takimin e 11-të të Komitetit për Stabilizim-Asociim janë raportuesit për Shqipërinë pranë Parlamentit Europian, Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein ata, të cilët kanë replikuar lidhur me ligjin e reformës shqiptare në drejtësi, atë të Vettingut.
Raportuesit për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan kanë replikuar mes tyre lidhur me situatën e ligjit të njohur si ai i Vettingut në Shqipëri, i mbetur pezull pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Fleckenstain, gjatë diskutimeve në Komitetin e Stabilizim-Asociimit, shprehu domosdoshmërinë e zbatimit të reformave në terren.
Knut Fleckenstein: “Ne duam të shohim zbatimin e reformave individuale dhe në terren. Për procesin e Vettingut jam shumë kurioz të mësoj nëse ka diçka antikushtetuese. Dua të di më shumë nëse Gjykata Kushtetuese duhet të kërkojë vërtet mendimin e Komisionit të Venecias për t’u shprehur mbi ligjin e Vetingut”.
Por për raportuesin në hije të Shqipërisë në Parlamentin Europian, Eduard Kukan, me rëndësi parësore është vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me ligjin e Vettingut. Për Kukan, thelbësore është vetë ajo që Bashkimi Europian propagandon: pavarësia dhe respektimi i pushtetit gjyqësor.
Eduard Kukan, raportues për Shqipërinë: “Asnjë nuk mund të kritikojë Partinë Demokratike pse ka dërguar ligjin e Vettingut në Gjykatën Kushtetuese. Është e drejta e tyre dhe është tërësisht ok. Jemi ne që të njëjtën kohë ju themi juve që të respektoni pavarësinë e gjykatave, pasi është një parim bazë. Gjykatat dhe Gjykata Kushtetuese në Sllovaki kanë dhënë disa vendime që janë krejtësisht të papëlqyeshme, por ne duhet t’i respektojmë ato. Pra, në rastin e Shqipërisë, duhet të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.
Sa i përket zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017 në Shqipëri, Kukan dhe Fleckenstein bashkohen në emërues të përbashkët. Etiketimi i zgjedhjeve parlamentare, si testi i kulturës politike demokratike në vend dhe ecurisë drejt integrimit europian, i pozicionon si faktorë të rëndësishëm në hapjen e negociatave për anëtarësim.