Europa flet spanjisht!

Edhe këtë vit, dominimi i futbollit spanjoll në Evropë është total. Skuadrat iberike mund të bëjnë historinë dhe të kenë 4 finalistë në Ligën e Kampioneve dhe Europa League. Në Ligën e Kampioneve, Atletiko dhe Reali i Madridit mund të përsërisin finalen e vitit 2014. Reali është favorit për ndeshjen e “Bernabeut” pas barazimit 0-0 me Manchester City, ndërsa Atletikos i duhet që në “Allianz Arena” të mbrojë fitoren 1-0 të arritur në “Vicente Calderon”.
Ndërsa, në Europa League janë Sevilla dhe Villarreal. Skuadra andaluziane do të kërkojë finalen dhe triumfin e tretë radhazi, gjë që nuk e ka arritur askush dhe barazimi 2-2 ne Kiev ndaj Shakhtarit ia ushqen akoma më shumë shpresat. Ndërsa Viarreali, pas fitores 1-0 me Liverpulin, fiton të drejtën për të ëndërruar finalen e tij të parë evropiane.
Dominimi spanjoll në kompeticionet evropiane duket edhe në shifra. Spanja është në krye të renditjes së UEFA-s, e shkëputur me rreth 25 pikë ndaj Gjermanisë së vendit të dytë dhe ka 3 skuadra në 4 vendet e para në renditjen për klube: Reali i pari, Barcelona e treta e Atletico i katërti. Në 2 vitet e fundit, klubet spanjolle kanë fituar si trofeun e Ligës së Kampioneve ashtu dhe atë të Europa League, duke monopolizuar edhe Superkupën Evropiane.
Në 10 vitet e fundit, skuadrat spanjolle kanë fituar 5 herë Ligën e Kampioneve dhe 6 herë Europa League, gjë që i bën akoma më të pabesueshme edhe statistikat e 2 yjeve të futbollit botëror që La Liga i gëzon prej vitesh, Lionel Mesi e Cristiano Ronaldo.

Exit mobile version