Libertadores, humbet Riveri, fitojnë Boca e Sao Paulo

River Plate është vetëm një hap larg eliminimit nga Copa Libertadores. Kampionët në fuqi të këtij kompeticioni u mposhtën me rezultatin 2-0 në ndeshjen e parë  të ruandit të 1/8-ve nga ekuadorianët e Independiente del Valle. Los Millionarios tashmë duhet të realizojnë një përmbysje të madhe në ndeshjen e kthimit që do të zhvillohet në “Estadio El Monumental” pas 1 jave për t’u kualifikuar në çerekfinale. Në Quito vendasit e Independientes arritën të zhbllokonin shifrat në minutën e 64-ën me Jose Angulon, ndërkohë që në kohën shtesë Junior Sornoza kthehu në gol një 11-metërsh, duke i dhënë një goditje të rëndë River-it. Të besuarit e Marcelo Gallardos shfaqën shumë pak nga repertori i tyre në këtë përballje dhe tashmë misioni për të avancuar bëhet shumë i vështirë për skuadrën argjentinase.
Nuk pati fatin e River Plate, Boca Juniors që falë fitores 1-2 në transfertë ndaj paraguajanëve të Cerro Portenos hodhi një hap të sigurtë drejt kualifikimit. Në Asuncion, Carlos Tevez i dha avantazhin Bocës pas vetëm 28 minutash lojë. Vendasit humbën një 11-metërsh me Leal në të 56-ën, ndërsa 4 minuta më pas argjentinasit shënuan edhe golin e dytë me uruguajin Loderio, i cili shfrytëzoi një pasim të marrë nga Apashi.
Cerro Porteno shkurtoi shifrat me penalltinë e kthyer në gol nga Dominguez, 6 minuta përpara fundit. Skuadra e parë çerekfinaliste e këtij edicioni të Copa Libertadores mund të konsiderohet pa frikë Sao Paulo. Edhe pse pa sulmuesin kryesor, Jonathan Calleri që ishte i skualifikuar, brazilianët triumfuan me rezultatin e thellë 4-0 në ndeshjen e parë ndaj meksikanëve të Tolucas. Golat për Sao Paulon u shënuan nga Michel Bastos, Centurion që realizoi dy herë dhe Mendes.

Exit mobile version